Raporti i bërë publik dje përmban më shumë fakte mbi avionin e zhdukur, sesa analiza për zhdukjen e tij, dhe iu është dorëzuar të afërmve të 239 personave që ishin në bordin e tij
Një vit pas zhdukjes së avionit MH370, misteri më i madh në historinë e aviacionit, autoritetet kanë bërë publik raportin e hetimit që është zhvilluar deri më tani. Raporti, qëllimi i të cilit është që të evitojë tragjedi të tjera dhe jo të kërkojë përgjegjës, zbulon disa të dhëna. E dhëna e parë është që bateria e pishtarit sinjalizues për vendndodhjen, pjesë e regjistruesit të të dhënave të avionit, kishte skaduar mbi një vit përpara zhdukjes së avionit të Malaysia Airlines.
Edhe pse theksohet se ekziston një mundësi që të funksionojë pas datës së skadimit, ajo nuk mund të garantojë mirëfunksionimin e saj apo përmbushjen e kërkesave minimale. Pavarësisht kësaj bateria në të ashtuquajturën “kuti e zezë”, apo regjistruesin e zërit të pilotit, është zëvendësuar sipas programimit dhe ka qenë brenda datës së skadencës. Të dyja këto instrumente janë thelbësore në një aksident, sepse mbledhin regjistrimet e zërit dhe të dhënat e fluturimit. Për të përpunuar raportin janë pyetur 120 persona, sipas asaj që shpjegoi dje kreu i hetuesve, Dato Kok Soo Chon dhe kanë analizuar dosjet personale të ekuipazhit, detajet e mallrave që po transportoheshin dhe karakteristikat teknike të avionit.
Nga kjo analizë del e dhëna e dytë e raportit, që thotë se kapiteni i avionit, Zaharie Ahmad Shah nuk vuante nga stresi dhe gëzonte shëndet të mirë fizik dhe mendor përpara fluturimit. Ai nuk konsumonte as drogë dhe as alkool. Në fakt, para publikimit të konkluzioneve të hetimit, motra e tij ka shpërndarë një komunikatë në të cilën ajo mbron pilotin. Përballë mungesës së provave, thekson ajo, “askush nuk ka të drejtë që të akuzojë kapitenin”. Qeveria malajziane u zotua se do të vazhdojë kërkimin e avionit.
Në një komunikatë kryeministri malajzian, Najib Razak, pohoi se nuk precedentë të asaj që ndodhi me fluturimin MH370. “Nuk ka fjalë për të përshkruar dhimbjen e familjarëve të atyre që ishin në bord. Mungesa e përgjigjeve dhe prova definitive (mbetjet avionit), e kanë shndërruar në diçka më se të vështirë për ta zgjidhur”, tha ai. “Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë kemi ndjekur provat e pakta që kemi, Malajzia vazhdon të jetë e zotuar në kërkimin dhe shpresën se MH370 do të gjendet”, tha Najib.
Raporti përmban më shumë fakte mbi avionin e zhdukur, sesa analiza për zhdukjen e tij, dhe iu është dorëzuar të afërmve të 239 personave të bordin e tij, duke mos u dhënë kështu një argumentim se përse avioni u zhduk papritur nga radarët. Ekspertët mbështesin teorinë se Boeing 777 u rrëzua në oqeanin Indian, sipas të dhënave të analizuara nga sateliti Immarsat, pasi devijoi nga rruga e tij mes Kuala Lumpurit dhe Pekinit./DITA
