Mbrojtësi i Portos, Danillo, do të jetë futbollist i Realit të Madridit duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Drejtuesit e të dy klubeve kanë arritur një marrëveshje përfundimtare për transferimin e brazilianit në kryeqytetin spanjoll. Sikurse njofton “Marca”, bëhet fjalë për një çmim 20 milionë euro, që është sa gjysmë e kërkesës fillestare të klubit portugez.
Porto nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të pranonte ofertën e Realit, pasi kontrata e Danillos përfundonte në vitin 2016, dhe mund të largohej me parametër zero, pasi refuzoi zgjatjen e marrëveshjes. Një tjetër arsye është nevoja për likuiditet që ka Porto në këto momente, ndaj shitja e Danillos ishte zgjidhja më e mirë dhe më efikase për të shmangur krizën financiare.
Sigurisht që thelbësore ishte dëshira e vetë lojtarët për t’iu bashkuar Los Blancos në Primera Division. 23-vjeçari kishte oferta të ndryshme nga klubet e mëdha europiane, por qëllimi i tij ishte të luante me klubin më të titulluar në Spanjë. Braziliani i përshtatet në mënyre perfekte politikave të klubit për të blerë vetëm lojtarë të rinj, që nuk janë më shumë se 25 vjeç.
