Kredia për biznesin ruajti rritjen pozitive edhe në fillim të vitit 2015. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në muajin janar, kredia për biznesin kishte vlerën e 401 miliardë lekëve, në rritje me 2.5% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Biznesi dhe në veçanti koorporatat ngelen lokomotiva e ekonomisë dhe e gjallërimit të ndërmjetësimit financiar në vend.
Kredia për biznesin përbën 72% të gjithë portofolit të kredisë për ekonominë. Ekspertët e sistemit bankar besojnë se përmirësimi i gjendjes së likuiditetit në treg ka qenë përcaktues, ku një rol të dorës së parë po luan shlyerja e detyrimeve të prapambetura të sektorit publik ndaj sipërmarrjes.
Shumica e parametrave makroekonomikë janë në përmirësim dhe kjo reflektohet edhe në marrëdhëniet e biznesit me bankat. Sektorët ku kredia paraqitet në rritje janë edhe ata me ecurinë më pozitive në tremujorët e fundit.
Tregtia, dega më e rëndësishme në kreditim, është në rritje me 3.8% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Dega me rritjen më të lartë është industria nxjerrëse. Ndonëse ky sektor ka një peshë të ulët ndaj totalit të kredisë, portofoli i sektorit në janar të këtij viti rezultoi në rritje me 66% ndaj të njëjtës periudhë të vitit 2014.
Në rritje është kredia edhe për degët e tjera prodhuese të ekonomisë, si industria përpunuese me 4% apo energjetika me 7.4%. Në rënie paraqiten ato degë që vitet e fundit po humbasin dukshëm peshë në strukturën e ekonomisë.
Shembujt më tipikë janë ndërtimi, ku kredia ka rënë 3.2% me bazë vjetore apo hotelet dhe restorantet, ku kredia ka rënë me 7.6% krahasuar me një vit më parë.
