Autoritetet tuniziane kanë arrestuar 9 persona në lidhje me sulmet e armatosura të së mërkurës në Muzeun e kryeqytetit të vendit, Tuniz, ku mbetën të vdekur 23 vetë, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin turistë të huaj.
Sipas autoriteteve vendase katër prej të ndaluarve dyshohet se kanë lidhje të drejtpërdrejtë me qelizën terroriste që kreu sulmin. Për pasojë Presidenti i vendit, Beji Caid Essebsi, njoftoi mobilizimin e ushtrisë për të rritur sigurinë kombëtare. Ai u zotua se do të luftojë terrorizmin pa “mëshirë”.
“Vendi është në luftë më terroristët. Këto minoritete monstruoze nuk na trembin. Ne do reagojmë ndaj tyre pa mëshirë. Demokracia do të fitojë dhe do të mbijetojë”, tha ai. Ndërsa Kryeministri i Tunizisë, Habib Essid, e vlerësoi gjendjen si, “kritike dhe një moment përcaktues për të ardhmen”. Shumë tunizianë dolën në rrugët e kryeqytetit Tuniz për të protestuar kundër sulmit.
Udhëheqësit botëror dënuan ashpër sulmin dhe shprehën mbështetjen e tyre në përpjekjet e Tunizisë në luftën ndaj terrorizmit. 20 turistët e vrarë në sulmin e një dite më parë janë kryesisht italianë, spanjollë, polakë dhe gjermanë, që po vizitonin muzeun pas një ndalese në Tuniz të anijes turistike me të cilën po udhëtonin, ndërsa dy viktimat e tjera një qytetar vendas dhe një oficer policie.
