Alpinisti shqiptar Fation Plaku së bashku me mikun e tij Artan Gaziu, më 22 shkurt në orën 5 e 45 të mëngjesit ngritën flamurin kombëtar në majën më të lartë të kontinentit të Afrikës, Kilimanxharo. Për Fationin kjo është ngjitja e radhës (maja e katërt) ndërsa për Artanin ishte hera e parë. Fation Plaku së bashku me ekipin e tij, janë shqiptarët e parë që janë ngjitur në majën më të lartë në botë, malin Everest, dhe këtë e kanë bërë në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ai nuk është vetëm djali alpinist, por edhe një nga ata që kanë qenë guida i ambasadorëve dhe të huajve në vendin tonë për gati çerek shekulli. Përtej atij njeriut të pasionuar pas natyrës, ai punon pranë Ambasadës Amerikane, si truproja i ambasadorit Donald Lu. E ka të vështirë të flasë shumë për punën dhe tregohet i rezervuar pasi rregullat janë të tilla. Gjithsesi mësojmë se ai është bërë pjesë e këtij stafi që kur Mariza Lino mbante këtë post. Sot ai ka kaluar më shumë se 7 ambasadorë, deri tek më i fundit, Donald Lu, i cili i ka shprehur atij dëshirën ta shoqërojë fundjavave në malet më të bukura të Shqipërisë. Ambasadorët e kanë parë atë si guidën e tyre dhe për më tepër, ndihen mirë që një punonjës i tyre pushton majat.
Fation, ngjitja në Kilimanxharo është maja e katërt për ju, si shkoi si udhëtim?
E kishim vendosur dhe në mesin e muajit Shkurt u nisëm të ngjisnim një nga shtatë majat më të larta në botë, atë të kontinentit afrikan Uhuru Peak, Kilimanxharo 5 895 m. Ky udhëtim zgjati 5 ditë. Ngjitja filloi nga Machame Route me lartësi 1800 m dhe deri në majë ishte 40 km, zbritja u bë nga Mweka Route. Ngjitja finale filloi ditën e 4-rt nga Kampi bazë me lartësi 4600 m, Barafu Kamp në orën 24:00, dhe në orën 05:45 minuta të datës 22 Shkurt 2015 prekëm majën më të lartë të kontinentit Afrikan, Kilimanxharo.
Normalisht që kishte vështirësitë e veta. Filluam të ngjiteshim me temperaturë 32 gradë celsius. E studiuam një muaj këtë mal dhe mësuam se Kilimanxharo ngjitet nga shtatë rrugë. Ne zgjodhëm një rrugë që kalonte nëpërmjet xhunglës e që fillonte në 1800 metra dhe mbërrinte në 3 mijë metra, ku fillonte shkretëtira. Ajo që ishte karakteristike në malin e Kilimanxharos ishte se, gjatë perëndimit, natës dhe mëngjesit ishte kohë e mirë dhe era kishte një intensitet të ulët. Gjatë ditës dhe drekës mbizotëronte një kohë më reshje shiu dhe bore. Ngjitja finale u bë përgjatë natës, për shkak se era ishte me intensitet me të ulët se gjatë ditës. Një mijë metrat e fundit në majë të malit ne shkelëm në borë dhe akull. Madje gjatë zbritjes të gjitha retë gjendeshin poshtë dhe pamë veten sipër reve.
Sa qëndruat në majë?
Qëndruam për gati 30 minuta pasi po prisnim të zbardhte dita, për shkakun se, një nga aparatet që kishim me vete ishte me blic, por aty nuk punonte për shkak të temperaturave të ulëta. Në atë moment ishte gati -15 gradë. Ishte e vështirë që ne të bënim foto. Pas gjysmë ore qëndrimi në majë filluam zbritjen për në Barafu Kamp, pas një pushimi të shkurtër vendosem mos të qëndrojmë dhe një natë tjetër në mal, por të zbresim direkt poshtë për në Mweka Route dhe rreth orën 14:30 minuta ishim në vendin e quajtur Mweka, aty ku na priste dhe makina, diku në lartësinë 1800 metra.
Çfarë do të mbani mend nga kjo eksperiencë?
Për mua është maja e katërt që ngjis. Më kanë ngelur dhe 3 maja, pasi i kam vënë qëllim vetes të shkel në shtatë majat më të larta të botës. Tani më ka mbetur Antarktida, maja e Alaskës, është edhe një në Australi. Janë udhëtime që kushtojnë këto, këtë të Kilimanxharos e realizova me shpenzimet e mia, por ishte një eksperiencë unike. Kur zbritëm për safari kemi parë 15 luanë që kishin vendosur përpara një antilopë dhe po e hanin, kemi parë tufa zebrash, antilopash… ishin pamje që deri më tani i kemi i kemi parë vetëm në dokumentare.
Po, duhet patjetër, jam përgatitur shumë mirë për këtë ngjitje, pasi çdo fundjavë kam ngjitur një mal mbi 2000 metra, për shembull mund të përmend majën e Papingut, Nemërçkë -2485 m. Maja e Dejës – 2246 m, mali i Çikës – 2045 m, maja e Kores – 2018 m, mali i Gjallicës -2489 m, maja e Valamarës – 2373 m, maja e Malit të Thatë – 2288m, maja e Jezercës – 2694 m, mali i Ostrovicës – 2340 m, maja e Hekurave – 2561 m etj. Dhe të gjithë këta janë mbi dy mijë metra lartësi.
Është kjo periudhë një ndër më të mirat për ngjitje?
Për mua personalisht, periudha më e bukur për ngjitje në male është dimri dhe mundësisht të ketë shumë borë, pasi bora më jep një ndjesi të veçantë dhe më pëlqen shumë t’i ngjis malet me borë pasi arrij të realizoj gjatë ngjitjes dhe foto shumë të bukura. Një nga hobet e mia përveç alpinizmit është dhe fotografia.
Kur jeni “takuar” për herë të parë me natyrën?
Me natyrën u bë rreth 17 vjet që kam një marrëdhënie të shkëlqyer, kam rënë dhe në dashuri me të, pasi nuk mund të rri në qytet më shumë se një javë pa dalë në natyrë, madje dhe duke eksploruar ndonjë vend të ri që mund të më ketë mbetur pa zbuluar. Mezi pres dy ditët e pushimit në fundjavë për të dalë në natyrë, madje shpesh herë ta kaloj natën jashtë duke fjetur në tendë.
Gjatë javës cili është angazhimi juaj?
Kam rreth 17 vjet që punoj pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara si truproja i ambasadorit.
E ke problem për shkëputjet nga puna?
Ata janë shumë dashamirës me mua, aq më tepër kur qëllimi është pozitiv, kështu që arrijnë të më kuptojnë dhe të më japin leje, madje shpesh kolegët më zëvendësojnë.
Prej sa kohësh punoni ju në ambasadë?
Kam 17 vite që jam në punë aty, nuk jam shkëputur asnjëherë. Ka qenë një gërshetim shumë i mirë për mua, pasi të huajt që në krye të herës kanë dashur të vizitojnë Shqipërinë dhe natyrën e saj.
Domethënë edhe pse ndërrohen ambasadorët, ju nuk u prek ‘reforma’?
Jo, jo (qesh). Kanë ardhur e ikur shumë ambasadorë.
Është vetëm një perceptim apo kohët e fundit, janë të shumtë ata që vijnë për udhëtime në natyrë?
Prej vitesh kam shoqëruar grupe të huajsh dhe shqiptarë në eksplorimet në natyrë, dhe kam vënë re se vitet e fundit shumë të rinj e të reja kanë filluar të dalin në natyrë dhe të shijojnë bukuritë që na ofron vendi ynë, madje përveç ecjes në natyrë ka filluar t’u pëlqejë dhe alpinizmi, duke bërë ngjitje nëpër malet e larta mbi 2000m në të gjithë vendin.
Ku mund të shkohet në këtë periudhë kohe?
Vendet që unë do t’u sugjeroja miqve të mi janë të shumta, por po përmend disa nga këto vende. Për shembull një ecje e mrekullueshme është eksplorimi i gjithë Gadishullit të Karaburunit, sidomos pjesa perëndimore ku janë disa nga gjiret më të bukur të jugut të vendit siç janë Gjiri i Gramës, Shën Andreut, Dafinës dhe i Ariut, Plazhi i Krorëzës. Ngjitja e malit të Tomorrit, Dajtit, Kores në Llogara, Mali me Gropa, maja e Gjallicës, Mali i Thatë etj.




Qe moti flamuri shqiptar eshte ngjitur atje:nga angelij preljocaj bile!
Nje BRAVO shume e madhe, ndoshta eshte pak per kete arritje tende. Arritja, padyshim, eshte nje merite dhe kenaqesi personale e jotja. Por kjo nuk me pengon aspak te jem krenare per bashkekombasin timin. BRAVO
Djalë me pasion të madh për më të bukurën e dheut ky Fatjoni? Më e bukura e dheut është jo ajo që thonë por Natyra dhe vetëm Natyra! Asnjë tjetër nuk ja mer kësaj për bukuri ! Por ky shkrim nuk do të ketë vlera n.q.s Entela nuk i ngjitet malit më të lartë në botë? E gjeni dot kush është? Ja u them unë,është “Kalaja e Beratit”! Çudi ju duket a si! Kjo është dhe, pikë! E ka matur xha Selmani ! Nderime autores së këtij shkrimi të këndshëm dhe përgëzime Fatjonit dhe djalit tjetër shoqërues!
Të shkruash për udhëtimet e ngjitjen në majat olimpike,të shkruash për Natyrën e tyre (qoftë dhe virtualisht si Entela) duhet të jesh piktor dhe poet në mënyrë që të japësh sa më shumë ngjyra e zëra poetikë të saj! Këtë Entela ka arritur ta japë mjeshtërisht! Nderime piktores dhe poetes së këtij udhëtimi fantastik të Fatjonit dhe shokut të tij, Entela Resulit!
Entela ka harruar të shkruajë se renditja e lartësive në botë vjen sipas kësaj radhe. E para kalaja e Beratit, e dyta Xhomolungma, e treta Kilimanxharo dhe te katërtat kodrat e Kutallisë. I kam matur vetë. Të fala mbesë!
Po kodrat e Ardenicës ku i le ti Re Xha Selman? Ato janë më të larta se kallëmi më i madh i Myzeqesë Re! Edhe Skënderbe Sali Berrishi nuk u ngjit dot,mbeti pa frymë në mes të kodrave! O po qy Re!