Shkolla, si instrument i diktaturës klasore, në këtë rast i borgjezisë, e ka veçuar me kohë atë që ka sajuar për vegjëlinë, duke iu holluar gjithnjë e më shumë shkencën me ujë. Së fundi jeta ka hedhur në treg dhe një “zanat” tjetër, atë që kultivon dhe krijon analfabetë funksionalë, nxënës në klasat e larta që nuk mësojnë kurrgjë. Pse? Sepse vetë shteti (me mekanizmat e tij), nxit e stimulon zhurmën në klasë, e cila vret të menduarit. Si e bën? Duke demaskuar, pa arsye, nëpër media mësuesit, gjë që ua ul atyre autoritetin përpara fëmijëve dhe prindërve të tyre.
Të gjithë kumrijat këndojnë këngën e qyqes dhe… “dëng” kokës mësuesit. I ulin atij krenarinë dhe përkushtimin, e vënë nën trysni dhe dhunë verbale. Qeveria nuk më duket se e ka seriozisht, kur thotë se do të bëjë reformë në arsim, sepse nuk thonë “çelësin” që do ta rregullojë këtë punë. Ato që thonë për paaftësinë e mësuesve dhe lidhjet me prindërit janë mufka.
Ne vëmë re se nga vjet deri sivjet cilësia e arsimit ka rënë. Urdhrat dhe udhëzimet që jepen e përdredhin punën e shkollës. Kjo nuk na habit, e presim. Kemi 25 vjet që e shohim degradimin e arsimit dhe siç e thamë më lartë, e ka një arsye të patundur. Ajo që na e lëvizi të menduarit qe artikulli i drejtorit “Estetika e mësimdhënies”.
Ne e vlerësojmë mundin dhe përpjekjen e drejtorit për të na dhënë diçka të bukur. Por… Jo të zbatueshme! Sepse ajo është tmerrësisht larg me realitetin. Ai e di mjaft mirë se ora e mësimit është tërësisht e përcaktuar. Aty s’ka tolerancë, veç saktësi dhe seriozitet. Mësuesi nuk është një qenie engjëllore, po didaktive. Për punën që bën, ia vlen ta respektosh. Mësuesi është një krijesë me shpirt që derdh energji për të thënë tek të tjerët diçka që dihet, por ata që ka përpara ende s’e dinë. Në këtë komunikim ai duhet të jetë i prerë, i saktë, i drejtë, korrekt, i qartë, të dijë t’u japë e ta kontrollojë atë që ka përcaktuar ligji, në këtë rast programi.
Drejtor! Pas gjithë asaj bukurie, bën mirë të na e thuash me një fjalë të vetme, cili është difekti i arsimit sot? Që 80% e nxënësve që mbarojnë shkollën e mesme janë tapa, ose ndryshe, analfabetë funksionalë. Mandej të mendojmë për estetikën e mësimdhënies.
Letër e nënshkruar
Xhevit Shtylla, prind
