Ndryshimet te Ushtaraku nuk prekin personelin mjekësor

anazapta

Pipero bën me dije se nuk do të ketë lëvizje të personelit aktual, por parashikohet të rritet numri i mjekëve dhe shërbimeve që mungojnë, teksa godina do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë

Kalimi i Spitalit Ushtarak nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë do të shoqërohet me ndryshime rrënjësore sa i takon shërbimeve që do të ofrohen për qytetarët, ambienteve dhe strukturës së punonjësve. Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se personeli mjekësor që për vite me radhë ka shërbyer në këtë spital duhet të rrijë i qetë, pasi ndryshimi i vartësisë së institucionit nuk do të shoqërohet me lëvizje apo largime nga puna.

Përkundrazi, synohet shtimi i shërbimeve që do të ofrojë ky spital, masë e cila do të shoqërohet edhe me shtim të stafit të bluzave të bardha që do të ofrojnë kujdes për pacientët. Spitali tashmë ka marrë emrin e ri si “Qendra e Traumës”.

Duke u ndalur tek këto risi kreu i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero bën me dije se nuk do të ketë lëvizje të personelit aktual, por parashikohet të rritet numri i mjekëve dhe shërbimeve që mungojnë, teksa godina do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë.

“Qendra do të qëndrojë aty ku është. Ne po punojmë aktualisht me strukturën, po përpiqemi maksimalisht që të ruajmë burimet njerëzore të kësaj qendre të madhe spitalore ish-ushtarake, sepse ka kapacitete njerëzore apo burime njerëzore të formuara dhe shumë profesionale. Ndërkohë që plani strategjik i Ministrisë së Shëndetësisë apo Strategjia për Trauma Kombëtare orienton edhe 12  qendra satelite në spitalet rajonale për të qenë struktura komplementare të kësaj qendre të madhe”, deklaron Pipero.

Më tej, ai vë në dukje se për të marrë të gjitha atributet e një qendre të mirëfilltë në trajtimin e traumave do të duhet një hark kohor të paktën prej dy vitesh. Gjatë kësaj kohe do të veprohet me rikonstruksionin e godinës veçanërisht sigurimin e pajisjeve të reja mjekësore dhe zëvendësimin e atyre që janë në stadin e amortizimit.

“Do ketë një repart urgjence modern, bashkëkohor, një repart anestezi-reanimacioni gjithashtu bashkëkohor, do ketë shërbimin e traumës që është shërbimi kryesor dhe do të ketë edhe shërbime të tjera ndihmëse siç është laboratori, imazheria, administrata e pse jo edhe një repart apo shërbim i mjekësisë interne, sepse trauma pa mjekësinë interne dhe pa shërbime të tjera, siç është neurokirurgjia apo ortopedia është e paplotësuar”, shton më tej Pipero.

Këto ndryshime vijnë si rrjedhojë e studimit të kryer në ambientet e kësaj qendre nga ekspertët ndërkombëtare dhe ata vendas, të cilët kanë detajuar edhe një plan të plotë pune në lidhje me ndryshimet që do të pësojë ky spital.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *