Java e 26-të e Superiores mund të jetë përcaktuese për objektivat e shumë skuadrave në Superiore, nga fundi i tabelës e deri në krye, ku do të kemi përballje direkte për mbijetesën por dhe titullin. Sigurisht që vëmendja do të përqendrohet në “Niko Dovana” në përballjen mes Tiranës dhe Kukësit, që mund të jetë përcaktuese për fatet e trofeut mbi të gjitha për bardheblutë, të cilët në rast të një hapi fals mund të largoheshin shumë nga kreu. Gjatë javës ekipi është vizituar dhe nga presidenti Halili që ka dashur t’i qëndrojë pranë skuadrës në një përballje kaq delikate. Kukësi që e rimori veten pas dy barazimeve me Skënderbeun dhe Apoloninë duke mundur Teutën 5-2, do të provojë të përsërisë provën e sezonit të shkuar, kur fitonte në transfertë me Tiranën 1-2.
Në këtë kampionat të dyja ekipet kanë nga një fitore përballë njëra-tjetrës, por kjo e fazës së tretë mund të rezultojë më e rëndësishmja, pasi nga kjo sfidë mund të varet dhe ecuria në garën për titull. Nga ky 90 minutësh do të përpiqet të përfitojë Skënderbeu, që do të luajë në Vlorë me Flamurtarin, që nuk ka pasur një mesjavë të qetë pas akuzave të presidentit Sinani ndaj futbollistëve për ndeshjen me Partizanin. Fitorja direkte me Tiranën ka ngritur moralin në kampin korçar, që nuk do të kenë të gatshëm për këtë sfidë kapitenin Shkëmbi, i cili është i skualifikuar. Në dy sfidat e këtij viti në Vlorë, Skënderbeu ka barazuar 1-1 si në kampionat gjithashtu dhe në Kupë. Një fitore e kampionëve në fuqi mund t’i japë atyre dhe vendin e parë në renditje.
Partizani gjithashtu kërkon të afrohet akoma më tepër më kreun, teksa do të udhëtojë për në Shkodër për t’u ndeshur me Vllazninë, që në fazën e dytë i shkaktoi një humbje befasuese në kryeqytet. Ekipi është grumbulluar që këtë të shtunë në Shëngjin dhe në “Loro Boriçi” do të kërkojë maksimumin ndaj skuadrës së Zmijanit, që do të debutojë si trajner përpara publikut të tij.
Në fundin e tabelës ndeshje direkte për mbijetesën do të luhet në Fier, mes Apolonisë dhe Teutës, me dy skuadrat që për momentin ndahen nga 6 pikë në renditje, ndërsa Elbasani do të presë në Kamzë, Laçin që falë katër fitoreve radhazi është afruar ndjeshëm me skuadrat e kreut.
