Rezoluta mbi Progres-Raportin e Shqipërisë pritet të kalojë muajin tjetër për votim në PE. Siç edhe dihet, draft-rezoluta i nënshtrohet një sërë amendimesh, që kalojnë sërish më vonë në një proces miratim-votimi. Por, elementi që tërheq vëmendjen, teksa shikon 192 ndryshimet e sugjeruara në tekst, është përqasja e eurodeputetëve të ndryshëm, përballë integrimit të Shqipërisë. Si mund të lexohen këto ndryshime dhe çfarë e bashkon ekstremin e djathtë në këtë proces?
Amendimi i një teksti ligjor apo draft-rezolute, në parim të krijon përshtypjen e një aktiviteti rutinë. Por, në thelb ai ngjall interes, pasi nëpërmjet ndryshimeve që sugjerohen të figurojnë në tekst, përcillen edhe interesat dhe synimet specifike të forcave të ndryshme politike. Mënyra se si përzgjidhet renditja e fjalëve, heqja dhe zëvendësimi i tyre me fjalë të përafërta që ndihmojnë në përforcim, në zbehje, apo deri në zhvlerësim tërësor të një situate apo konteksteve të segmentarizuara, tërheq vëmendjen në vëzhgim.
Draft-rezoluta për Shqipërinë, pasqyron një kategorizim të amendimeve në tre platforma: konstruktive, zhvlerësuese dhe ekstremiste. Ndër to, spikasin eurodeputetë të caktuar, të cilët nëpërmjet sugjerimeve, që ofrojnë vetëklasifikohen në një rol konstruktiv, zhvlerësues apo ekstremist, përballë integrimit evropian të Shqipërisë.
Konstruktive
Përmes ndryshimeve, që kërkohet të figurojnë në draft-rezolutë, vëmendje tërheqin reflektimet konstruktive të një sërë eurodeputetësh, ndaj përqasjes integruese të Shqipërisë. Këto ndryshime, kryesisht synojnë vlerësimin mbi punën e bërë nga Shqipëria deri më tani, pikat ku duhet të fokusohet axhenda e integruese e vendit, pa anashkaluar edhe inkurajimin e mëtejshëm mbi rrugën reformuese.
Ndër to spikasin, eurodeputetë të majtë dhe të djathtë, si Monica Macovei (PPE), Eduard Kukan (PPE), Tanja Fajon (S§D), Victor Bostinaru (S§D), dhe Knut Fleckestein (S§D).
Pa përmendur rolin e eurodeputetëve të majtë, po marrim si pika referimi sugjerimet e dy eurodeputetëve të djathtë, Macovei dhe Kukan. Në pesë ndërhyrje për sugjerim eurodeputetja romune e vë theksin tek opozita, duke i kërkuar asaj të kryejë plotësisht funksionet e kontrollit demokratik; tek Parlamenti, duke i kërkuar të sigurojë një proces konsultimi më të institucionalizuar të draft-legjislacioneve; tek reformat në fushën e gjyqësorit, duke përsëritur nevojën për të bërë përpjekje thelbësore për të siguruar pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e gjyqësorit, duke përfshirë edhe ndryshime kushtetuese; mbi korrupsionin, duke theksuar nevojën për një kuadër më të fortë anti-korrupsion, që duhet të përfshijë një sërë institucionesh; mbi përmirësimin dhe efikasitetin e hetimeve si edhe bën thirrje për rritje të numrit të konfiskimeve të aseteve kriminale dhe dënime për pastrim parash dhe për përdorim sistematik të hetimeve financiare.
Ndërsa eurodeputeti i djathtë sllovak Kukan, nëpërmjet 18 ndërhyrjeve fokusohet tek: rëndësia e procesit të aderimit që është shndërruar në forcë drejtuese për reformat në Shqipëri; tek sundimi i ligjit si bërthama e procesit të zgjerimit, nga ku, si rrjedhojë kërkohet progres i vazhdueshëm në pavarësinë e gjyqësorit, luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe një mbështetje e fortë politike për të arritur progresin në këto fusha; ekzistenca e një administrate publike efektive dhe profesionale; mbështetjen e vazhdueshme ndaj integrimit të Shqipërisë; bashkëpunimin qeveri-pozitë në implementimin e reformave kyçe; kërkimi i konsensusit mes shumicës qeverisëse dhe opozitës për kryerjen e reformave kyçe; shqetësim mbi polarizimin e vazhdueshëm politik; në lidhje me administratën publike, fuqizimin e menaxhimit të burimeve njerëzore, sistemin e vlerësimit për nëpunësit e shërbimit civil dhe monitorim të pavarur të zbatimit të legjislacionit mbi nëpunësit e shërbimit civil; forcimin e kapaciteteve administrative të njësive të qeverisjes lokale, etj.
Zhvlerësuese
Por, përtej platformës konstruktive, kemi dhe një platformë zhvlerësuese, që fokusohet tek tendenca e hapur për zhvlerësim të elementëve të rëndësishëm pozitivë, që njeh vendi. Ndërhyrjet në këtë platformë përfaqësohen nga eurodeputetë, që i përkasin politikave të ekstremit të djathtë.
Ndër to më aktivët, duket të jenë eurodeputeti italian i ekstremit të djathtë Lega Nord, Mario Borghezio, dy eurodeputetët e ekstremit të djathtë të Austrisë, FPO-së, Georg Mayer dhe Harald Vilimsky, eurodeputeti i “Agimit të Artë” Georgios Epitideios, eurodeputeti britanik i UKIP, James Carver dhe sigurisht deputetët e Frontit Nacional francez, Aymeric Chauprade, Nicolas Bay, me në krye Marine Le Pen.
Roli në rajon
Roli konstruktiv i Shqipërisë në rajon dhe cilësimi si ekzemplar i njehsimit të politikës së Jashtme të saj, me atë të BE-së, është një nga pikat e papërtypshme për eurodeputetët ekstremistë.

Mario Borghezio, i Ligës së Veriut, sugjeron fshirjen tërësore të paragrafit (amend.22). Kundër rolit të specifikuar si ekzemplar për Shqipërinë, shprehen edhe dy eurodeputetët austriakë, që e reduktojnë atë vetëm në një rol “konstruktiv” (amend.23). Kundra këtij specifikimi është edhe eurodeputeti grek i “Agimit të Artë”, i cili ndër të tjera sugjeron të futet paragrafi, se marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët janë ende të pazgjidhura sidomos me Greqinë, kryesisht nëpërmjet thirrjeve të fundit për ekspansionizëm territorial (amend.24).
Po në kuadrin e mësipërm, mbi rolin konstruktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal në fuqizimin e stabilitetit rajonal; vullnetin e politikës shqiptare për të përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë; mbi mbështetjen e sanksioneve kundër Rusisë si edhe rolin e vendit në operacionet civile të menaxhimit të krizave në CSDP, eurodeputetët e mësipërm shprehen kundër.
Borghezio kërkon fshirjen e gjithë paragrafit, që përmend konsiderimet pozitive të mësipërme, Epitideios i “Agimit të Artë”, kërkon fshirjen e një pjese të konsiderueshme prej tyre si edhe futjen e kërkesave ekspansioniste territoriale të Shqipërisë ndaj Greqisë. Edhe Marine Le Pen, së bashku me dy eurodeputetët e saj të FN-së, kërkon fshirjen e gjithë paragrafit. Fshirje të pjesëve të rëndësishme, kërkohen edhe nga austriakët e ekstremit të djathtë, si edhe nga James Carver, i UKIP-it britanik.
Toleranca Fetare
Vlerat e harmonisë dhe klimës së tolerancës fetare për Shqipërinë, janë gjithashtu të papranueshme në logjikën e këtyre eurodeputetëve.
Borghezio kërkon fshirjen e gjithë paragrafit që thekson vlerat e kësaj harmonie (amend. 138). Edhe dy eurodeputetët austriakë kërkojnë reduktimin e këtij konstatimi pozitiv, duke kërkuar heqjen e termit “përgëzoj” për ta zëvendësuar me termin “vëren apo konstaton” (amend. 139)
I njëjti këndvështrim, me tendenca zhvlerësuese mbahet edhe mbi pjesë të ndryshme të draft-rezolutës mbi Shqipërinë, ku theksohen elementë pozitivë të saj, si në luftën ndaj krimit të organizuar, trafikut të qenieve njerëzore, apo ndaj përmirësimit të ndjeshëm të klimës së biznesit.
Ekstremiste
Edhe platforma e përqasjes ekstremiste, përfshin të gjithë eurodeputetët e mësipërm ekstremistë, të cilët shprehen thuajse në unison, kundër integrimit të Shqipërisë në BE.
Në sugjerimet e tyre, konstatohet gjerësisht, fshirja e çdo elementi, e çdo fraze, që mund të lidhë Shqipërinë me një anëtarësim të mundshëm në BE; fshirja e çdo mundësie që inkurajon Shqipërinë në çdo lloj forme të shkojë drejt perspektivës evropiane; retushim të çdo termi që lidh reformat e Shqipërisë me BE-në; heqje të paragrafëve, që specifikojnë se plotësimi i prioriteteve kyçe do të çojë vendin në hapjen e negociatave; fshirja e problematikave që nëse zgjidhen çojnë vendin drejt BE-së dhe çdo problemi tjetër, që renditet se mund të komplikojë rrugën integruese e për rrjedhojë duke u evidentuar të çojë sërish vendin drejt BE-së.
Ndër të gjithë eurodeputetët e ekstremit të djathtë, që duket se janë të bashkuar në filozofinë e bllokimit të integrimit evropian të Shqipërisë, spikat italiani Mario Borghezio me 27 ndërhyrje për ndryshim të tekstit aktual. Përtej pikave të mësipërme të përmendura, Borghezio shkon akoma më larg duke kërkuar edhe futjen e një paragrafi të ri në draft-rezolutë, ku bën thirrje për pezullim të çdo negociate, që synon aderimin e Shqipërisë në BE, për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit në vend, krimit të organizuar, mos ruajtjen e të drejtave të minoriteteve, diskriminimet ndaj grave, mungesën e transparencës në lidhje me financimin e medias, papunësinë në rritje, etj.
Axhenda e ekstremit të djathtë, sigurisht që konturohet brenda këtij profili. Ato në tërësi, në platformën e tyre politike janë të pozicionuar edhe vetë kundër BE-së dhe synojnë një shpërbërje të saj. Kjo është edhe arsyeja pse, brenda jetës politike të Parlamentit Evropian, ato janë kryesisht të izoluar në veprimtaritë e tyre. Por, gjithsesi, ato vazhdojnë në synimin e politikave konkrete, brenda hapësirës ligjore që krijon jeta parlamentare. Rreziku më i madh nga veprimtaria ekstremiste vjen nëpërmjet hapësirës kombëtare, që në fuqizim e sipër ka zhvilluar edhe terrenin propagandistik kundër Shqipërisë, e cila identifikohet rëndom në zhargonin e tyre politik si myslimane (në një konotacion negativ), burim imigracioni, papunësie, krimi dhe prostitucioni. Kjo retorikë në rritje, sigurisht që ka efektin e saj në një elektorat evropian, që shprehet në sondazhe mbi politikat e zgjerimit dhe problematikat, që ato perceptojnë si përballë zgjerimit, por edhe ndaj politikave të imigracionit apo të sigurisë. Dhe perceptimi i qytetarëve domosdoshmërish, që në varësi të përqindjes së lartë, do të përkthehet edhe në politika konkrete evropiane. Pra është një fenomen zinxhir, i cili detyrimisht mbart kostot e tij. Po në sferën e brendshme, efekti i retorikave ekstremiste dhe influencës së tyre politike ka demonstruar edhe rrëshqitje në politikat kombëtare si ndaj imigracionit, por edhe në fusha të tjera të sigurisë. Gjithsesi, është tejet e rëndësishme të reflektohet në logjikën se, përmirësimi i brendshëm i kuadrit tërësor kombëtar, do të vlejë jo vetëm në rritjen e standardeve të jetës ekonomike, sociale dhe politike për vetë qytetarët shqiptarë, por do të vlejë edhe në përmirësimin e një imazhi për të cilën Shqipëria, fatkeqësisht, ka vite që vuan./im.ta/
