Kreu i Fondit të Sigurimeve, Astrit Beci ka theksuar gjatë analizës një vjeçare të punës së këtij institucioni se që nga dhjetori i vitit të shkuar e deri më tani janë pajisur me kartën e shëndetit rreth 100 mijë shtetas. “Së bashku me mundesinë për dhënien e barnave me rimbursim për periudha deri në 2-mujore, si dhe implementimin e recetës së unifikuar, do të zbusim një plagë të madhe të sistemit, që ka të bëjë me burokracitë në marrjen e shërbimit shëndetësor. Por, duhet theksuar se, një nga rritjet më të rëndësishme të Fondit këtë vit, ishte ofrimi i paketave të disa shërbimeve të nefrologjisë dhe kardiokirurgjisë, sipas kostove të përcaktuara drejt, si në spitalet publike ashtu edhe në ato jopublike”, deklaroi Beci.
Përfituesit e paketave shëndetësore
- Rreth 900 pacientë kryejnë dializën në 4 spitale publike dhe në 3 spitale private.
- Janë kryer rreth 350 ndërhyrje të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, me financim 100 për qind nga shteti.
- Janë kryer 12 transplante të veshkave në spitalet private, për pacientët që ishin në gjendjen më të rëndë shëndetësore, po ashtu me financim të plotë nga shteti
Përfitimet nga Karta e Shëndetit
- Lehtëson ngarkesën burokratike në punën e mjekut dhe farmacistit, të cilët nuk do të plotësojnë më faqet e librezës për çdo recetë të lëshuar.
- Me kartën e shëndetit, çdo mjek familje kursen rreth 8 orë të plota pune në muaj (ose 25-30 për qind të kohës), çdo farmacist që jep barnat me rimbursim kursen po ashtu 8 orë të plota në muaj.
- Bën të panevojshme paraqitjen e pacientit pranë degëve të Fondit për të rinovuar librezën sa herë ajo konsumohet.
- Lejon informimin nga sistemi elektronik të mjekut të familjes për statusin e personit përfitues.
- Realizon lidhjen e ID kombëtare me personin përfitues, duke ofruar mundësi për shkëmbim të të dhënave me institucione të tjera në sistem
