Në 1000 gra të testuara, 10 dalin me kancer të gjirit

redaktor

Kontrollet e kryera mbi zbulimin e hershëm të sëmundjes tumorale të gjirit flasin për të dhëna shqetësuese. Nga vlerësimet paraprake të këtyre kontrolleve raportohet se në çdo 1000 ekzaminime të kryera me mamografi, në 10 prej tyre identifikohet prania e sëmundjes, duke nxjerrë në pah numrin e lartë të grave të prekura nga tumori i gjirit. Fatkeqësisht kjo shifër rezulton të jetë shumë herë më e lartë se sa ato të raportuara në vendet e tjera.

“Nga të dhënat e disa analizave paraprake, bazuar në gjetjet e fushatën së ndërgjegjësimit tetor-nëntor 2014, vlerësohet që më shumë se 10 në 1000 gra të ekzaminuara përfundon në një diagnozë tumori të gjirit. Ky tregues rezulton shumë herë më i lartë i raportuar nga programet rutinë të depistimit me mamografi në vende të tjera evropiane (ku për 1000 mamografi të kryera evidentohen jo më shumë se 4 raste zbulimi të hershëm të kancerit)”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë vëzhgimit në terren të punës së mamografëve të lëvizshëm në Kuçovë. Sipas ekspertëve të shëndetit kjo shpjegohet me faktin e përfshirjes në ekzaminime të një numri të madh grash, që janë me risk më të lartë për kancer. Kategori e cila më parë nuk kishte kryer ekzaminime të hershme për zbulimin e sëmundjes. Gratë e ekzaminuara janë të moshës 40-65 vjeç.

“Shumica dërrmuese e tyre ekzaminohen për herë të parë, por ka raste grash të diagnostikuara dhe të trajtuara me kancer gjiri, të cilat kanë nevojë për ri-ekzaminime periodike pasi janë me risk të lartë rishfaqjeje të kancerit ose kancer të ri. Këto ekzaminime ofrohen pa pagesë, për të rrëzuar kështu barrierat financiare që mund të kenë gra nga shtresa të ndryshme në përmbushje të angazhimit për mbulim universal”, shtoi më tej ministri Beqaj.

Këto ekzaminime ofrohen pranë vendbanimit në zona me periferike të vendit. Të dhënat lidhur me aktivitetin e njësisë së mamografive të lëvizshme në zonat me akses të kufizuar ndaj këtij shërbimi shëndetësor për periudhën nga fillimi i vitit deri tani, tregojnë për një numër të përgjithshëm prej 500 ekzaminimesh. Prej dy javësh ofrojnë shërbim me kapacitet të plotë të dy njësitë lëvizëse. Mesatarisht çdo njësi bën rreth 15 ekzaminime në ditë duke bërë të mundur që çdo muaj të mund të ekzaminohen rreth 600 gra. Aktualisht, njëra prej njësive ndodhet në Ersekë që prej javës së kaluar pasi kreu tre javë në Gjirokastër, ndërsa njësia tjetër, pas Përmetit, ka filluar tashmë punën në Kuçovë. Përveç këtyre qyteteve, është ofruar shërbim edhe në Ballsh dhe në Tepelenë. Këto njësi ekzaminuese do të zhvendosen edhe në rrethe të tjera të vendit. Zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje ndihmon në trajtimin e komplikacioneve të kancerit, pa kaluar në stadet më të rënduara, ku dhe mund të shoqërohen me pasoja fatale për jetën e pacientes. Ndërkohë që trajtimet janë edhe më të vështira e të kushtueshme.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *