Qytetarët denoncojnë me dhjetëra raste, inspektorët e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit verifikojnë subjektet e dyshuara, ku konstatojnë shkelje të shumta. Vëzhgimet në terren kanë konstatuar edhe shkelje të tjera sa i takon higjienës apo standardeve të ndjekura në ambalazhimin e produkteve ushqimore
Pranvera Kola
Ndonëse kanë skaduar, shumë nga produktet ushqimore vijojnë të tregtohen në saj të ndërrimit abuziv të etiketave. Pas sinjalizimit të marrë nga vetë qytetarët, të cilët kanë denoncuar me dhjetëra raste, inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë verifikuar në terren qindra subjekte ku dhe janë konstatuar shkelje të shumta. Ndër më problematiket mbetet ai i falsifikimit të etiketave të produkteve të ndryshme ushqimore, të cilat zëvendësojnë datat e skaduara, duke e lënë ende në treg produktin.
Zonat periferike klasifikohen si më të prekurat nga ky fenomen shqetësues. “Në shumicën e rasteve kanë qenë vetë konsumatorët që kanë denoncuar rastet”, bën të ditur kreu i kësaj agjencie, Artan Gjergji, i cili shton më tej se inspektorët kanë bërë verifikimet përkatëse për secilin rast të dyshuar. Megjithatë ekspertët e AKU-së vënë në dukje se jo në të gjitha rastet shqetësimet e ngritura nga konsumatori kanë rezultuara të vërteta.
Kontrollet e kryera në terren nga subjektet përkatëse kanë konstatuar edhe shumë probleme të tjera që kanë të bëjnë me mungesën e kushteve higjieno-sanitare, certifikatave të origjinës të produkteve, si dhe ambalazhimit jocilësor. “Ne kemi raste të denoncimit të fenomeneve të caktuara për të cilat gjithmonë është marrë masë. Gjatë punës që ne si AKU bëjmë në terren, bëjmë të pamundurën për identifikimin e këtyre problematikave. Por ky nuk është një proces i lehtë, sepse identifikimi i produkteve ushqimore të cilave u është falsifikuar etiketa apo kanë mbaruar afatet e skadencës,është i vështirë”, shton më tej kreu i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit.
Sipas tij, bashkëpunimi me qytetarët është i rëndësishëm, pasi ky autoritet ka numër të kufizuar punonjësish dhe nuk mund të kryejë kontrolle të përditshme në çdo subjekt. Për të gjitha rastet abuzive është ndërhyrë me marrjen e masave ndëshkues sipas shkeljeve të konstatuara.
“Është e vështirë për t’u kapur, për shkak të aftësive që kanë subjekte caktuara për t’i fshehur me detaje problemet që kanë me skadencën, pra, për të falsifikuar datën, por edhe në anën tjetër, duhet të kuptojmë edhe kapacitet njerëzore që AKU ka në dispozicion. Nuk duhet të harrojmë që institucioni ynë ka një staf të limituar që nuk mund të jetë kudo, në çdo moment. Vazhdoj të përsëris që konsumatori është agjenti më i mirë i AKU-s në drejtim të denoncimit të rasteve”, përfundon Gjergji.