Korrupsioni me vendet e punës i kushton arrestimin një punonjësi të Postës Shqiptare. Policia e Tiranës njoftoi dje se ka prangosur nëpërmjet agjentëve të Zyrës së Antikorrupsionit, të dyshuarin Oltion Dalipi, 37 vjeç, banues në kryeqytet. Denoncimi është bërë nga vetë Posta Shqiptare, sapo ka marrë ankesat për rastin në fjalë, se i dyshuari mashtronte qytetarët duke u premtuar vende pune kundrejt pagesave me 20 mijë lekë të reja. Akuza e ngritur ndaj Dalipit është “korrupsion pasiv” dhe “shpërdorim detyre”. Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.
Denoncimi
Drejtues të Postës Shqiptare denoncuan në Policinë e Tiranës punonjësin e tyre Oltion Dalipi, pasi u kishte kërkuar para disa qytetarëve, me premtimin se do t’i fuste në punë. Në këmbim u kishte përvetësuar si ryshfet shumën e 20 mijë lekëve të reja. Pasi konstatuan rastin, drejtuesit e Postës Shqiptare morën menjëherë vendimin për largimin nga puna si masë paraprake dhe njëkohësisht bënë kallëzimin pranë organeve të rendit në Tiranë. Ankesat e depozituara iu dërguan autoriteteve policore, që pasi kryen verifikimet paraprake dhe mbledhjen e dëshmive, vendosën të arrestonin me urdhër të prokurorisë 37-vjeçarin e dyshuar.
Hetimet
Burime zyrtare të policisë thanë se i ndaluari Dalipi është denoncuar nga të paktën 3 persona që kanë paguar shumën e parave me premtimin për një vend pune. I dyshuari ishte punonjës i Postës Shqiptare Tiranë dhe duke shfrytëzuar këtë pozicion bindte qytetarët se me njohjet që kishte do u siguronte vendin e punës. Policia tha se pritet të verifikohen raste të tjera ku Dalipi është i përfshirë dhe fton qytetarët për denoncime. Mësohet se personat që e kanë denoncuar fillimisht te Posta Shqiptare 37-vjeçarin janë qytetarët me inicialet B.D., O.H., dhe A.T. Pas përpilimit të dosjes, materialet i kaluan prokurorisë së kryeqytetit për veprime të mëtejshme proceduriale. Mësohet se vetë i dyshuari ka mohuar që të jetë përfshirë në çështje korrupsioni.
