Nuanca vajtimi dhe nota sensuale nga… Eda Zari

redaktor

Dita e nesërme e gjen artisten Eda Zari në Prishtinë. Ajo do të prezantohet kësaj here jo vetëm si performuese vokaliste në skenë, por edhe si fotografe, e shoqëruar nga perkursionisti i mirënjohur Rhani Krija (nga grupi i STING), nga pianisti Ilir Bajri dhe basisti Visar Kuçi, për të sjellë tituj, këngë dhe kompozime bazuar në katër ciklet fotografike të ekspozitës.

Instalacionet fotografike (vendosur në koncept interaktiv në sallën e Teatrit “Oda”) do të shoqërohen nga forma të ndryshme muzikale: jazz, etno-motive, improvizime, ritme trance, instrumente monokorde arkaikë, zëra, tinguj natyrorë, etj. Zëri dhe interpretimi i Eda Zarit, në dialog me muzikantët e saj, do të zgjerojnë spektrin e interpretimit, duke sjellë nuanca vajtimi, heshtjeje, nota sensuale, melankolike, por aq dhe vitale, plot energji, të marra nga repertori dhe arsenali i saj improvizues. Karakteri i performancës është meditativ, duke sjellë dëshirën për heshtje në paqe me shpirtin. Të gjithë ne, në momente të caktuara të jetës, kemi thellësisht nevojë për reflektim, heshtje, për t’u çliruar nga mbingarkesat ndijore, duke bllokuar, kështu (qoftë edhe për një kohë të shkurtër), gjithë filtrat negativë me të cilat na përball jeta. Muzika është ajo që shoqëron, brenda një çasti kohor, ndjesitë, perceptimin dhe përshtypjet e dëgjuesit në sallë, në marrëdhënie me fotografitë, çastin, mesazhin që transmetojnë ato, në rrethana, momente e vende të caktuara.

Edhe një ekspozitë fotografike

“Fotografia është një mënyrë apo një formë tjetër të shprehuri, e kundërta e muzikës”, thotë Eda Zari kur flet për dy pasionet e saj. “Teksa realizon një album muzikor, ke mundësinë t’u japësh këngëve lustër, shkëlqim, të punosh deri në përsosmëri. Për një fotografi të përsosur, e cila flet dhe përçon një mesazh të plotë dhe të fuqishëm, për të kapur momentin e vendimtar, të jepet (ose, ndoshta edhe jo) vetëm një shans i vetëm…”. Termi “fotografi urbane” flet për fotografinë autentike, të pa zbukuruar, për skenat e përditshme të jetës sonë, që tregojnë veprimtarinë e njerëzve, por duke e vendosur objektivin nga një perspektivë interesante, prej nga rrëfehet një ndodhi, një çast, pjesët e një skene të caktuar shkëputur nga një ngjarje. Të dallosh dhe të kapësh imazhe të tilla është një sfidë e vështirë fotografike. Vëmendja e Eda Zarit përqendrohet tek njeriu, tek simetria dhe asimetria që krijon njeriu i ditëve tona në një hapësirë të njohur apo krejt të panjohur. Rruga për Edën ka një kuptim më të gjerë: Hapësirat publike janë si një stacion apo fazë e jetës, duke filluar nga vetë “oborri” i saj jetësor, kthimi në vendin e origjinës e, më tej, në vende e qytete të largëta nëpër botë – ku haset me botën e të miturit, peshkatarë, priftërinj, kisha, varreza, ura, motive urbane, një dhomë hoteli, një teatër, vende rurale, gjurmë historike, artistë, erosin mes gjinive, si dhe peizazhet e heshtura…Fotografia është një përgjigje e shpejtë e frymës që bart momenti. Kjo ekspozitë ka për qëllim të shohë, dhe këqyr nën thjerrë, vendet dhe njeriun. Ekspozita dokumenton dhe komenton, njëherësh, virtualisht situatat, vendet, njerëzit, si dhe pasqyron rezultatet e proceseve kulturore dhe sociale të tyre. Eda Zari kërkon të përkufizojë, përmes fotografisë së saj, rëndësinë e jetës, natyrës dhe njeriut. Ajo rrëmon pikërisht aty ku momenti vendimtar hedh vickla, e urton duke e kthyer atë në një temë të përveçme kompozicionale. Ekspozita përbëhet nga katër cikle. – Bota me syrin e të miturit.- Gjinitë. – Dyert. -Fotografi urbane, vende, njerëz, ngjarje.

“Elementi shqiptar në jazz, fustani im më me identitet”

Ky aktivitet, i cili do të mbahet ditën e nesërme në kryeqytetin e Kosovës, na bënë të sjellim një bisedë me Zarin, për të njohur atë dhe shpirtin e saj artistik pak më shumë. Ajo është lindur dhe rritur në një familje muzikantësh, por edhe e shkolluar në Gjermani, Eda Zari ka arritur sot një karrierë mjaft të suksesshme, jo vetëm në në atë vend. Ajo ka realizuar dhjetë albume duke fituar disa çmime shqiptare dhe ndërkombëtare. Në albumin e saj të fundit “Toka incognita” (Toka e panjohur) bien në sy motivet e polifonisë shqiptare. Për të gjitha këto arritje në rrugën e saj si artiste, Eda i është mirënjohës talentit që e ka burimin nga familja e saj, dinastia Lela nga Përmeti, që e bën atë të ndjehet edhe më krenare.

Eda, ju jeni tashmë këngëtare e njohur e zhanrit jazz. Por si ndodhi? Ju e zgjodhët vetë këtë lloj muzike apo ju zgjodhi jazz-i juve?

Dëshira ime ishte pikërisht ajo uria e diçkaje që nuk ishte e lejuar, të paktën në kohën tonë. Pra ka qenë gjithmonë dëshira për të lëvruar një zhanër, i cili jo fort ka qenë i dëgjuar. Po ashtu, dëshira ime e madhe ka qenë për të lëvruar dhe për të improvizuar, pra për të sjellë thjesht një shpirt, shpirtin tim kreativ.

Shpesh herë repertori i juaj është i bazuar në perlat e këngës popullore shqiptare. Ka të bëjë kjo që ju i njihni më mirë, apo thjesht tingëllojnë më mirë në jazz dhe provoni në këtë mënyrë edhe formën tjetër të këtyre këngëve?

eda-zariUnë natyrisht aty e gjej veten, kjo është ajo me të cilën unë shumë më mirë identifikohem si artiste duke sjellë rrënjët e mia, duke sjellë elementin e muzikës shqiptare, duke e gërshetuar dhe ngjizur, duke e shkrirë me gjithë influencat e mia muzikale që kam kaluar gjatë gjithë karrierës time dhe mendoj se ky është fustani im më me efekt dhe më me identitet. Vetëm në këtë mënyrë unë mund të jem e vërtetë ndaj vetes, ndaj asaj që krijoj dhe ndaj vendit tim, kulturës time.

Pas gjithë kësaj karriere të suksesshme në Gjermani, Evropë, por edhe në trevat shqiptare, ju keni përcjellë edhe imazhin e Shqipërisë ndaj publikut të huaj, veçanërisht atij gjerman. Jo më kot mbani edhe titullin e Ambasadores së kulturës të akredituar nga presidenti i Shqipërisë. Mendoni se ka ardhur vërtet momenti që tashmë të kemi një “diplomaci kulturore” jashtë Shqipërisë, Kosovës, që do të menaxhohej pikërisht nga ju artistët që jetoni e punoni jashtë atdheut?

Në fakt ky titulli Ambasadore e kulturës është goxha i madh dhe më përkëdhel shumë, por për hir të vërtetës them se nëpër botë ka shumë shqiptarë ambasadorë edhe pa titull të cilët në formatin e tyre, në profesionin e tyre qofshin artistë të muzikës, apo instrumentistë, piktorë, sportistë, të çfarëdo fushe e prezantojnë shumë mirë Shqipërinë dhe po ashtu Kosovën. Ata së pari prezantojnë veten e tyre denjësisht dhe sigurisht vendin tonë, kulturën tonë si ambasadorë të mirëfilltë të kulturës dhe të vendit, përfaqësues të denjë të Shqipërisë, që janë të shumtë. Pra neve na del si detyrë, jo se kemi tituj ambasadorësh, por na del si detyrë thjesht për të prezantuar veten tonë, për të treguar se ne kemi mjaft ç’të tregojmë, ç’të themi nëpërmjet kulturës tonë, nëpërmjet traditave tona, aq më tepër nëpërmjet mediumeve tona, pikërisht me artin tonë.

Jeni nga ato femra që paralelisht me karrierën keni dhe familjen. Si është menaxhimi i të dyjave?

Ka raste kur jam aeroporteve, hoteleve dëgjoj lexoj të njëjtat pyetje. Bëhet ashtu si të më vijë, rrumpallë (qesh). Aty një plan, aty diçka tjetër. Unë kam një familje, e cila më jep gjithmonë një mbështetje të jashtëzakonshme. Unë nuk i ndaj dot. Madje edhe tim shoqi i kam thënë mos më vendos kurrë para pyetjes artin apo familjen, se i dua të dyja. Kjo ka qenë si të thuash një lloj “kontrate” midis nesh. Në aspektin e familjes mund të them që ka një plan të caktuar, por ndonjëherë ka edhe gjëra të paparashikuara. Përveç kësaj dua të them që është edhe me faza, jo përherë je në udhëtim. Është një punë non-stop, po për të mos e ekzagjeruar, siç bëjnë të gjithë bëjmë dhe ne.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *