FMN: Kujdes me kreditë me probleme, reforma në energji pozitive

redaktor

Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Shqipërinë, Nadeem Ilahi ka dhënë dje rekomandimet e radhës për përmirësim fiskal që i duhen vendit tonë. Rishikimi i programit të mbështetjes së këtij organizmi mblodhi në një tryezë në Tiranë përfaqësuesin e këtij Fondi në Shqipëri, ministrin e Financave, atë të Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Energjetikës si dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Në daljen e tyre publike, shefi i FMN-së u shpreh se “gjatë shqyrtimit të katërt të programit mes nesh, kemi arritur një marrëveshje me politikat e të ardhmes, si dhe për planin e realizimit të rritjes ekonomike. Mendojmë se 3 % është target i arritshëm, por reformat janë të rëndësishme”. Sipas tij mbetet i rëndësishëm konsolidimi fiskal i qeverisë, kreditë me probleme si dhe vlerësoi reformën e ndërmarrë në sektorin energjetik. “Sektori bankar duhet të ketë rimëkëmbje, në përmirësimin e kreditimit. Në vitin 2015 do kemi një rritje të moderuar. Sigurisht, ne jemi në dijeni të riskut për përmbytjet dhe për uljen e çmimit botëror të naftës dhe frenimit të këtij sektori”, deklaroi Ilahi, duke shtuar se në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që të theksojmë se presionet ulëse mbi inflacionin jashtë Shqipërisë nga eurozona, ndikon në inflacionin në ulje dhe në vendin tonë. “Ne realizuam edhe një analizë të ecurisë fiskale në fund të vitit 2014”, cilësoi ai duke shtuar se “angazhimi është për arritjen e objektivave, deficit fiskal më të ulët dhe kufizim të shpenzimeve”.

Cani: Nuk kemi rritje borxhi, parashikimi i rritjes vijon të jetë 3 %

“Zhvillimet ekonomike dhe parashikimet për të ardhmen janë si më parë, rritja me rreth 3 % dhe po kështu do të vijojë rritja në vitet në vazhdim”. Kështu është shprehur ministri i Financave shqiptare, Shkëlqim Cani, i pranishëm në panelin diskutues rreth takimeve me FMN-në këtë javë. Cani deklaroi se financat publike po ecin në rrugën e duhur, duke shkuar drejt përmirësimit. “Gjykojmë se financat publike në vitin 2015 do të jenë sërish në të njëjtën rritje, por disa risqe të jashtme janë forcuar, si situata ekonomike në Greqi, Itali, apo në vendet e tjetar të eurozonës. Janë shtuar edhe risqe që lidhen me kursin e këmbimit, apo luhatjet e naftës”, deklaroi numri një i financave tonë, duke shtuar se këto risqe janë marrë në konsideratë edhe janë nën kontroll. Po kështu sipas tij janë një sërë reformash në politikat fiskale të ndjekura apo në energjetikë që e mbajnë nën kontroll nivelin e të ardhurave financiare për buxhetin e shtetit. Duke u ndalur tek kreditimi dhe sidomos tek kreditë me probleme që vijojnë të jenë një ngërç për ekonominë tonë, Cani theksoi se në të ardhmen do të ketë një grup ndërministerial në hartimin e një plani dhe zbatimin e tij për mënyrën se si do të trajtohen këto kredi. Sa i përket pagesave të detyrimeve të prapambetura për biznesin, e që në të vërtetë mbetet dhe arsyeja kryesore e rikthimit të FMN-së në vendin tonë, duke na dhënë dhe borxh me interesa të ulëta, Ministri i Financave bëri një rezyme të shkurtër se si është operuar deri më tani. “Ka auditime për këto, po ecin në mënyrë të kënaqshme. Deri tani, borxhet e shlyera janë 50.3 mld lekë detyrime deri tani nga viti 2013. Por kemi edhe shlyerjen e detyrimeve sipas gjyqeve të fituara në Gjykatën e Strasburgut”, cilësoi shefi i financave.

Ahmetaj: Iniciativa për tërheqjen e investitorëve

“Stabiliteti makro-fiskal, si përpjekje e qeverisë, na ka dhënë mundësinë të mendojmë fuqishëm për reforma strukturore. Kanë filluar të japin efektet e veta pozitive në ekonomi. Rritja ekonomike do të arrijë rreth 3 % ku motori kryesor do të jetë thellimi i reformave strukturore”. Kjo ishte deklarata e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, duke i mëshuar më së shumti nevojës për thithje të investimeve të huaja. “Duhet të sjellim investime të huaja direkte, duhet pranuar se e gjithë përpjekja në stabilitetin fiskal, ka një rezultat të mirë”, u shpreh ai, ku lehtësimi i procedurave mbetet synim i qeverisë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *