Miti i reformës në drejtësi dhe (de)kriminalizimi i Kuvendit

redaktor

Kur njeriu përsoset ai është më i miri i të gjitha kafshëve; por nëse ai ndahet nga ligji dhe drejtësia, ai është më i keqi.—Aristoteli

 

Në kuadër të reformave që imponon globalizmi neoliberal dhe BE/Eurozona, qeveria Rama, krahas reformave të tjera, po propagandon edhe “reformën” në drejtësi, në emër të integrimin në BE. Por, as traktati i Maastricht-it as Kriteri i Kopenhagenit nuk e vendos reformën gjyqësore si parakusht për integrim në BE, por, meqënse gjykatësit e gjyqësorit të shteteve anëtare hamendësohet se do të bashkëpunojnë me Gjykatën e BE-së në Luksmburg dhe do të zbatojnë ligjin e BE-së në raste të veçantë, kryesisht për të drejtat e njeriut, nuk do të ishte e çuditshme që BE-ja të përkujdesësh nga afër për reformat në gjyqësor për shtetet kandidate.

Për të njëjtën arsye, reforma në fjalë lidhet kryesisht me “refomimin” e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Konferencës Gjyqësore Kombëtare, Këshillit të Prokurorisë, Shkollës së Magjistraturës dhe Edukimit Juridik Universitar, si dhe në reformimin e organizimit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. Ajo, në pak fjalë, synon teorikisht “reformimin” e gjithë hallkave administrative, institucionale dhe të arsimit të lartë.

Në thelb, synohet zëvendësimi i individëve kryesorë të këtyre institucioneve, rritja e përgjegjësisë dhe zvogëlimi i korrupsionit. Dhe kjo në kohën kur sipas “Global Corruption Barometer: 2007”, Shqipëria klasifikohet në një ndër vendet më të korruptuara në drejtësi: rreth 60% e qytetarëve besojnë se ky institucion është i korruptuar, një përqindje, që në vitin 2014, rritet në thuajse 70%. Vendin e parë e mban Portugalia (rreth 90%) dhe të fundit Danimarka (rreth 10%). Ndërsa BE/Eurozona qendron në mesataren e 49%.

Duhet sqaruar këtu se standarti që përdorin institucionet ndërkombëtare për korrupsion është problematik, sepse ai konsideron vetëm korrupsionin e institucioneve të një vendi në lidhje me qytetarët e të njëjtit vend. Sepse korrupsioni më madh, siç tregon Monbiot në një analizë, ushtrohet nga korporatat dhe bankat mbikombëtare mbi politikanët profesionistë e vendeve të nënshtruara ekonomikisht.

Duhet theksuar, gjithashtu, se në institucionet kryesore të drejtësisë në Shqipëri është zbatuar “politika e lustracionit” nga qeveritë e dy dekadave të fundit. D.m.th. individët e zgjedhur në krye të këtyre institucioneve janë individë që janë (për)zgjedhur nga qeveritë e kaluara me qëllim që t’i shërbenin qeverive sesa drejtësisë. Shembull tipik këtu është Ristani.

Sidoqoftë, problemi në institucionet e drejtësisë nuk është Ristani e të tjerë si ai, por është, edhe një herë, përqendrimi i pushtetit në pak individë, të cilët nuk dinë t’a shpërqendrojnë atë, që bën të mundur krijimin e institucioneve problematike. Dhe përqendrimi i pushtetit është pasojë e kuadrit modern institucional, respektivisht, “demokracisë” përfaqësuese dhe tregut të maketingut dhe botëkuptimit modern. Sigurisht, lidhur me këtë çështje, opozita mbron idenë se “reforma” nuk duhet të bëhet nga qeveria, por nga vetë gjyqtarët dhe prokurorët. Me këtë, ajo mundohet të godasë me një gur dy zogj: edhe të ruajë në krye të institucioneve të drejtësisë ata që ajo ka emëruar kaq vite edhe të duket se respekton pavarësinë e institucioneve. Për më shumë, opozita, duke ruajtur njerëzit që ajo ka emëruar siguron mos-ndëshkimin e saj për krimet ekonomike dhe njerëzore që ka shkaktuar kaq vite.

Por, cilidoqoftë synim i saj, pavarsisht se ai duket qartë, qeveria aktuale duket e vendosur se do të “reformojë” institucionin e drejtësisë duke propaganduar paralelisht “pavarësinë” e tre institucioneve kryesore: legjislativit, gjykatave dhe ekzekutivit. Por sa të drejtë ka qeveria aktuale kur propagandon “pavarësinë” e këtyre institucioneve dhe sa mundësi kanë këto institucione të jenë të pavarur nga njeri-tjetri? Dhe sa mundësi ka ky kuadër institucional të mos korruptohet kur përbri tij zhvillohet një pushtet tjetër: pushteti ekonomik? Dhe, sa mundësi ka zëri i qytetarit të zakonshëm —pa lidhje farefisnore me individët që administrojnë këto institucione— të dëgjohet, merret në konsideratë dhe të mbrohet?

Për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve le të shikojmë si fillim se në cilën gjendje është drejtësia për aleaten tonë të dashur, SHBA. Siç citon një dekan dhe autor i Universitetit të Kalifornias:

Në vitet e fundit gjykata e ka bërë shumë të vështirë, dhe zakonisht të pamundur, për të burgosur policë dhe qeveritë që i punëson ata, përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut. Kjo sjellje minon aftësinë e përfrikësimit sjelljen e paligjshme të policëve dhe i lë viktimat pa kompensim. Kur policia vret ose plagos njerëz të pafajshëm, viktimat rrallë i drejtohen ligjit…ligji më i fundit i gjykatës që pajambajti policinë ishte Plumhoff vs. Rickard, i cili shpalli se qoftë edhe sjellja më e rëndë e policisë nuk është “forcë e tepërt” dhe shkelje e Kushtetutës…Sepse është kaq e vështirë për të paditur entitete qeveritare, saqë pjesa më e madhe e viktimave padisin vetëm policët e përfshirë në të. Por këtu, gjithashtu, Gjykata e Lartë ka krijuar pengesa të pakapërcyeshme.

Gjykata shpalli se të gjithë zyrtarët e qeverisë që janë paditur për dëmtime monetare mund të përdorin “imunitetin” si mjet mbrojtje. Policët dhe personeli i gjykatave që shkelin betimin kanë imunitet absolut dhe nuk mund të paditen për pará, qoftë edhe nëse burgoset një person i pafajshëm…Kur atje s’ka imunitet absolut, policët ende mbrohen nga “imuniteti i kualifikuar” kur paditen për dëmtime monetare’.

Kjo situatë, në të vërtetë, filloi të degjenerojë me miratimin e “ligjit të patriotit” pas rrënimit të dy kullave në Nju Jork në vitin 2001 dhe shpalljes së luftës kundër terrorizimit nga administrata Bush. Nuk do të ishte e çuditshme që policët amerikanë të gjuajnë mbi persona të dyshimtë dhe protestues sipas dëshirës, dhe sjellja kafshërore e policëve amerikan kundrejt njerëzve të pambrojtur.

Brutaliteti i tetë policëve amerikan në Miçigan të SHBA-së, në vitin 2012, kundrejt një endacaku me të meta mendore dhe zezak, është ilustrativ: ata, pasi e kërcënuan për të hedhur poshtë sojaken që mbante në dorë, të cilën ai nuk e hodhi, e qëlluan me 46 fishek, 14 prejt tyre në trup, dhe më pas mundoheshin t’i vendosnin pranga në duart e tij të vdekura, ndërsa një polic e gjuante pas shpine me shkelma, përpara një supermarketi dhe shumë dëshmitarëve! Në këtë rast, jo vetëm që shkelet principi i policisë, d.m.th. përdorimi i të njëjtës forcë mbi çdo person, por, policët në grup, gjuajtën mbi një njeri që bartte rrezikshmëri të vogël.

Roli i Komisionit Europian, në anën tjetër, përshkruhet mjaft mirë nga një ish këshilltar dhe personel i çështjeve Europiane në Bruksel, Andrien Mexis, dhe lektor i të drejtës Europiane në “Science Po” në Paris, kur thotë se: “unë shpenzova gjashtë vjet në Bruksel, ku ne hamendësoheshim të mbronim interesat e popullit Europian. Por në vend të kësaj, ne mbrojtëm interesat e lobeve, grupeve të mëdha industriale dhe shumëkombsheve. Ne mbrojtëm integrim më te thellë dhe federalizëm më të gjerë — një Europë të njëjtësuar homogjene, dhe pa identitete!”

Por, ndërsa situata e përgjithshme në administratën e gjyqësorit në Amerikë në lidhje me qeverinë aktuale, policët dhe qytetarët, është përkeqësuar, elita politiko-ekonomike e Amerikës minoi edhe zgjedhjet: ajo, përmes Gjykatës së Lartë dhe sloganit të “Qytetarëve të Bashkuar”, u kujdes të çlironte veten nga shtrëngimet kushtetuese d.m.th. nga kufizimi i donatorëve për të sponsorizuar fushatën politike të Obamës dhe të çdo presidenti që do të trashëgojë Obamën.

Si pasojë, në vitin 2008 shpenzimet në zgjedhjet presidenciale thuajse u dyfishuan krahasuar me vitin 2004, ndërsa në vitin 2012 ato thuajse u katërfishuan krahasuar me vitin 2008. Më parë, sponsorët përballeshin me një kufizim prej 123, 200 dollarësh për çdo kandidat ose parti në një cikël dy vjeçar zgjedhor. Ata kufizoheshin gjithashtu se sa mund të jepte një person për çdo kandidat. Kufizimi i sponsorizimeve për një kandidat ende vazhdon të jetë në fuqi. Por tani dikush mund të japë te sa kandidatë dëshiron dhe më shumë se 3.6 milion në një cikël zgjedhor.

Si pasojë, sponsorët mund të blejnë të gjithë Kongresin nëse ata dëshirojnë. Në një sistem ku parája konsiderohet zë, dhe korporatat janë njerëz, kjo situatë bëhet e pashmangshme. Zgjedhjet bëhen jo një sistem i angazhimit pjesëmarrës duke përcaktuar se si vendi do të administrohet, por sharada më e mirë demokratike ku parája mund të blejë çdo njeri. Njerëzit votojnë; por menjëherë sa parátë të kenë venduar se cilin mund të votojnë dhe cila duhet të jetë axhenda. Rezultati është një plutokraci që operon sipas ligjit të arit: se ata që kanë arin bëjnë ligjin. Si pasojë, përgjithësisht 30% e posteve diplomatike në administratën e Obamës kanë shkuar te miqtë dhe donatorët e tij — duke u kushtuar qytetarëve amerikanë miliona dollarë.

Në të vërtetë ndryshimet kushtetuese i imponojnë oligarkitë ekonomike, të cilat, bashkëjetojnë me oligarkitë politike. Ndryshimi midis këtyre dy oligarkive është se e para, zakonisht është e përhershme, ndërsa e dyta, e përkohshme. Për shembull, dinastitë Rockefeller/Rothschild janë më shumë se dy shekullore dhe për pasojë, dinastike. Ndërsa politikanët profesionistë janë të përkohshëm. Kjo është arsyeja se përse themi se në Amerikë, dhe përgjithësisht në vendet perëndimore, pushteti ekonomik është më i fuqishëm se pushteti politik.

Ndryshe nga Amerika, në Shqipëri ky raport është në mpiksje e sipër: sepse, megjithëse oligarkët ekonomik janë krijuar, është oligarkia politike ajo që dominon. Dhe kjo, jo sepse ajo nuk sponsorizohet nga oligarkia ekonomike, apo sepse oligarkia politike nuk është e pasur, përkundrazi, por sepse ajo vazhdon të përdor “kartën” e votëbesimit. Nëse përqindja e pjesëmarrësve në votime bie, njëlloj bie edhe pushteti i saj kundrejt oligarkëve (ekonomik) dhe, njëlloj shtohet varësia e elitës politike kundrejt pushtetit ekonomik.

Shkurt, kur qytetarët humbasin besimin te një klasë politike dhe braktisin masivisht votimet, pushteti i elitës politike bije dhe ajo detyrohet të bashkëpunojë më ngushtë me oligarkinë ekonomike me qëllim që të mbijetojë. Në këtë raport, midis oligarkisë politike dhe ekonomike, sigurisht që ndikon edhe ideologjia: sa më e lartë shkalla e përputhjes në politika ekonomike midis oligarkive politike dhe ekonomike aq më i madh do të jetë bashkëpunimi. Elita politike Amerikane, për shembull, gjendet pikërisht në situatën e sapo përmendur d.m.th. ajo gëzon votëbesim të ulët katër dekadat e fundit (mesatarisht rreth 50%) dhe ekzistenca e saj varet nga sponsorizimet e korporatave dhe bankave amerikane, të cilat, tashmë, kanë pushtuar një pjesë të mirë të botës.

Kështu, pushteti politik dhe ekonomik luan rol vendimtar në mbarëvajtjen e drejtësisë. Të dy këta pushtete ndikojnë në vendimet dhe proceset gjyqësore të gjykatave të nji vendi. Edhe nëse në një vend nuk ekziston pushteti ekonomik, siç ai shprehet, me monopole dhe oligopole, legjislativi dhe gjykatat gjithnjë do të ndikohen nga ekzekutivi ose qeveria ose pushteti politik, sepse çdo qeveri, nënkupton një lloj pushteti ndryshe nga dy institucionet e tjera.

Miti tjetër, që kanë injektuar në sistem elitat kapitaliste, është pavarësia e Bankës Qendrore. Ata e bëjnë këtë për dy arsye: jo sepse banka qendrore do të ‘politizohet’ ose do të pajambajë partitë në pushtet, siç propagandojnë çorientueshmërisht elitat kapitaliste, por sepse (1) ajo gjoja ndan politikën partiake nga “shkenca” monetare dhe (2) ajo ka mundësi t’u shërbejë bankave private kur operon e ‘pavarur’.

Kështu, nëse banka kombëtare kontrollohet nga një qeveri (ose nga një popull), ajo ka shumë mundësi të pengohet në lidhjen e ngushtë që krijon sistemi midis saj dhe bankave private. Kjo është arsyeja që elitat kapitaliste propagandojnë pavarësinë e bankës qendrore: me qëllim që ajo t’i shërbejë kryesisht bankave private. Në Amerikë, për shembull, banka e saj qendore, FED, është e ‘pavarur’ sepse edhe kur injekton ose lëngëzon sistemin me pará të reja, ato do të kalojnë përmes bankave private dhe këto, me rradhë, krijojnë hua kryesisht për oligopolet sesa për ndërmarrjet e vogla.

Miti tjetër është miti i “fjalës së lirë”, i cili, në kuadrin aktual, merr një karakter oksimoron, d.m.th. të një zhurme të heshtur. Sigurisht, ‘fjalët e folura janë simbole të përvojës mendore dhe fjalët e shkruara janë simbolet e fjalëve të folura’. —Aristoteli, por përvoja jonë mendore varet nga ata që ushtrojnë pushtetin në emërin tonë — të cilët lëvizin tërësinë shoqërore drejt një orientimi që ata besojnë kryesisht instinktivisht (jo silogjistikisht, d.m.th duke konsideruar sistemin dhe dinamikën e tij dhe efektet ndërsistemike) se do t’u dalë për mbarë. Si pasojë, ne flasim ose përsërisim gjuhën e tyre – pavarsisht se na duket se gëzojmë lirinë e fjalës. Sepse fjala e lirë kushtëzohet nga ata që ushtrojnë pushtetin në emërin tonë. Shkurt, ne përqendrohemi pashmangshmërisht te fjala që përdorin përfaqësuesit tanë, sepse ata zotërojnë fatin e jetës sonë, dhe për pasojë, fjala jonë nuk është e “lirë”: ajo është lidhur me ushtrimin e pushtetit — dhe nëse ushtrimi i pushtetit kufizohet dhe përqendrohet te pak individë, siç përqendrohet, edhe gjuha jonë, është e kufizuar dhe s’është aspak e lirë. Sepse fjala e lirë do të ishte vetëm atëherë kur ne, pa shtrëngime, do të ushtronim pushtetin tonë dhe bashkë me të, do të përdornim mendjen dhe fjalët tona, një proces që mishëron përvojat mendore të gjithë pjesëmarrësve.

Gjithashtu, gjykatat përballen, si gjithë institucionet e tjerë, me dinamikën kryesore të shoqërisë: përfitimin. D.m.th. përfitimi është lëvizësi i parë i çdo individi që administron një institucion dhe institucioni është mjeti i cili mundëson përqendrimin e pushtetit. Shkurt, shumicës së individëve që administrojnë institucionet e drejtësisë (dhe jo vetëm) u mungon njohuria shkencore (d.m.th. se çdo vendim bart shkaqe dhe pasoja) dhe etike (d.m.th. se çdo vendim bart jo vetëm shkaqe dhe pasoja por mund të shkaktojë ose dhimbje ose kënaqësi ose të dyja bashkë).

Ndërkohë, ata përballen me dy dinamika përcaktuese për sjelljen dhe vendimet e tyre: një qeveri pushteti i së cilës është dominant dhe ndikon vendimtarisht në vendimet e gjykatave dhe një shoqëri tejet të pabarabartë ku dominon përfitimi dhe bota materiale e cila siguron kryesisht kënaqësitë mishtore sesa një botë të balancuar midis zhvillimit të vlerave demokratike dhe virtyteve nga të cilat duhet të varet sjellja dhe zhvillimi material i çdo individi. Për të gjitha këto arsye, mund të konkludohet, se reforma në drejtësi, është një mit, përsa kohë që ajo nxitet nga qeveria aktuale: sepse ajo ndryshon vetëm individët e instutucioneve përkatëse por jo dinamikën tërësore të shoqërisë, e cila krijohet nga sistemi. Dhe ajo bëhet më shumë se mit me integrimin tonë në BE.

Sepse, megjithëse BE-ja tund kudo kartën e të “drejtave e njeriut”, të cilat, qoftë edhe Britania po i braktisë, kontrolli nga lartë-poshtë i gjyqësorit, siç tregon edhe përvoja çeke, pengon reformën.

Kështu, meqënse drejtësia shqyrton veprime të së kaluarës, dhe veprimet lidhen kryesisht me urtësinë praktike të njeriut, dhe jo me urtësinë teorike — një urtësi që zotërohet nga njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe nëse ata nuk janë specializuar në drejtësi, çështja nuk shtrohet se nëse ne jemi gati të “reformojmë” gjykatat në kuadrin aktual institucional, ku ajo pashmangshmërisht do të përkeqësohet, meqënse shkaku përfundimtar i korrupsionit në gjykata është përqendrimi i pushtetit, dhe gjendja ekonomike do të përkeqësohet, jo vetëm në nivel vendor por edhe në nivel ndërkombëtar, kryesisht në Perëndim, por se nëse ne jemi gati të zhvillojmë gjykata popullore përmes një kuadri tjetër institucional, ku pushteti (i të gjitha formave) nuk do të përqendrohet por do të shpërqendrohet ose barasndahet dhe do të zhvillohen virtytet, shkenca dhe principet demokratike – me qëllim që gjykatat mos të ndikohen në sjelljet dhe vendimet e tyre?

Nga e njëjta qasje duhet të trajtohet edhe dekriminalizimi i Kuvendit. Së pari, individët e kriminalizuar duhet t’u përmbahen kategorive të krimeve: në krime që burojnë nga papërgjegjësia ose pakujdesia dhe krime që burojnë nga ndërgjegjja/vetëdija e dikujt (mens rea). Por krimet që burojnë nga ‘papërgjegjësia’ nuk janë njëlloj me krimet që burojnë nga pakujdesia: në rastin e parë bëhet fjalë për krime që shkaktohen nga mungesa e dijes, d.m.th. nga shpërnjohja e pasojave lidhur me veprimet e një konteksti të caktuar. Në rastin e dytë bëhet fjalë për krime që shkaktohen nga nxitimi.

Së dyti, Kuvendi aktual, shkakton krime sistemike, siç janë vendimet dhe orientimi ynë për t’u integruar në Rendi i Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal, të cilët, ndikojnë negativisht në jëtët e qytetarëve dhe ekosistem. Këtë problematikë e shtruan për diskutim në Televizione gazetarët. Por, nëse gjykojmë nga “Opinion”, ku merrnin pjesë, si zakonisht, opinionistët dominantë (Bushati, Zogaj, Stefani, Lubonja etj.) përballë Bylykbashit, të cilët e shtronin çështjen vetëm në nivel individual, pa shkuar në kategoritë e krimit, ku Bylykbashi mundohësh të bëntë “ekspertin” juridik dhe nuk sqaronte procesin e dekriminalizimit, mund të themi se kjo problematikë nuk mund të zgjidhet kurrë. Jo në kuptimin se nuk ekziston ‘vullneti’ politik, siç mundohen të na bindin “ekspertët”. Por, në kuptimin se “ekspertët” nuk e shtrojnë çështjen juridikisht, siç u parashtrua më lartë.

Mund të konkludojmë se dekriminalizimi i Kuvendit mund të bëhet vetëm nëse deputetët kategorizohen. Nëse kanë kryer krime të ndërgjegjshme ata duhet të pushohen nga punimet e Kuvendit pavarësisht se sa mund të jenë rehabilituar. Për një arsye shumë të thjeshtë: për t’u dhënë mundësi njerëzve që nuk kanë kryer krim. Nëse kanë kryer krime nga papërgjegjësia ata duhet të rikualifikohen. Dhe nëse dalin me sukses – ata mund të ripretendojnë institucionet publike. Por, lidhur me këtë çështje, lind një problem tjetër: se partitë në pushtet kanë përzgjedhur individë jo vetëm pa merita por edhe pa shqyrtuar cilësitë e tyre. Për të njëjtën arsye, ata janë të kriminalizuar indirekt. Në gjuhën juridike kjo dukuri njihet si ‘krim i deleguar’. Por, megjithëse problematika e fundit mund të zgjidhet në të ardhmen – ajo vuloset me krimin sitemik – që u përmend më lartë. Shkurt mund të thuhet se sinteza sistemike shkakton më shumë krime sesa krimet individuale. Dhe ne duhet të shqetësohemi se si t’i reduktojmë, dhe mundësisht, eliminojmë plotësisht, krimet sistemike. Pa kuptuar, rrjedhimisht, shkaqet e krimeve sistemike, për të cilët do të flasim më shumë në pjesën e dytë, ne kurrë nuk do të çlirohemi nga krimet dhe kostua ekonomike dhe shpirtërore që ata shkaktojnë.

 

Share This Article
3 Comments
    • Shkrim i paqartë,disi i mjegullt e konfuz që në fund më la shijen e pesimizmit e të pamundësisë për të bërë një reformë të efektshme në drejtësi! Autori përcjell mesazhin se paraja dhe politika sundojnë çdo reformë në fushën e së drejtës. Frazat janë jo rrallë të stërgjata,pa shenja pikësimi korrekte, me kllapa të shumta dhe disa herë me ca fjalë që nuk di cilës gjuhë i përkasin? Psh “pajmbajtje” çdo të thotë? Ka ide racionale por të zhytura nëpër frazeologji! Tung!

      • Ndaj të njëjtat mendime me ju z. Pëllumb. Argumentat juridikë janë të gdhëndur pa finesë dhe të turbullt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *