Përplasja për ‘Marshimin e zi’, Enver Hoxha anulon urdhrin e Mehmet Shehut për përsëritjen e tij

anazapta

Ditari i Skifter Këlliçit, pjesëmarrës në marshimin vdekjeprurës

 

Këlliçi: Megjithëse bilanci qe 4 të vdekur e dhjetëra të plagosur, Mehmet Shehu urdhëroi përsëritjen e marshimit e çoi në gjyq disa komandantë rezervistë!

 

Skifter Këlliçi

 

Është mesdita e 9 shkurtit 1979. Mbi 1500 rezervistë të Brigadës së Parë të sapokthyer nga marshimi i dështuar,tashmë ndodhen të rreshtuar para kryeministrit Mehmet Shehu, i cili i shan dhe i ofendon pa ndërprerë, duke u komunikuar dhe ndëshkimet si shkaktarë të kësaj situate. Shehu urdhëron ripërsëritjen e marshimit në të njëjtin itinerar si dhe lexon një listë të gjatë të komandantëve rezervistë që do të shkojnë para gjyqit…

SHEHU: FAJTORËT NË GJYQ USHTARAK!

Në vazhdim, Mehmet Shehu, me fjalimin kërcënues na fajësoi ne rezervistëve, duke urdhëruar marrjen e masave të rënda. “-Tërë fajet tuaja doni t’ua hidhni ushtarakëve të karrierës që ju shoqëruan gjatë këtij marshimi,” -vazhdoi ai, “-por u marrshi të keqen atyre. Që të tërë ju jeni fajtorë se ju dhe jo ata e katandisët këtë marshim në një arratisje banditësh! Ju që latë rreshtat ushtarake, ju që morët kuturu ju që, pale, patët guximin të shkonit edhe në stadium për të parë ‘Dinamon’ e Ballgjinit me ‘Partizanin’ e Mustës…!”

Ai heshti dhe vazhdoi të na shihte në sy dhe vazhdoi me inat: “Por fajtorët do të ndëshkohen rëndë. Ata do t’i kalojnë gjyqit ushtarak!”.

Më pas, duke hedhur sytë në një listë që mbante në dorë, lexoi disa emra nga komandantët tanë rezervistë. Nuk më kujtohet emri i një komandanti nga ndërmarrja ”Misto Mame”, i cili ishte ndër të parët në listën e ndëshkimit që po lexonte kryeministri Mehmet Shehu. Ishte një djalë shumë i sjellshëm, më duket përgjegjës reparti, i dashuruar pas letërsisë dhe artit. Kur mbaruam të ashtuquajturin marshim, ai gjatë kthimit m’u afrua dhe po më fliste për romanin tim me temë “edukimin” e intelektualit në gjirin e klasës punëtore me titull “Nën harqet e zjarrta”, që në fakt, ndonëse isha munduar ta shkruaja mirë, ishte një vepër skematike, me ndikime kineze. Pikërisht këtë djalosh e përfshiu vala e arrestimit dhe dënimit si komandant që kishte bërë gabime gjatë marshimit. U dënuan edhe të tjerë.

Midis tyre mund të dënohej edhe shoku ynë, Hysni Lita, komandant i kompanisë ku bëja pjesë edhe unë. Por Tonin Pema, një rezervist shakaxhi, që na kishte mbajtur gjallë me humorin e tij gjatë ditëve të marshimit, ngriti dorën dhe kërkoi të fliste. Mehmet Shehu drejtoi sytë nga ai me habi.

“-Hysni Lita, shoku kryeministër, nuk ka asnjë faj. Ai është përpjekur kaq shumë gjatë marshimit, sa që ne e kemi mbajtur në supe gati të vdekur për një kohë të gjatë” -guxoi e tha Tonini…

Është më të vërtetë për t’u çuditur, por pas këtyre fjalëve Mehmet Shehu nuk foli. Më pas di që Hysniu shpëtoi nga një dënim i mundshëm si pasojë e kokëkrisjes së kryeministrit Mehmet Shehu.

Sidoqoftë, ai kishte ardhur me bindjen se disa duhej t’i bënte zap. Ndaj ia nisi sërishmi:

“-Marshimi do të përsëritet. Madje pas tri javësh!”

Këto fjalë na ranë si bombë e shikuam njëri-tjetrin të stepur. E dinim që ai nuk bënte shaka.

“-Nuk mund të lejoj që ju të njollosni nderin dhe lavdinë e Brigadës së Parë. Në qoftë se nuk doni të jeni pjesëtarë të kësaj brigade, më thoni, se unë ju zëvendësoj me fshatarë të rrethit të Tiranës. Hë, pra, flisni, doni të qëndroni në këtë brigadë, apo jo?” -vazhdoi më tej Mehmet Shehu.

Të tërë pohuam thuajse njëzëri, doemos pa shpirt. Po nuk kishim si të bënim ndryshe… Ishte urdhri ose më saktë trilli inatçor i kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes ose dhe më saktë i dorës së djathtë të Enver Hoxhës. Do të viheshim përsëri përballë atyre vështirësive që përshkrova më lart… Do të paguheshim përsëri me 60 për qind të rrogës, siç ndodhte në raste zboresh ushtarake. Dhe brenda një muaji do të rifuteshim për të dytën herë në këtë aventurë.

 

ZEMËRIMI MES REALITETIT E ËNDRRËS

Kur dëgjova fjalët e fundit të Mehmet Shehut, si shumë shokë rreth meje, u kapërtheva nga një zemëratë, që nuk munda ta përmbaja dot.

“-Kjo nuk është e drejtë,” -kundërshtova unë, pa pritur kryeministrin.

Të tërë kthyen rrëmbimthi kokën të llahtarisur nga unë. Mehmet Shehu çakërriti sytë si i ndërkryer. Po unë nuk prita e vazhdova: “-Është e vërtetë, shoku kryeministër se ne kemi fajet tona. Thyem disiplinën sapo filloi marshimi, sidomos në kthim. Por faje kanë edhe komandantët e Repartit 1105, që nuk u ndodhën kurrë pranë nesh në ato çaste të vështira. Faj keni edhe ju, shoku Mehmet, që aprovuat organizimin e këtij marshimi në zemër të dimrit, me rezervistë të moshave të mëdha, bile edhe mbi 40 vjeç, midis të cilëve jam unë dhe plot e plot të tjerë, kur ju vetë keni qenë partizan në moshën 30-vjeçare.” Mehmet Shehu u zbeh e sytë iu terratisën. Diç deshi të thoshte, por unë pa ma bërë syri, vijova: “-Si lejuat ju që ne të bënim këtë marshim pa më të voglën përgatitje? Si nuk dhatë urdhër që të tërë të kalonim në kontroll mjekësor për të parë a kishte apo jo të sëmurë, si për shembull im vëlla e sa e sa të tjerë që u sëmurën, si nuk urdhëruat që ne të visheshim me rroba dimërore, siç e parashikon edhe rregullorja, përse na u dha vetëm një herë dhe vetëm ditën e fundit të stërvitjes ditëve të marshimit ushqim i ngrohtë, përse nuk fjetëm netëve nëpër baza, siç kanë fjetur partizanët, por i kaluam ato në qiell të hapët..? Përse, në fund të fundit, nuk dhatë urdhër të bëhej përzgjedhje në këtë marshim, ku duhej të merrnin pjesë më të fortit dhe më të rinjtë, se partizanët e Brigadës së Parë, siç thatë edhe ju, kanë qenë të rinj deri në 30 vjeç. Si nuk urdhëruat të bëhej një parastërvitje dy-tri ditore, ku oficerët tuaj t’u jepnin udhëzim oficerëve rezervistë, t’u tregonin planin dhe qëllimin e këtij e marshimi, itinerarin e tij… Po të ishte vepruar kështu, marshimi nuk do të kishte pasur këto pasoja, ku humbën jetën katër vetë dhe u sëmurën e u dëmtuan plot e plot të tjerë!!”

Mehmet Shehut një fytyrë i vinte e në fytyrë i shkonte.

“-Po të zë gjumi në këmbë.” -më tha një shok që kisha pranë.

Vërtet kisha dremitur…. Unë këto fjalë revolte, i kisha shqiptuar me veten, ashtu gjysmë i përgjumur në mes të rreshtave ku ishim mbi 1500 rezervistë…

Pashë që kryeministri vazhdonte ligjëratën ndëshkuese ndaj nesh. Unë nuk kisha shqiptuar asnjë nga ato që janë shkruar më sipër. Sado trim të kisha qenë, nuk do të kisha guxuar. Do të kishte qenë marrëzi e do të kisha përfunduar ndoshta përjetë në burg. Ama, për të menduar, i kisha menduar. Jo vetëm unë, por jam i bindur që të tërë ata që rrinin gatitu para kryeministrit. Bile edhe sekretarët e partive në rrethe edhe ushtarakët në tribunë.

 

CINIZMI I MEHMET SHEHUT

Pra, siç thashë, po fliste Mehmet Shehu… Do ta përsërisnim marshimin. Por ata që janë të sëmurë, me raport mjekësor do të përjashtoheshin. Pas këtyre fjalëve e përqafova vëllanë që e kisha pranë.

“-Gjithashtu, do të jeni të veshur me rroba dimërore. Edhe ushqimin do ta keni të nxehtë. Edhe netët do t’i kaloni nëpër baza.” -vazhdoi kryeministri.

“Ja ç’na qenka. Mehmet Shehu, në një mënyrë a në një tjetër, po bën autokritikë për këtë marrëzi që i mbiu në kokë e që solli tërë këtë tragjedi!”, menduam ne.

“-Por,” -vazhdoi Mehmeti me ton të lartë, “-ata që kanë bërë faje gjatë marshimit të parë, do të ndëshkohen. Do të caktohen të marshojnë në pararojë. Ju e dini se ata të pararojës janë të ngarkuar të zbulojnë lëvizjet e armikut. Për shembull, të presin edhe telat. Por ata mund të zbulohen nga projektorët e të qëllohen nga forcat armike. Ky është dënimi për ta…!”

“-Kështu, pra, qetësohuni këto ditë dhe përgatituni shpirtërisht për marshimin tjetër.” -tha kryeministri.

 

URDHËRI I ENVER HOXHËS

Pasi shqiptoi këto fjalë gjithnjë me të bërtitura, ktheu kokën nga e djathta e tribunës ku ishin rreshtuar komandantët e brigadave të tjera këmbësore të vendit, të pranishëm aty.

“-Mos pandehni se ju do t’i shpëtoni një marshimi të tillë, sidomos ju të Lushnjës.” -iu drejtua ai një ushtaraku të shkurtër jo shumë larg tij. “-Dhe marshimin nuk do ta bëni në fushën e Myzeqesë, por në malet e Korçës. Bëhuni ca trima, se kam pushkatuar gjatë luftës nja 60 fshatarë nga ju që ishin lidhur me Ballin…” Pasi na uroi marshim të mbarë, kryeministri u largua. Vrapova e kapa komisarin e Brigadës 1105  dhe i propozova që gjatë marshimit të isha pranë tij dhe të përshkruaja këtë rrugëtim të rezervistëve e ta botoja tek “Luftëtari”, ose te revista “10 Korriku”, që ishin botime të Ministrisë së Mbrojtjes. Pranoi me shumë dëshirë. Kështu unë dhe im vëlla do të shpëtonim në këtë marshim, i cili, duhet thënë, do të bëhej në kushte ku e ku më të mira se marshimi i parë masakrues si pasojë e trillit mizor të Mehmet Shehut. Por ky marshim nuk u bë. Disa ditë më pas morëm vesh se ishte anuluar me urdhër të vetë Enver Hoxhës. Me sa duket, instruktorët e Komiteti Qendror kishin raportuar me objektivitet dhe Enver Hoxha këtë radhë ishte treguar i zemërbutë dhe  kishte dhënë këtë urdhër. Më 1969-n i kishte hequr çmimin e parë teatrit “Çajupi” të Korçës për dramën “Njollat e murrme”, të cilën kryeministri e kishte pëlqyer pa masë. Tani i jepte goditjen e dytë. Dy vite më pas, duke gjetur si shkas fejesën e një djali të tij me një vajzë të një familjeje me biografi të keqe, do t’i jepte goditjen e tretë. Por këtë radhë vdekjeprurëse. (Fund)

 

“Marshimi i zi”, objekt analize pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut

Dështimi i marshimit të 1500 rezervistëve të Brigadës së Parë në fillimin e vitit 1979, shoqëruar dhe me ndëshkimin e komandantëve rezervistë, u shoqëruar dhe me një dënim kolektiv nga Mehmet Shehu: Përsëritjen e marshimit në harkun e tre javëve të ardhshme në të njëjtin itinerar. Enver Hoxha, i njoftuar nga të deleguarit e tij në mbledhjen ndëshkuese, e pezulloi urdhrin e Mehmetit, duke bërë që efektivi rezervist i kësaj njësie të njohur t’i shpëtojë një kalvari tjetër të mundimshëm. Por njëkohësisht, urdhri i Enverit qe dhe një ‘leksion’ për Mehmet Shehun, duke treguar se i plotfuqishmi i këtij vendi ishte ai, pra Enveri. Referuar dokumenteve të kohës, problemet që nxori ky marshim, u bënë objekt studimi për specialistët ushtarakë, të cilët rekomanduan masa të tjera ligjore për marshimet stërvitore të ardhshme për njësitë dhe repartet e ushtrisë. Por pas dy vitesh, Mehmet Shehu që ishte njeriu më i fuqishëm në vend pas Enver Hoxhës, pas një gjykimi politik në Byronë Politike, përkatësisht mesnatën e 17-18 dhjetorit 1981, vetëvritet në dhomën e tij të gjumit… Në analizën e veprimtarisë së ‘poliagjentit Mehmet Shehu’ pas vetëvrasjes, kaloi në ‘sitë’ dhe marshimi i fillim vitit 1979 i Brigadës së Parë dhe ndëshkimet që dha Mehmeti pas dështimit të tij.

 

Share This Article
2 Comments
  • Mjaft me keto budallalleqe, e gjithe meseleja mund te permblidhej me 5 rreshta, duket qe Skifteri ka qene shkrimtar i real-socit. Me kujtohet kur e hoqen nga puna dhe i shkruante letra anonime udheheqjes: “Shoke, pse e keni hequr shokun Skifter, ai eshte me i miri, eshte teper i zoti”… derisa e zbuluan dhe i thane te rrinte urte se mund ta degdisnin aty ku e meritonte. Perfundimi: meskin dhe medioker ne te gjitha drejtimet. Po te doni mos e botoni kete koment, por te pakten ju te Dites do ta lexoni. Hajt njatjeta

    • jam deshmitari i ketij personi,isha nderlidhes,zborist,kur makinat iken dhe ai u thoshte ej nuk me njihni jam SKIFTER KELLICI komentatori i njohur,ndersa i vellaj me kembe gjith gjak nuk fliste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *