Skarlatina është një ndër sëmundjet e shpeshta infektive që shkaktohet nga prania e bakterit të streptokokut, i grupit A. Sëmundja shpesh neglizhohet në trajtim, pasi për shkak të shenjave klinike trajtohet edhe si një infeksion i thjeshtë gryke. Mjekja infeksionste, Ilda Xhelili tregon se personeli mjekësor, kryesisht ai i sallave operacionale, arsimtarët, kuzhinierët janë ndër kategoritë që mund të preken më shumë nga kjo sëmundje, e cila përhapet lehtësisht nëpërmjet ajrit edhe tek personat e tjerë që ndodhen në të njëjtin ambient. Nëse sëmundja identifikohet që në stadet e saj të hershme, shoqërohet me efekte të mira trajtuese. Për rastet më të ndërlikuara, mjekja sqaron se pacienti duhet të jetë i durueshëm, pasi duhet të ndjekë disa kura trajtimi. më e Sëmundja është më e zakonshme te fëmijët e moshës 5-15 vjeç.
Çfarë është skarlatina?
Skarlatina është një sëmundje infeksioze, akute, ngjitëse, që shkaktohet kryesisht nga streptokoku i grupit A. Burim infeksioni është njeriu i sëmurë me skarlatinë, bartësit e shëndoshë, si edhe të sëmurët gjatë periudhës së shërimit (konvaleshenca). Streptokokët janë ndër bakteret më të zakonshme që shkaktojnë sëmundjen tek njeriu. Zakonisht ato përhapen me rrugë aerogene (nëpërmjet ajrit), direkt nga i sëmuri ose bartësi i mikrobit. Rrallëherë streptokoku përhapet me rrugë kontakti indirekt, nëpërmjet objekteve të ndryshme siç janë lodrat, teshat dhe pajisje të ndryshme. Streptokokët e eliminuar me sekrecionet si pështyma, kolla, teshtimat etj, bien në tokë, thahen aty dhe pastaj ngrihen në pluhurin e rrugës, shtëpisë, shkollës e sidomos në spitale, në mënyrë të veçantë nëpër sallat e operacioneve. Streptokokët mund të përhapen me anën e ajrit, por duket se nuk janë shumë infektues në qoftë se lëkura dhe mukozat janë të padëmtuara. Në shumë raste, këta streptokokë janë gjetur te personeli i reparteve të kirurgjisë, te kuzhinierët, mësuesit dhe edukatorët. Prandaj, është e rëndësishme që në mënyrë periodike personat që punojnë në pozicionet e përmendura më sipër, të kryejnë ekzaminimet specifike për praninë e baktereve të streptokokut.
A ndodh që infeksioni të merret nëpërmjet ushqimeve, si dhe cilat janë grupet më të rriskuara për t’u prekur nga kjo sëmundje?
Çrrënjosja e këtyre bartësve është e vështirë dhe mund të kërkojë disa cikle mjekimi. Ndaj dhe duhet bërë shumë kujdes me ndjekjen e kontrolleve të hershme. Streptokokët mund të përhapen në formë epidemie, edhe nëpërmjet ushqimeve të infektuara, si për shembull qumështit dhe produkteve të tij, vezëve, sallatave, etj. Streptokoku i grupit A mund të kalojë nga lopa te njeriu me anën e qumështit dhe mund të infektojë njeriun, por në qoftë së qumështi pasterizohet, ky rrezik nuk ekziston më, pasi streptokokët nuk i rezistojnë temperaturave të pasterizimit. Skarlatina është më e zakonshme te fëmijët e moshës 5-15 vjeç, duke prekur njësoj si meshkujt, ashtu edhe femrat. Zbulimi i sëmundjes bëhet nëpërmjet kryerjes së një sërë ekzaminimesh dhe analizave, të cilat përcaktohen nga mjeku specialist në varësi të ecurisë së gjendjes shëndetësore që raporton pacienti.
Cilat janë shenjat klinike të skarlatinës?
Periudha e inkubacionit (koha nga infektimi me mikrobin, deri në shfaqjen e shenjave të para klinike) zakonisht zgjat dy deri në pesë ditë. Fillimi është i menjëhershëm, karakterizohet me temperaturë të lartë 38-40 gradë celcius, me të dridhura, të përziera, të vjella, dhimbje koke, dhimbje barku, madje mund të ketë edhe diarre (heqje barku). Veçori e kësaj periudhe është dhimbja e grykës dhe zmadhimi i bajameve. Gjëndrat limfatike të qafës janë të zmadhuara dhe të dhimbshme. Kjo periudhë shoqërohet edhe me rrahje të shpeshta të zemrës (takikardi). Kur temperatura arrin kulmin shfaqen edhe shenjat tipike në lëkurë. Këto shenja janë në formë makulo-papuloze (njolla të kuqe në lëkurë të ngritura mbi sipërfaqen e saj). Kjo ndodh tre deri në pesë ditë, pas fillimit të sëmundjes. Fillimisht duket në qafë dhe në pjesën e sipërme të gjoksit dhe pastaj përhapet shpejt në bark dhe në gjymtyrë. Në fytyrë nuk prek zonën rreth buzëve, hundën dhe mjekrën duke i dhënë fytyrës një pamje karakterisitike si maskë. Gjithashtu nuk preken pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve. E gjitha kjo ngjan me një djegie nga dielli në formë gungash të vogla e shoqëruar me prurit (kruajtje). Karakteristike është se ngjyra e kuqe zhduket kur e shtypim me gisht. Kjo nuk ndodh në palat e kofshëve, të gjunjëve, të sqetullave dhe të bërrylave, pasi aty krijohen pika hemorragjike me ngjyrë më të errët, të cilat nuk zhduken nga shtypja me gisht. Lëkura është e thatë, e ashpër dhe shpesh ka të kruajtura. Kjo skuqje prek edhe mukozën e murit të faringut, bajamet, dhe qiellzën e sipërme. Gryka paraqitet mjaft e skuqur, ka edemë (ënjtje) të mukozës së gojës dhe të buzëve. Gjuha është e veshur me një shtresë gri në mes, ndërsa anash dhe në majë është e kuqe. Nga dita e pestë dhe e gjashtë e sëmundjes ndodh deskuamimi (zhveshja) e gjuhës, duke nxjerrë në pah ngjyrën e saj të kuqe dhe maja-maja të ngritur mbi sipërfaqen normale të gjuhës. Kjo i jep asaj pamjen karakteristike të manaferrave.
Përmendëm një sërë shenjash klinike që shfaqen në lëkurë. Kur nis zhdukja e tyre?
Temperatura bie brenda 4-5 ditëve. Pas rreth një jave fillojnë të zhduken edhe shenjat në lëkurë që pasohen me deskuamimin (zhveshjen) e saj. Kjo situatë fillon nga qafa, gjoksi dhe pastaj në pjesët e tjera të trupit. Ka raste kur lëkura e gishtave bie në formë gishtëzash.
Format e lehta të sëmundjes janë ndër më të shpeshtat që shfaqen. Cilat janë simptomat karakteristike që shoqërojnë këtë stad?
Skarlatina takohet në formën e saj më të shpeshtë në atë që njihet si forma e lehtë e saj. Shenjat fillestare mund të jenë temperatura e lartë, të vjellat, ose shenjat e lëkurës me ngjyrë më tepër rozë sesa të kuqe. Pamja e gjuhës nuk ka karakteristikat e formës klasike të saj. Temperatura nuk kalon mbi 38 gradë celsius. Në përgjithësi klinika e kësaj forme është më e zbutur dhe gjendja e përgjithshme më e mirë. Vetëm se shenjat e lëkurës takohen njësoj si në formën tipike të saj. Rol të madh në zhvillimin e skarlatinës si formë e lehtë luan mjekimi i hershëm specifik i saj. Përveç formës së lehtë paraqiten edhe raste pa shenja të dukshme klinike, që luajnë rol të rëndësishëm në përhapjen e sëmundjes. E vetmja shenjë e kësaj forme të skarlatinës mund të jetë infeksioni i bajameve, i pashoqëruar me elementët e lëkurës, ose mund të shoqërohet me elementë aq të lehtë në lëkurë, sa vështirë të dallohet. Shenjat e lëkurës bëhen të qarta kur fillon zhveshja e saj.
Cilat janë ndërlikimet e sëmundjes?
Mjekimi sa më i hershëm i skarlatinës ka ulur jo vetëm shpeshtësinë e ndërlikimeve, por edhe gravitetin e tyre. Ndërlikimet kryesore janë ato të veshkave (nefriti i hershëm ose i vonshëm), reumatizmi i hershëm ose i vonshëm, ndërlikimet kardiake, prekje të mëlçisë e cila gjatë kësaj faze mund të zmadhohet. Ndërlikime të tjera janë infeksionet e veshit, të mushkërive, prekje të ndryshme të nervave etj.
Masat parandaluese
Është i rëndësishëm edukimi publik për rreziqet e infeksioneve streptokoksike, sidomos për personelin mjekësor, që paraqet rrezik në përhapjen e infeksioneve spitalore nëpërmjet bartësve të infeksionit. Për profesione të caktuara (arsimtarë, edukatorë, kuzhinierë) duhet të bëhet ekzaminimi i detyruar laboratorik për të veçuar streptokokun. Duhet të përdoret qumësht i pasterizuar. Duhet të bëhet edukimi shëndetësor i punonjësve që përgatisin ushqimet me qumësht,vezë. Të sëmurët që shtrohen në spital më skarlatinë duhen izoluar në dhoma të veçanta dhe të mos bashkohen me të sëmurë të tjerë. Skarlatina mjekohet mjaft mirë dhe kjo ka rëndësi të madhe për parandalimin e ndërlikimeve të saj. Gjithashtu kujdes maksimal duhet bërë edhe me higjienën personale, e cila duhet të jetë në kushte mjaft të rrepta. Shfaqja e shenjave të para klinike duhet që t’ju orientojë drejt mjekut specialist, pasi është ky që ju përshkruan terapinë e duhur trajtuese dhe jo të vraponi për në farmaci për të marrë qetësues momentalë. Këta të fundit me kalimin e ditëve e aktivizojnë edhe më shumë infeksionin duke e kaluar në stade më të rënda.
Kujdesi për higjienën
Një ndër format më të mira mbrojtëse ndaj bakterit të streptokokut ka të bëjë me mbajtjen e një higjiene të rreptë personale. Larja e shpeshtë e duarve me sapun është një ndër këshillat që nuk duhet neglizhuar në asnjë rast, veçanërisht nëse bëheni pjesë e ambienteve me përqendrime masive siç janë spitalet, shkollat, etj. Në momentin që kuptoni se jeni të prekur nga kjo sëmundje është mirë që të bëni kujdes kur teshtini, si dhe të mos shkoni në ambientet e mbipopulluara, pasi mund të kaloni infeksionin tek personat e tjerë që ndodhen përreth jush.
Sa eshte perjudha maksimale qe zgjat trajtimi i saj me antibiotike ne spital?