Kukësi i jep një sinjal kampionatit dhe largon përkohësisht krizën, duke mos humbur terren në luftën për titullin kampion pasi u imponua 4-0 ndaj Flamurtarit në “Zeqir Ymeri”. Djemtë e Artim Shaqirit fitojnë kështu oksigjen pas një jave plot polemika ku u drodh edhe stoli i trajnerit maqedonas, por tashmë rigjen qetësinë që i jep vendi i dytë me vetëm 2 pikë më pak se kampionët e vendit.
Pjesa e parë nuk dhuroi pothuajse asnjë emocion të vërtetë me Kukësin të pafuqishëm për të lexuar lojën e vlonjatëve që preferuan ta presin skuadrën e Shaqirit në gjysmëfushën e tyre. Sinjalin e parë e dha Ylli Hoxha në minutën e 10 me një goditje fluturimthi, ndërsa braziliani Pit u bë protagonist në të 27-ën me një goditje dënimi ku topi u përplas në duart e Likës por Pejic nuk arriti të përfitonte për ta shtyrë topin në rrjetë. Pit rezultoi lojtari më i mirë i Kukësit në pjesën e parë pasi 3 minuta nga fundi bëri gjithçka mirë nga e majta e sulmit, por finalizimi i tij preku shtyllën e djathtë të skuadrës vlonjate, raporton Supersport.
Menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë, Pejic depërtoi në zonë por Denis Duda largoi topin në goditje nga kendi. Ndeshja u zhbllokua pikërisht në këtë moment nga dy ish lojtarë të skuadrës vlonjate. Zeqiri pas një aksioni nga e djathta, harkoi në zonë dhe Dushku nuk e pati aspak të vështirë për të kaluar skuadrën vendase në avantazh. Kaq mjaftoi që Kukësi të luante më i shpenguar në kërkim të golit të dytë që erdhi në minutën e 52-të.
Krosimi i Pit gjeti kokën e Pejic që këtë herë nuk fali duke çelur zyrtarisht festivalin e golave. Në të 70-ën, Super Pero Pejiç shënoi një gol që lë një shije të embël për bomberin kroat që regjistroi rrjetën e 21 sezonale që e konfirmon njeriun e momentit në skuadrën e Shaqirit. Pokeri u siglua 6 minuta më vonë me Vilfor Hysën që kaloi mbi kokën e Likës një top të ardhur nga thellësia e mesfushës. Festë në kampin kuksian me një gjest domethënës nga sulmuesi që zgjodhi përqafimin me zv/trajnerin Gvozdenovic dhe jo me trajneri Shaqiri.
Minutat në vijim, Kukësi kontrolloi ndeshjen duke u vendosur përkohësisht kapak zërave për një krizë në kampin verior. Nënkampionët rigjejnë ritmin në kampinat duke siguruar qetësinë e nevojshme përpara një tjetër sfide të lehtë në letër. Javën e ardhshme “Zeqir Ymerin” do ta vizitojë Vllaznia, ndërsa në datën 4 Prill ekipi verior udhëton në transfertën e Elbasanit.
