Muaji mars për bizneset konsiderohet si më i ngarkuari i vitit, pasi duhet të bëjnë dhe raportojnë bilancet e punës së një viti më parë në organet tatimore përkatëse. Por nëse deri para një viti deklarimi duhej të përcillej me postë për punonjësit e tatime, deklarimi i bilancit do të bëhet on-line. Të paktën kështu është deklaruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Sipas njoftimit të saj zyrtar, bazuar në Ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, neni 29 si dhe Udhëzimit nr.5 datë 30.01.2006, “Për tatimin mbi të ardhurat” , i ndryshuar, në zbatim të tij, VKM-së Nr. 922 datë 29.12.2014 “Për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike”, si dhe kërkesave të ligjit Nr.9228, datë 29.04.2004″ Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, i ndryshuar”, data 31 mars 2015, është afati përfundimtar për të dorëzuar në formë elektronike Formularin e Deklarimit dhe pagesës së Tatimit mbi Fitimin të vitit ushtrimor 2014, bashkë me bilancin kontabël dhe anekset e tij. Por deklarimet on-line shpesh për biznesin janë bërë problematike dhe Drejtoria e Tatimeve e ka shtyrë disa herë afatin e tyre. Kjo ka ndodhur për shkak të fluksit, por këtë radhë burime pranë drejtorisë bëjnë të ditur se nuk do të ketë arsye për vonesa të paparashikuara, pasi sistemi është tashmë funksional.
Çfarë përfshihet në deklarim?
Për të qenë sa më të qartë me biznesin, drejtoria referuar ligjit, ka saktësuar dhe se çfarë do të përfshihet në deklarimin që do të bëhet elektronikisht. Deklarimi on-line parashikon:
– bilanci (aktivet, pasivet dhe kapitali)
– pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve
– pasqyra e ndryshimeve në kapital, pasqyra e fluksit të parasë ose pasqyra e qarkullimit të likuiditeteve (cash-flow)
– aneksi për shpjegimet shpjeguese
– raporti i ekspertit të autorizuar të shoqërisë (kur ky raport kërkohet në zbatim të ligjit nr.10 091, datë 5.3.2009 “Për auditivin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”.
Dokumente të tjera që do të përcillen elektronikisht
Por së bashku me pasqyrat financiare ka dhe një sërë dokumentesh shtesë që këtë vit do të dorëzohen po elektronikisht.
– Kontratat e qerasë për ambientet e marra me qira, apo vërtetimin e pronësisë për objektet në pronësi.
– Gjendjen e inventarit të mallrave për shitje më datë 31.12.2014 (analitik).
– Inventarin e mjeteve të transportit në pronësi.
– Pasqyra e aktiveve afatgjata materiale
