Stili i vrullshëm i jetesës, si dhe kohëzgjatja e përdorimit të teknologjisë digjitale po vënë gjithnjë e më shumë në pah reduktimin e orëve të gjumit, si dhe shmangien e çrregullimeve të cilat mund të jenë të stadeve kalimtare, por edhe të formave të rënda. E nëse këto forma të rënda nuk marrin trajtimin e duhur herët, çojnë deri në pasoja fatale, pasi nxisin zhvillimin e sëmundjeve të tjera që prekin organet jetësore. Dëmtime të shumta shfaqen veçanërisht në shëndetin mendor, të cilat më pas bëhen pengesë edhe për kryerjen e aktiviteteve të përditshme. Për lexuesit e “Dita”, mjekja infeksioniste Ilda Xhelili tregon se janë një sërë sëmundjes që nxisin pagjumësinë, duke shtuar gjithnjë e më tepër lodhjen tek personat e prekur. E për rrjedhojë, edhe produktiviteti gjatë ditës tek një pjesë e mirë e personave që kanë probleme me gjumin është tepër i ulët. Mjekja thotë se duhet bërë kujdes, pasi në raste të caktuara kjo gjendje mund të prekë edhe fëmijët, ku vonesa e trajtim mund të çojë në shfaqjen e formave kronike të pagjumësisë. Në vijim të shkrimit mjekja flet për vendosjen e higjienës së gjumit, çka do të ndihmojë në pakësimin e problemeve që shfaqen më pas në shëndet.
Si duhet ta kuptojmë pagjumësinë, cilat janë format e shfaqjes së saj dhe kategoritë më të rriskuara?
Pagjumësia është përcaktuar si pamundësi për të rënë në gjumë ose pamundësi për të vazhduar gjumin e nisur, si dhe të dyja bashkë. Pagjumësia është mjaft e përhapur, rreth 90 për qind e njerëzve kanë provuar të paktën njëherë në jetën e tyre çrregullime të gjumit dhe përafërsisht 10 për qind e popullatës vuajnë nga çrregullimet kronike të gjumit. Pagjumësia prek njerëzit e të gjitha moshave edhe pse frekuenca rritet me rritjen e moshës. Nuk janë të përjashtuar nga këto çrregullime as fëmijët. Gratë vuajnë nga çrregullimet e gjumit më tepër se meshkujt. Bazuar në kohëzgjatjen e simptomave pagjumësia klasifikohet në tre grupe të mëdha: “Pagjumësi kalimtare kur ajo zgjat më pak se një javë, pagjumësi afatshkurtër kur zgjat mbi një javë, por jo më shumë se tre javë. Ndërsa në rastet kur zgjat më tepër se tre javë klasifikohet si pagjumësi kronike. Është e rëndësishme të bëhet dallimi midis pagjumësisë e cila çon në ulje të cilësisë së aktiviteteve të përgjithshme dhe gjumit të shkurtër në kohë, i cili mund të jetë i mjaftueshëm për shumë njerëz pa dëmtuar cilësinë e përditshmërisë së tyre.
Cilët janë shkaktarët e pagjumësisë?
Shkaktarët janë të shumtë dhe mund të përmendim në rastin e çrregullimeve afatshkurtra, ndryshimin e ambientit apo edhe ndryshimin e shtratit, stresin e përkohshëm. Në rastin e çrregullimeve afatgjata si shkaktarë mund të jenë sëmundje të ndryshme si për shembull ato që shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje (astma bronkiale, sëmundjet e zemrës, të mushkërive etj), sëmundje të veshkave, prostatës (sëmundje që çojnë në urinim të shpeshtë natën dhe ditën), sindromi i lodhjes kronike, ata që vuajnë nga dhimbjet e kockave, nga sëmundja e Parkinsonit, sëmundjet malinje, sëmundje të ndryshme neurologjike, çrregullimet e tiroides. Po ashtu shkaktarë të pagjumësisë mund të jenë abuzimi me alkoolin, me droga të ndryshme, nikotina (duhanpirësit), kafeina (përdorimi me tepri i kafes, coca-cola, çokollatat, etj), gratë gjatë periudhës së shtatzënisë, por edhe ato gjatë periudhës së menopauzës. Çrregullime të gjumit mund të shkaktojnë edhe zakone të tilla si për shembull shikimi i televizorit apo leximi i librave kur shkojmë në shtrat për të fjetur.
Cilat janë simptomat e pagjumësisë?
Përveç çrregullimit të gjumit apo edhe vështirësisë për të rënë në gjumë, njerëzit që vuajnë nga pagjumësia përjetojnë lodhje gjatë ditës, ndryshime të humorit, përgjumje gjatë ditës, mungesë vëmendjeje dhe përqendrimi, mungesa e energjisë, ankth, dhimbje koke, rritja e mundësisë për gabime, funksion i ulët social, etj. Pagjumësitë akute në përgjithësi zgjidhen me largimin e shkakut, por kur çrregullimet e gjumit zgjaten, ato kërkojnë një vlerësim të plotë të gjendjes shëndetësore. Është i rëndësishëm një ekzaminim fizik nga ana e mjekut për të vlerësuar funksionimin e organizmit, por edhe funksionimin e shëndetit mendor.
Si trajtohet pagjumësia?
Trajtimi i pagjumësisë varet kryesisht nga shkaku i problemit. Në rastet kur është i qartë faktori përgjegjës i pagjumësisë, atëherë largimi i shkaktarit çon edhe në korrigjimin e pagjumësisë. Për shembull në rastin e një provimi (studentët) situata qetësohet me përfundimin e tij, apo edhe në rastin e ndonjë stresi kalimtar për arsye të ndryshme. Në qoftë se pagjumësia është e lidhur me situata të ndryshme mjekësore, atëherë në këto raste del primare trajtimi i këtyre situatave që mund të jenë edhe sëmundje kronike, të cilat në ecuritë e tyre shoqërohen me pagjumësi ose çrregullime të gjumit. Sigurisht që përdoren medikamente që përmirësojnë gjumin, por gjithmonë me këshillimin e mjekut. Ajo çfarë do të rekomandoja për përmirësimin e këtyre çrregullimeve është higjiena e gjumit.
Por çfarë kuptojmë me higjienë të gjumit?
Është një nga hapat e trajtimeve jo-mjekësore të pagjumësisë dhe përfshin hapa të thjeshtë që mund përmirësojnë fillimin dhe mbajtjen e gjumit. Së pari flini sa më shumë që të jetë e mundur për t’u ndjerë të shplodhur. Më tej respektoni një orar të rregullt për të shkuar në gjumë, mos e detyroni veten për të fjetur, mos pini pije që përmbajnë kafeinë pasdite ose para gjumit, mos pini alkool dhe duhan sidomos në mbrëmje, mos shkoni në shtrat të uritur, hani darkë dy deri në tre orë para se të flini, bëni një shëtitje para se të flini ose ushtrime të lehta (katër-pesë orë para se të flini), rregulloni mjedisin e dhomës së gjumit për të nxitur gjumin (shtrat i rehatshëm, kujdes me dritën, televizorin, zhurmat). Përdoreni shtratin vetëm për të fjetur dhe jo për të lexuar, jo për të ngrënë dhe jo për të parë televizor, shkoni në shtrat vetëm kur e ndjeni se jeni gati për të fjetur, zgjohuni në mëngjes në të njëjtën orë për të shmangur orët e tepërta të gjumit. Nëse nuk ju zë gjumi brenda 20 minutave, mund të ngriheni ndenjur dhe të bëni frymëmarrje të thella që ndihmon në relaksimin e muskujve dhe të provoni të flini përsëri. Pasi jeni zgjuar në mëngjes mos rrini në shtrat sepse kjo mund të çojë në prishjen e ciklit të rregullt të gjumit, mos shikoni orën kur nuk po ju zë gjumi. Pagjumësia duhet vlerësuar dhe trajtuar nga mjeku dhe kur trajtohen shkaqet ato rezultojnë pozitive në shumicën e rasteve. Shumë raste të pagjumësisë janë të lidhura me streset kalimtare dhe për rrjedhojë edhe çrregullimet mbeten kalimtare.
Të luftosh ndjesinë e lodhjes me këshilla praktike
Bluzat e bardha vënë në dukje faktin se ndonjëherë është mjaftueshme ndjekja e rregullave të thjeshta për të pasur efekt në reduktimin e ndjesisë së lodhjes, qoftë asaj fizike apo të shëndetit mendor. Sipas tyre, parandalimi i i shkakut kryesor pothuajse në çdo situatë, çon në parandalimin e lodhjes. Gjithashtu marrja me aktivitete sportive dhe ushtrimore (pa sforco dhe në konsultë me mjekun), përbën një relaks mjaft të mirë për lodhjet nervore. Kujdes duhet bërë edhe me kontrollin e medikamenteve që marrim (te mjeku ose farmacisti) për të parë nëse ndonjëri prej tyre është shkaktar i lodhjes. Ndërkohë që rekomandohet përmirësimi i dietës sidomos një mëngjes i pasur me drithëra, qumësht e fruta, si edhe konsumimi gjatë ditës i frutave dhe perimeve të freskëta. Duhet të ndalohet duhani dhe konsumimi i tepërt i kafeinës (kafet, coca-cola, etj, sidomos pas orës 6 të mbrëmjes). Rëndësi ka edhe higjiena e gjumit (shkuarja në shtrat në të njëjtën orë rregullisht), ulja e konsumimit të alkoolit, sidomos pas darke, pasi nëpërmjet studimeve të ndryshme është theksuar fakti se alkooli ndikon në modelet e gjumit.

Jam me prostat. Pas 3 ore gjum, zgjohem nga ndjesia e urines. Pasi urinoj nuk me ze me gjumi. Gjate dites me vjen gjum, por po te shtrihem gjumi nuk me ze. Stresohem shume. JU LUTEM Me ndihmoni me ndonje keshille ju lutem