Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto mori sot pjesë në Ministerialin e Gjashtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me pjesëmarrjen e Ministrave të Jashtëm dhe të Transportit te Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Serbisë dhe Komisionit Evropian.
Ministri Haxhinasto vlerësoi Procesin e Berlinit, si një mundësi për të sjellë një ndryshim cilësor në lidhshmërinë e rajonit, pasi lidhshmëria mes vendeve ndikon drejtëpërdrejtë në bashkëpunimin, zhvillimin dhe integrimin mes tyre dhe në BE të Ballkanit. Ai theksoi se në hartimin e hartës së rrjetit kryesor rajonal është i nevojshëm realizmi, por edhe perspektiva e rajonit vetë, si dhe lidhjet e tij veanërisht me zonën e Detit të Zi.
“Tashmë ka një konsensus të gjerë për hartën e rajonit dhe segmentet që kalojnë në Shqipëri, si Korridori Adriatiko-Jonian, Tiranë- Morinë – Prishtinë – Nish, apo Tiranë-Shkup. Gjithashtu për Portin e Durrësit, si pjesë e kësaj harte”,- tha ai.
Më pas Haxhinasto kërkoi rivlerësimin e lidhjes hekurudhore të Durrësit me Shkupin e me tej me Sofjen, si pjesë e Korridorit të VIII-të, që u mbështet edhe nga Ministri Maqedonas.
Në fjalën e tij, Komisioneri Johannes Hahn, theksoi rëndësinë e aplikimit të metodologjive evropiane në përcaktimin e korridoreve bazë të transportit në rajonin e Ballkanit, me qëllim shkurtimin e distancave midis qendrave tregtare dhe integrimin e infrastrukturës tone me atë evropiane. Ai vlerësoi punën intensive të vendeve të Ballkanit deri tani dhe bëri thirrje për dakordësi mbi rrjetin bazë të transportit në rajon, për të pasur projekte të maturuara deri në fazën e financimit, problem për të cilin ai premtoi zgjidhje të përbashkët.
