Pas mbarimit të kursit dhe kryerjes së testimit, patenta do të merret në çast, për vetëm 15 minuta. Ky shërbim i ri nuk do të sjellë asnjë rritje të kostos për qytetarët. Këtë e konfirmoi dje, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, gjatë një vizite pune pranë zyrave të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor në Tiranë.
Ai u ndal në zyrat e dy nga shërbimeve kryesore që kjo drejtori ofron për pajisjen me leje drejtimi për qytetarët, në të cilat janë investuar sisteme të reja teknologjike për përshpejtimin e kohës dhe rritjen e sigurisë të shërbimit ndaj qytetarëve. Në zyrën e rinovimit të lejeve të drejtimit, ministri Haxhinasto u njoh nga afër me procedurat e reja që po aplikohen për përshpejtimin e kohës së shërbimit, ku punonjësit demonstruan hapat që ndiqen për këtë proces.
“Unë dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për këtë investim kaq të efektshëm të bërë në DPSHTRr, i cili në fakt ka efekt primar rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. Me sistemin e ri të vendosur, koha e rinovimit të patentave ka ndryshuar nga dy javë në vetëm 15 minuta. Duhet të theksojmë se kosto e këtij shërbimi nuk ka ndryshuar dhe do të ngelet e njëjtë”, tha ministri Haxhinasto.
Më tej, ai u ndal në ambientet e testimit të teorisë së kandidatëve për leje drejtimi, ku është investuar për sistemin e ri të informatizuar për identifikimin e kandidatëve, si dhe janë instaluar pajisje fotografike dhe identifikimi dixhital i kandidatit.
“Kemi përmirësim të mënyrës se regjistrimit të kandidatëve nëpërmjet paraqitjes së menjëhershme në kohë reale të fotografive të gjithsecilit dhe të firmës e të shenjave të gishtave në formularin e testimit. Kështu do të arrijmë të luftojmë falsifikimet e mundshme, por më shumë i shërbejmë sigurisë së qytetarëve.
Drejtuesit e ardhshëm të automjeteve duhet të motivohen më shumë dhe ta konsiderojnë procesin e testimit teorik si një shërbim që i bëjnë vetes së tyre, një shërbim që i bëjnë jetës”, tha ministri Haxhinasto.
Me hyrjen e këtij elementi të ri në procesin e testit teorik për pajisjen me leje drejtimi të drejtuesve të ardhshëm, ulet koha e shërbimit dhe ulet mundësia e falsifikimeve. Këto masa janë në kuadër të angazhimeve të qeverisë si vend kandidat për anëtar i BE-së për plotësimin e kushteve dhe standardeve europiane në fushën e transporteve.
