Inter kthen vëmendjen nga Pedro Rodriguez

Dita

Pedro Rodriguez. Është ky emri që tundon Roberto Mancinin, i cili ka nxjerrë sulmuesin katalanas në krye të listës së dëshirave të tij. Mediat italiane shkruajnë për një interesim të Interit ndaj 27-vjeçarit që në “Camp Nou” po gjen përherë e më pak hapësira për shkak të shpërthimit të treshes Neymar-Messi-Suarez. Kontrata e lojtarit skadon në vitin 2016 dhe ai nuk ka ndërmend të hedhë firmën për një shtyrje të afatit të bashkëpunimit, pasi Luis Enrique nuk mund t’i premtojë një vend titullari në formacionin e tij. Në këtë mënyrë, mundësia që Pedro të largohet nga Barcelona gjatë merkatos së verës është reale. Në këtë rast, klubi blaugrana do të përfitonte një shumë të majme, por nëse marrëveshja për largimin e tij nuk arrihet, atëherë Pedro mund ta vendosë vetë të ardhmen në muajin Janar dhe me përfundimin e kontratës të largohet me parametra zero.

Hipotezën e dytë drejtuesit katalanas nuk dëshirojnë ta mendojnë pasi Pedro është një prej sulmuesve më të kërkuar në Europë edhe pse ka pasur pak mundësi për të treguar aftësitë e tij. Pengesa më e madhe për arritjen e marrëveshjes me Interin është fair play financiar pasi shoqëria zikaltër ka marrë një paralajmërim të rëndësishëm nga UEFA, e cila i ka vendosur limite në merkato.

Gjithçka mbetet në dorën e presidentit Eric Thohir dhe strategjisë që ai do të ndjekë për të afruar në skuadër spanjollin dhe merkatoja e verës do të jetë vendimtare në këtë drejtim. Karriera e 27-vjeçarit në Barcelonë duket drejt fundit dhe pikëpyetjet e vetme mbeten mbi destinacionin e tij të ardhshëm sepse ofertat për të nuk kanë munguar as nga Anglia.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *