Goli i Cinarit në minutën e fundit trondit kampionatin e Partizanit, me Vllazninë që i jep një “shuplakë” në garën për titull të kuqve, të cilët shikojnë rivalët të marrin “arratinë” në krye.
Të kuqtë, që vinin pas një fitoreje të diskutuar me Flamurtarin, në letër mendohej se do të kishin një ndeshje të lehtë, por Vllaznia në debutimin e Zmijanit përpara publikut të tij nuk u tregua aspak inferiore me 90- minutëshin e të kuqve, që mbeti te pretendimet për 11-metërsh si ato të minutës së pestë nga Vila dhe të 18-ës nga Raçiç.
Pjesa e parë në fakt ishte një këmbëngulje më e madhe e të kuqve, por Fezjullahu në të 7-ën dhe Mazrekajn në të 24-ën nuk e kishin të saktë shënjestrën. Ndërkohë, i vetmi moment i rrezikshëm për Vllazninë u regjistrua në të 42-ën, me Olsi Gocajn.
Pjesa e dytë dhuroi më shumë emocione, me Dibra që të 61-ën ju afrua golit, por gaboi siç bëri pesë minuta më pas dhe Cuculi. Në të 85-ën, shkodranët sërish nuk përfituan nga rreshtimi jo i duhur i të kuqve, i cili nuk u fal në minutën e 90-të nga Cinari, që çoi peshë “Loro Boriçin” duke i dhënë fitore Vllaznisë.
1-0 për vendasit, që marrin tre pikë që mbajnë larg zonën e ftohtë, ndërsa e shndërrojnë tashmë derbin e së enjtes për Partizanin, në një sfidë që duhet fituar me çdo kusht dhe jo thjesht për çështje rivaliteti.
