Zërave të fundit brenda së djathtës për një përjashtim të mundshëm të kandidatit më të përfolur në radhët e opozitës për kryetar të Bashkisë së Durrësit, Agron Duka, deputeti i PR-së u përgjigjet se do të mbështesë këdo kandidaturë që do të propozojë baza.
Edhe pse nuk është kontaktuar ende nga baza e demokratëve në qytetin bregdetar për një vendim në lidhje me propozimi e tij si kandidati unanim i opozitës për Bashkinë Durrës, Duka shprehet i vendosur në qëndrimin e partisë së tij, PR-së, se nëse do të kërkohet diçka e tillë, do të lërë mandatin e deputetit.
“Unë nuk jam kontaktuar deri më tani nga baza e PD-së në Durrës, për një vendim konkret. Personalisht i qëndrojë atij qëndrimi që kam shprehur më parë në lidhje me marrjen e drejtimit të Bashkisë Durrës. Nëse do të ndodhë e kundërta, përsëri do të jem në mbështetje të kandidatit që do të propozojë baza për këtë bashki”, shprehet Duka në një prononcim për gazetën “Shqip”.
Por deri më tani, në përzgjedhjet që po bëhen në PD-në e Durrësit, emri i tij nuk është përmendur për t’u përzgjedhur si kandidat i përbashkët për të marrë drejtimin e Bashkisë së Durrësit.
Por, sipas burimeve, PD-ja ka piketuar një kandidat tjetër për Bashkinë e Durrësit në zgjedhjet e 21 qershorit, që me shumë gjasë do të ketë përballë Vangjush Dakon ose Lefter Kokën. Kandidati është Ardian Muka. Ky i fundit mbështetet nga strukturat e Partisë Demokratike të Durrësit, ndërsa pritet t’u propozohet drejtuesve të lartë të PD-së në Tiranë.
Sipas burimeve, Muka ka mbështetjen personale të Lulzim Bashës. Gjithsesi, për zyrtarizmin e kandidatëve, PD-ja ka ngritur 61 grupe pune në 61 njësi vendore. Propozimet përfundimtare do të kalkulojnë nëpërmjet këtyre grupeve të punës.

Te lumte MALAVITA-Duka.