Vendet e Ballkanit Perëndimor janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit evropian. Debati që shoqëroi seancën mbi raportet vjetore të progresit, këtë javë në PE, ekspozoi si problematikat, por edhe arritjet. Ndër të tjera PE, publikoi edhe të dhënat ekonomike dhe sociale për secilin vend në një plan krahasimor. Po kush janë problemet kryesore, që sundojnë në rajon dhe si renditet Shqipëria në këtë grafik ?
Të dhënat e ekspozuara në grafik shfaqin një papunësi të lartë për rajonin, por Shqipëria renditet më ulët nga të gjithë vendet e tjera, me një nivel papunësie prej 15.6%. Edhe në lidhje me fushën e eksport-importit (76.7%- 64.2%), Shqipëria gjithashtu renditet në nivelin më të lartë nga të gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për sa i përket Lirisë së Shtypit, vendi renditet i katërti (85), ndërkohë që të dhënat mbi klimën e biznesit dhe të ndërmarrjeve e pozicionojnë atë në vend të tretë (68). Ndërsa fushat ku Shqipëria shfaqet më problematike në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë korrupsioni (110) dhe niveli i GDP-së i shprehur në standardin e pushtetit të blerjes (28). Të dhënat e ekspozuara në grafik, sigurisht që janë shumë larg standardeve, që përfaqëson në tërësi BE-28.
Papunësia (2013)
Vendin e parë për papunësinë më të lartë në Rajon e mban Kosova me 30%, duke u ndjekur nga Maqedonia me 29%, Bosnjë-Hercegovina 27.5%, Serbia 22.1%, Mali i Zi 19.5%, dhe Shqipëria me vetëm 15.6%. Ndërkohë që papunësia në BE-28, renditet në nivelin prej 10.8%.
Perceptimi mbi Korrupsionin (2014)
Në lidhje me perceptimin ndaj korrupsionit Shqipëria së bashku me Kosovën renditen më ulët nga të gjithë vendet e rajonit, përkatësisht në vendin e 110. Ndërkohë që më sipër renditen Bosnja në vendin e 80, Serbia në vendin e 78, Mali i Zi në vendin e 76 dhe Maqedonia në vendin e 64.
Liria e Shtypit (2014)
Për sa i përket lirisë së shtypit, Shqipëria renditet diku nga mesi në krahasim me vendet e tjera të rajonit, në vend të 85. Kryesimin mbi lirinë e shtypit e mban Serbia (54) , pas saj renditet Bosnja (66), Kosova (80), Mali i Zi (114) dhe në vend të fundit Maqedonia (123).
Në lidhje me eksportet dhe importet duket se Shqipëria renditet e para me nivelin më të lartë, në fushën e eksporteve me 76.7% dhe të importeve me 64.2%. Pas saj vjen në vend të dytë, Bosnja në fushën e eksporteve me 73.6%, e ndjekur nga Maqedonia me 72.6%, Serbia me 62.7%, Kosova me 43.5% dhe Mali i Zi me vetëm 41%. Ndër sa në fushën e importeve Shqipëria ndiqej nga Maqedonia me 62.6%, Serbia me 61.9%, Bosnja me 60%, Kosova me 44.8% dhe Mali i Zi me 44.1%.
GDP
Ndërsa në lidhej me GDP, e shprehur në standardin e pushtetit të blerjes, Shqipëria zë vendin e fundit në listë (28) dhe sipër saj, renditen menjëherë Bosnja (29), Maqedonia (36), Serbia (37), dhe Mali i Zi që kryeson (40). Ndërkohë që GDP e BE-28 shprehet në nivelin 100.
Në lidhje me përmirësimin e klimës së biznesit dhe mjedisit të favorshëm për ndërmarrjet, duket se Maqedonia (30) dhe Mali i Zi (36) kryesojnë, duke u ndjekur nga Shqipëria (68), Kosova (75), Serbia (91) dhe me renditjen në fund të Bosnjës (107).
Të dhënat e mësipërme mbi popullatën, GDP-në, papunësinë dhe import/eksport, janë marrë nga Eurostat, Perceptimi i Korrupsionit nga Transparency International, Liria e Shtypit nga “Reporterët pa Kufi” dhe Banka Botërore, ka klasifikuar vendet sipas mjedisit të favorshëm ose jo në lidhje me biznesin dhe ndërmarrjet.
Gjithsesi është për t’u theksuar fakti, se pavarësisht se, si mund të lexohen nga vetë vendet këto të dhëna, sidomos në raport me të dhënat që pasqyron niveli i BE-28, komunikata e PE-së vlerëson se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë luftuar për t’u përballur me krizën ekonomike, për të zhdukur korrupsionin dhe për të garantuar lirinë e shtypit.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që synojnë anëtarësimin në BE, Mali i Zi vazhdon pa ndërprerje rrugën integruese. Në ndjekje nga Serbia, e cila gjithashtu ka hapur procesin e negociatave. Në rast se Shqipëria, vazhdon me sukses përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe, ajo do të renditet në grupin e të përparuarve në rajon, bashkë me Malin e Zi dhe Serbinë. E bllokuar në këtë proces shfaqet Maqedonia. Por, të gjitha presionet që po vijnë nga nivele të ndryshme shkojnë drejt së njëjtës logjikë, zhbllokimin e shpejtë të saj, në lidhje me ngërçin prej një dekade të zgjidhjes së emrit me Greqinë. Për Bosnjën, situata më në fund, mund të thuhet se është zhbllokuar. Dhe në fund të bllokut për sa i përket ritmit procedues, renditet Kosova, e cila mund të ketë së shpejti një nënshkrim të MSA-së. Edhe pse është i vetmi vend në rajon, që vizat nuk janë liberalizuar ende, axhenda për përmbushjen e kritereve është ende e paplotësuar. Gjithsesi, Rezoluta në PE, në lidhje me Kosovën, mbështeste në thelb liberalizimin e shpejtë të vizave për kosovarët. Mbi Shqipërinë dhe Bosnjën, raportet do të kalojnë muajin e ardhshëm në PE dhe debati që pritet të shoqërojë seancën do të specifikojë më konkretisht problematikat, sfidat, apo progreset e vendit./im.ta/




