Mehmet Shehu kërcënon 1500 rezervistët: Turpëruat emrin e ‘Brigadës Heroinë’, do shkoni në burg!

anazapta

Ditari i Skifter Këlliçit, pjesëmarrës në marshimin vdekjeprurës

 

Këlliçi: Mbi 1500 vetë ishim të rreshtuar në periferi të Tiranës dhe prisnim gjykimin e Mehmet Shehut për shpartallimin e Brigadës së Parë në marshim!

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Shpartallimi i një njësie luftarake, për më tepër i Brigadës së Parë Sulmuese (Heroinë e Popullit) që vlerësohej dhe si ‘ajka’ e ushtrisë për kohën, bëri bujë të madhe në fillimin e shkurtit të vitit 1979. I alarmuar nga kjo ndodhi, Kryeministri i vendit Mehmet Shehu jep urdhër rimbledhjen e 1500 rezervistëve për ndëshkim të asaj që ndodhi…

E MËRKURË, 7 SHKURT 1979

Alarm nga Dega Ushtarake dhe përsëri në repart, me urdhër të Mehmet Shehut! Të martën, më 6 shkurt, në mëngjes u nisa për në punë. Dhe ja, rrugës dëgjova fjalë se gjatë kthimit nga marshimi kishte pasur vërtet shumë çrregullime… Por vetëm kaq. Mirëpo, kur në mbrëmje një ushtar solli në shtëpi lajmthirrje të re për mua dhe vëllanë nga Dega Ushtarake, përshkuar nga dy vija të kuqe, ku shquheshin fjalët: ”Urgjent, për mosparaqitje-dënim në gjyqin ushtarak!”, kuptova se diçka duhej të kishte ndodhur. Dhe njëmend e rëndë, ndryshe përse pa kaluar mirë 24 orë pas një stërvitje të mundimshme duhej të ndodheshim përsëri në repart? Dhe siç morëm vesh më pas me urdhër të vetë Mehmet Shehut, për të nisur përsëri marshim tjetër…

Kështu pra, në orën 7.00 u ndodhëm aty ku disa ditë më parë kishim qenë para marshimit. Përsëri të veshur me rroba ushtarake. U takuam sërishmi me shokët. Dhe ata nuk dinin asgjë. Dhe aty me tim vëlla mësuam çfarë kishte ndodhur pikërisht në çastin kur unë dhe ai, për fatin tonë të mirë, ishim kthyer jo në këmbë si tërë rezervistët, por me makina, siç kam shkruar më lart. Të tërë rezervistët, pas mbarimit të stërvitjes, ishin nisur të inkuadruar dhe të drejtuar jo vetëm nga oficerët rezervistë, por edhe nga oficerët e repartit 1105. Por ashtu, siç kishte ndodhur me batalionin e tretë të mbiquajtur të ‘zi’. gjatë nisjes, për shkak të moszbatimit të disiplinës, ashtu kishte ndodhur gjatë kthimit, por këtë radhë thuajse me të tërë pjesëmarrësit. Pasi kishin lëmë pas Bizën, nën indiferencën e oficerëve të Repartit 1105, përgjatë rrugës midis Fekenit e Qafmollës, shumë nga rezervistët, për të shkurtuar rrugë, kishin marrë monopate malore si ua hante mendja. Madje, kishte pasur nga ata, që me që të dielën në stadium zhvillohej ndeshja finale e Kupës së Republikës midis “Partizanit” dhe “Dinamos”, ishin turrur që të arrinin sa më parë atje me gjithë armë…

TRAGJEDITË

Kështu, gjatë kthimit, në këtë marshim, kishin ndodhur të papritura. Një pjesë kishte humbur rrugën e kishin bitisur nëpër fshatra, ku ishin strehuar nga fshatarë vendas. Të tjerë kishin mbetur rrugëve pa ditur se ku shkonin duke u sorollatur lart e poshtë… Kishte nga ata që kishin dashur të kapërcenin Erzenin. Mirëpo njërit i kishte rrëshqitur këmba. Kësisoj, i shtyrë nga rryma e furishme që fuqizohej nga ujërat, të cilat vinin me prurje të fortë për shkak të shirave që binin në mal nga ku buronte ky lumë, kishte mbetur i mbërthyer në shkëmbinj. Aty, gurë e drurë, e kishin goditur në bark e ai kishte mbetur i mbytur, pa mundur askush ta shpëtonte, qoftë dhe fshatarët që ishin mësuar me të tilla rrethana. Tre të tjerë nuk dihej se ku ishin. Shumë kishin ardhur të dërrmuar nëpër shtëpi e shenjat e një mundimi ç’njerëzor shfaqeshin në fytyrat e tyre të murrëtyera, teksa bisedonin me njëri-tjetrin.

Nuk kaloi shumë kohë pas këtyre rrëfimeve të ankthshme dhe ne pamë që në fushën para pikës së hapjes në Vaqar, ia behën tre civilë, të cilët  me ushtarakë të repartit që kishin qenë bashkë me ne në marshim, na grumbulluan në një barakë të gjatë ku nisën të na pyesnin fije e për pe për gati dy-tri orë se çfarë kishte ndodhur. Ishin të dërguar nga Komiteti Qendror i Partisë. Dukej se gjendja ishte tepër alarmuese. Pas largimit të tyre, qëndruam në fushë të hapur për orë të tëra pa ditur se pse. Pyesnim oficerët e repartit, por asnjëri nuk na jepte përgjigje. Hëngrëm çfarë kishim marrë me vete, ndërsa oficerët shkonin e vinin të heshtur e të ngrysur duke na parë me një inat të dukshëm… Diçka vlonte, por askush nuk na jepte shpjegim…

U larguam që andej kur afroi muzgu. Po të nesërmen përsëri duhet të ishim në të njëjtën orë e po në të njëjtin vend… Kishte filluar një hetim për gjithçka kishte ndodhur, ku duhej të gjendeshin fajtorët. Dhe fajtorët për këto që kishin ndodhur nuk duhej të ishim vetëm ne, rezervistët.

KËRCËNIMI I MEHMET SHEHUT

E enjte, 8 shkurt 1979. Hetimi vazhdon! Përsëri në fushën e Vaqarit u dukën të dërguarit e Komitetit Qendror. Përsëri vazhduan pyetjet që lidheshin me gjithçka që jam munduar të paraqes në faqet e këtij ditari të shkruar pas 34 vjetësh… Por tani gjendja ishte bërë tragjike. Mësuam se gjatë kthimit ishte gjendur i ngrirë vdekur një rezervist, punonjës i TVSH-së. Nuk dihej ku ishte dhe një rezervist tjetër i kompanisë sonë, të cilin për herë të fundit e kisha parë pas marshimit në afërsi të Librazhdit. Ishte, të mos gaboj, punëtor në Ndërmarrjen “Misto Mame”. Nuk ishte kthyer në shtëpi dhe nuk dihej se ku ishte. Më pas mora vesh se edhe vëllai i atij djaloshit që më kishte takuar të hënën pasi kisha dorëzuar pushkën, mungonte. (Më pas do të merrnim vesh se kishte vdekur).

Pra, katër të vdekur! Për numrin e të plagosurve nuk dinim asgjë saktësisht, ndonëse kishim parë disa të dëmtuar, madje edhe me fraktura. Nuk po përmend të sfiliturit fizikisht se në këtë gjendje ishim thuajse të tërë. Por nuk mjaftoi kjo. Oficerët, të cilët nuk di sepse po silleshin ashpërsisht me ne, na njoftuan se me urdhrin e shokut Mehmet Shehu, marshimi do të përsëritej brenda disa ditësh, për të vënë në vend nderin e Brigadës së Parë që ne e kishim nëpërkëmbur… Nuk mund të harroj kurrë një oficer fytyrëvrazhdë që nuk dinte tjetër veçse t’u fliste egërsisht rezervistëve, midis të cilëve kishte intelektualë-inxhinierë, gazetarë, mësues… Mbaj mend se kështu i foli Agim Qiriaqit, atëherë regjisor në TVSH, kur ai ishte bërë aktor, figurë e njohur në publik. Kur me shumë ndrojtje zura t’i shpjegoj se duhej bërë diçka për të sëmurët, midis të cilëve ishte dhe im vëlla, që kishte pasur sekëlldi gjatë marshimit, ai u ngrys në fytyrë e pa mbaruar fjalët e para, ma preu se atij nuk i interesonte fare kjo. Jo vetëm kaq, por shtoi se midis atyre që ishin të sëmurë kishte edhe nga ata që ai i quajti simulantë dhe jo simulantë, pra, nga ata që shtireshin si të tillë… U kapërtheva nga një ndjenjë mërie për këtë oficer kokëshkretë dhe shpirt kazmë, por, çfarë të bëja! Na kishte të tërëve në dorë.

Aty nga mbrëmja, kur më së fundi po bëheshim gati të largoheshim, u dha lajmi se kryeministri do të vinte të takohej me ne të nesërmen  paradite. Doemos për pasojat e marshimit. Kjo fjalë qarkullonte ato dy ditë, por tani ishte e saktë. Na shtohej edhe një ditë më shumë pas asaj të mallkuar stërvitjeje. Dita e fundit! Dhe sa e rëndë do të ishte!

BALLAFAQIMI ME MEHMET SHEHUN

E premte, 9 shkurt 1979. Pasi pritëm rreth dy orë, si gjithnjë në fushën para pikës së hapjes në Vaqar, ku kishim qëndruar për dy ditë nga ora 07:00 e mëngjesit deri rreth orës 17:00 pasdite, të premten në mëngjes, si u rreshtuam në formacion parakalimi, u nisëm drejt fushës së futbollit pranë Fabrikës së Qelqit, ku Mehmet Shehu do të takohej me ne. Pritëm aty rreth dy orë më këmbë, të cfilitur e mërzitur. Shumë nga ne deshën të uleshin përdhe, por ishte e pamundur, sepse, nga shirat që kishin rënë ditë më parë, toka ishte bërë llucë e baltë. Dhe ja, oficerët, që nuhatën që së largu makinën e Mehmet Shehut, na urdhëruan të qëndronim gatitu të rreshtuar në fushën e futbollit. Kryeministri u ngjit në tribunën e vogël, në dy anët e së cilës rrinin të tërë sekretarët e organizatave të partisë së qendrave të punës dhe prodhimit ku punonin rezervistët, midis të cilëve, Xhelil Gjoni, sekretar i Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës, si dhe të tërë komandantët e reparteve këmbësore të Shqipërisë… Ishte dhe Ministri i Mbrojtjes. Kryeministri Mehmet Shehu e partiakët që e shoqëronin ishin trupi gjykues, ndërsa të akuzuarit ishim ne, rreth 1500 njerëz, nga mosha 21 deri 45 vjeç… Kryeministri kishte një veshje hibride: gjysmë civile e gjysmushtarake, kapotë të hirtë oficerësh madhorë, kasketë të murrme sportive, shall leshi të hirtë, që i mbështillte qafën duke lënë të dukej një këmishë të bardhë e kravatë të kuqe. Nga që isha në rreshtat e mesëm të rezervistëve të kompanisë së tretë të batalionit tonë, jo më shumë se 10-15 m larg tribunës, isha në gjendje të shquaja qartë tiparet e kreshpëruara të fytyrës së tij gjatoshe, hundën disi me majë e mbi të gjitha, vështrimin e përshkënditur përmes qelqeve të syzeve.

PËRBUZJA E MEHMET SHEHUT NDAJ NESH

Pasi na mbështolli me një vështrim plot mllef, kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes heshti një grimë e pastaj shqiptoi:

-Heshtje varri! Po përse nuk flisni, mor bythë pambukë të Tiranës! Këto fjalë shprehu në vend të përshëndetjes tradicionale shqiptare: ”Si jeni, djema!”, e pastaj të shtonte me dhembshuri: ”Po, ç’ndodhi me ju, more shokë? U lodhët, u rraskapitët, u stërmunduat, po për gabimet tuaja, doemos edhe tonat, marshimi nuk ia arriti qëllimit. Jo vetëm kaq, por patët edhe viktima, patët edhe të vdekur!”. Ata që ishin ndarë përgjithmonë nga ne, kryeministri, figura e dytë pas Enver Hoxhës, as i zuri në gojë, sikur të kishin ngordhur jo më kuaj, por qen…

-Mos gaboni t’u thoni nënave, motrave, grave për ato që keni bërë gjatë marshimit, se do t’ju mohojnë, se ju keni shkelur gjakun e partizanëve të Brigadës së Parë, gjakun e atyre që dhanë jetën për liri, kurse ju u gjunjëzuat me turp para një marshimi! -vazhdoi Mehmet Shehu.

Pasi heshti përsëri, ai vazhdoi me zë ngërçi: “-Pashë shumë prej jush tek ktheheshit në rrugën që të shpie nga Kinostudio për në Tiranë… Më keq se bashibozhukët, banditët, dezertorët.” U thashë: ”Të rinj jeni, mor pëllumba, por as me mua, që jam babai juaj, nuk mateni!”

Dhe vërtet, ai si ishte njoftuar si po ktheheshin rezervistët nga Fushë Studna në Bizë e që andej drejt Qafmollës në Tiranë, u kishte zënë pritë një pjese që kishte ndjekur itinerarin e rregullt diku pranë Repartit të Tankeve, nga ku unë kisha zbritur nga “Diagaçi” e pastaj kisha marrë autobusin për t’u kthyer në shtëpi. Mehmet Shehu foli gjatë. Më vjen keq që pas 30 vjetësh nuk jam në gjendje të riprodhoj saktësisht ligjëratën e tij që nuk ishte gjë tjetër veçse një anatemë plot sharje e fyerje poshtëruese me të cilat ky goxha kryeministër na drejtohej, por që në fund të fundit bënte pjesë në zhargonin e tij banal. Nga Lufta e Spanjës, ku ngriti lart heroizmin e luftëtarëve shqiptarë si Asim Vokshi, midis të cilëve ai kishte luftuar, kaloi, ta pret mendja, te betejat heroike të Brigadës së Parë Sulmuese, tek marshimi i partizanëve të saj për të shpëtuar Shtabin e Përgjithshëm të U.N.Çl., që ishte në zonën e Martaneshit, (shkurt-mars 1944), ku kishim qenë edhe ne, marshim që pas vrasjes, a vetëvrasjes së tij, do të quhej veprim armiqësor që ai kishte vonuar enkas dhe për më tepër, i kishte futur partizanët në shtigje të rrezikshme ku kishin humbur jetën shumë prej tyre. Përmendi heroizmin e partizanëve të tillë si Gjokë Doci, Myslym Shyri, Xheladin Beqiri, e veçanërisht Inajete Dumi e të tjerë, të rënë gjatë Luftës. Madje, duke vënë në dukje heroizmat e Inajetes, ai tha se: ”…të ishte gjallë ajo do të pështirosej nga bëmat tuaja frikashe”.(Vijon nesër)

 

Shpartallimi në marshim, Mehmet Shehu ‘rrufe’ mbi 1500 rezervistët

Pa arritur mirë në shtëpitë e tyre, ashtu në mënyrë të çorganizuar, 1500 rezervistëve të Brigadës së Parë, pjesëmarrës në marshimin Tiranë-Fushë Studën(Dibër) dhe kthim, u vjen Fletë-Thirrja me siglën ‘Urgjent’ në shtëpi që të paraqiten në pikën e hapjes, në zonën e Kombinatit Tekstil në Tiranë. Marshimi i dështuar(me 4 viktima e dhjetëra të plagosur), ishte një ngjarje e rëndë dhe e pa precedentë që ‘njolloste’ ushtrinë. Mehmet Shehu i cili kishte urdhëruar këtë mobilizim të ri, ka shkuar më 8 shkurt të vitit 1979 në pikën e hapjes për të ndëshkuar rezervistët rebelë që e prisnin në ankth e të rreshtuar në bazë nënrepartesh e repartesh. Sharje, fyerje dhe kërcënim me burg… “Ju keni turpëruar emrin e Brigadës së Parë, ‘Heroinë e Popullit’. Ju jeni bythë pambukë të Tiranës, jeni rrugaçë. Do të përgjigjeni para ligjit për këtë turp e këtë neglizhencë. Ndërsa marshimin do e përsërisni…” -kërcënon Shehu. Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Pjesë nga ditari i Skifter Këlliçit për shkatërrimin e Brigadës së Parë në marshimin Tiranë-Dibër. Urdhri dhe takimi i 1500 rezervistëve me Mehmet Shehun.

-Urdhri-kërcënim i Mehmet Shehut: Do të përsëritni marshimin brenda muajit mars 1979. Shkaktarët do të dalin në gjyq!

-Raporti i të deleguarve të Komitetit Qendror për Enver Hoxhën dhe anulimi nga Enveri i urdhrit të Mehmet Shehut për përsëritjen e marshimit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *