Ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) janë prej ditësh në Tiranë, ku po zhvillojnë takime me drejtuesit kryesorë të institucioneve shqiptare. Ardhja e tyre në Tiranë bëhet pas miratimit të transhit të dytë dhe të tretë të kredisë që ky institucion i ka dhënë qeverisë shqiptare. Situata ekonomikofinanciare, pas marrëveshjes për kredinë për vendin tonë e kanë shtuar pritshmërinë dhe diskutimin rreth rolit të FMNsë dhe marrëdhënieve të këtij institucioni me qeverinë e re. Ekipi që ka mbërritur po analizon të gjithë sistemin e financave publike. Gjithashtu, do të analizohen struktura e borxhit dhe parashikimet, qëndrueshmëria e borxhit, diskutimi i strategjisë së menaxhimit të borxhit të brendshëm, por edhe të jashtëm. Axhenda e këtij misioni ka qenë e ngjeshur që në ditë e parë të tij, ku janë zhvilluar takime me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, me Kryeministrin Edi Rama dhe me Ministrin e Financave, Shkëlqim Cani. Gjatë këtyre takimeve misioni do të analizojë treguesit e buxhetit, politikat fiskale, një rishikim të politikave ekonomike dhe të shkëmbimeve monetare, por dhe strukturat e reformave të ndërmarra. Po kështu në kuadër të kësaj Fondi ka publikuar dhe një kalendar të pritshmërive të saj, “detyra” që duhet te realizohen nga qeveria shqiptare, kryesisht në sektorin e fiskut, energjisë dhe bankave.
Menaxhimi i financave publike
Ministria e Financave duhet të përgatisë një plan veprimi për të adresuar dobësitë e identifikuara në sektorin e auditit. Kjo detyrë duhet të kishte përfunduar me 15 shkurt të këtij viti.
Qeveria duhet të përgatisë një raport për prioritetin e të gjitha projekteve të infrastrukturës. Pasi lista e projekteve të jetë miratuar nga Këshilli i Ministrave, bashkë me kriteret e përzgjedhjes duhet të publikohen në faqen e internetit të Ministrisë së Financave dhe asaj të Ekonomisë. Kjo masë duhet të realizohet deri në fund të qershorit 2015.
Auditori i jashtëm për të përfunduar auditimin e 75 për qind të pretendimeve jo-tatimore të paguara, duhet të gjendet deri në fund të prillit 2015.
Auditori i jashtëm për të përfunduar verifikimin e pagesave të detyrimeve të prapambetura dhe rimbursimit të TVSH duhet gjendur deri në fund të prillit 2015.
Përfshirja në sistemin e avancuar të thesarit të 15 institucioneve buxhetore që alokojnë 60 për qind të buxheti duhet të jetë realizuar deri në fund të shtatorit 2015.
Ndryshimi i Ligjit të Prokurimit, Menaxhimi Financiar dhe Ligji i Buxhetit duhet të ndryshojnë deri në fund të dhjetorit 2015.
Sektori financiar
Banka e Shqipërisë duhet të marrë kundrejt një pagesë të posaçme një ekspert të jashtëm për të ndihmuar Komitetin e Auditimit të Banka e Shqipërisë.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare Shqiptare (AMF) duhet të ndryshojë kuadrin rregullator për fondet e investimeve deri në fund të qershorit 2015.
Sektori i Energjisë
Të nisë raportimi me bazë tremujore i borxheve të konsoliduara bruto të sektorit të energjisë elektrike ndërmjet KESH, OST, OSHEE dhe ndaj privatëve, duke filluar me periudhën janar-mars 2015 e në vijim.
Konsumatorët e rrjetit 35kv duhet të dalin nga tarifat e rregulluara në dhjetor të këtij viti.
Administrata Tatimore
- Instalimi i ri i IT software në vendin e serverit qendror dhe të fillojë testimi. Kjo detyrë është realizuar që në fillim të janarit.
- Auditimi i rimbursimeve tatimore në bazë risku duhet të nisë nga aplikimi jo më vonë se fundi i qershorit 2015.
- Krijimi i kadastrës fiskale për të vlerësuar taksën për secilën pronë jo më vonë se fundi i shtatorit 2015.
- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve deri në fund të marsit të këtij viti duhet të zhvillojë një strategji afatmesme dhe afat-gjatë të kapaciteteve të brendshme.
Paketa fiskale, nis që tani diskutimi për taksat e vitit 2016
Paketa fiskale, aty ku nis dhe pritshmëria e të ardhurave në buxhet, konsiderohet si pjesa më e rëndësishme e punës së Ministrisë së Financave. Në vitet e kaluara është lënë gjithmonë për në momentin e fundit konsultimi dhe marrja e mendimeve nga grupet e interesuara, dhe si e tillë kanë mbetur thuajse rekomandime të pa marra në konsideratë. Por këtë vit burime të Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se ka nisur procesin e konsultimit për paketën fiskale të vitit 2016. Edhe pse grupet e interesit ende nuk janë lajmëruar për të dhënë mendimet e tyre, mendohet që procesi do të mbyllet brenda gjashtë muajve të parë të vitit në mënyrë që të jetë koha e mjaftueshme për të marrë në shqyrtim propozimet e ardhura nga grupet e interesit. Por specialistë të fushës pohojnë për gazetën se “ka ende probleme paketa fiskale e këtij viti dhe do të ishte mirë të rishikoheshin disa tarifa”. Por Ministria e Financave në kuadër të këtyre ndryshimeve ka nisur punën për përgatitjen e kadastrës fiskale, apo siç është njohur tashmë ndryshe edhe si regjistrimi online i pasurive të paluajtshme. Kjo pritet të sjellë zgjidhjen përfundimtare në mbledhjen e taksave për pronat e paluajtshme dhe do të minimizojë informalitetin në këtë sektor. Sipas projektit, regjistrimet që do të bëhen në kadastrën fiskale, do të bëhen me emër të zotëruesit (pronarit), numrit rendor që i përket objektit, sqarimi i detajuar se për çfarë përdoren hapësirat e objektit, sipërfaqja totale si dhe vlera monetare që ai objekt ka. Vlerësimi monetar do të bëhet në bazën e çmimeve të tregut. Kjo masë pritet të ulë informalitetin në pagesë e taksës së pronës, evazioni i së cilës në Shqipëri është i lartë. Taksat ndaj pronës nuk arrijnë as 1 % të PBB në Shqipëri në një kohë që në vendet e BE grumbullojnë 6% të PBB.
Ndryshimet kryesore të vitit 2015
Taksa e qarkullimit
Kostot e mirëmbajtjes së infrastrukturës së rrugëve dhe efektet që shkakton përdorimi i karburanteve në mjedis janë argumentet që dha qeveria për rritjen e taksës së naftës. Rritja e miratuar është 10 lekë/litër i taksës së qarkullimit, nga 17 lekë/litër në 27 lekë/litër.
Tatimi i të ardhurave
Nga 1 janari 2015, tatimi mbi të ardhurat personale (TAP) u bë 15% nga 10% që ishte deri tani. Përjashtim nga kjo rritje bëjnë të ardhurat bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët. Ndërkaq, fondi i pensionit vullnetar i administruar nga shoqëria administruese e fondeve të pensionit vullnetar, përjashtohet nga ky tatim. Pas këtij ndryshimi, dividendët, interesat nga huatë, depozitat bankare ose kontrata të ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, të ardhurat nga lojërat e fatit, si dhe të gjitha shpërblimet apo të ardhurat e tjera, tatohen me 15 për qind.
Tregu i sigurimeve
Nga data 1 janar 2015, ka nisur zbatimi i përjashtimit nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar i primeve të shkruara për produktet e jojetës, (duke sjellë trajtimin e tyre fiskal sipas direktivës europiane), masë kjo me një efekt 500 milionë lekë minus nga të ardhurat prej TVSH-së, ndërsa vendoset një taksë e re kombëtare, prej 3% mbi to. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin 2015 do të jetë rreth 220 milionë lekë. Efekti neto në të ardhurat nga këto dy taksa do të jetë negativ, me rreth 280 milionë lekë.
Dogana zero për disa produkte
Ndërkaq, ndryshimet e tarifave doganore, të cilat paraqesin një lehtësim për industrinë, bujqësinë e blegtorinë dhe industrinë e miellit dhe bukës. Ndryshimet kryesore janë: a) Ulja e tarifës doganore për naftën bruto prej 10% në 0%; b) Bërja 0% e tarifës doganore për miellin e grurit, që aktualisht është 10%; c) Bërja 0% e tarifës doganore për importin e produkteve që shërbejnë si lëndë të para për industrinë apo blegtorinë (si p.sh. gruri, ushqimi për kafshët, zogjtë një ditor, derrat nën 30 kg, viçat nën 160 kg); d) Bërja 0% e tarifës doganore për materialin biologjik, që aktualisht është 10%; e) Bërja 10% e tarifës për gomat e reja pneumatike, që aktualisht është 15%.
