Ndërkohë që zoti Kryeministër bën propagandë për interesin që kanë biznesmenët italianë të investojnë në Shqipëri, organet tatimore shqiptare bëjnë të kundërtën. Por me një ndryshim, ato nuk propagandojnë, veprojnë. Në atë farë forme që biznesit, e veçanërisht atij të voglit, po i nxjerrin ujë të zi, duke i mbytur në… gjoba. Nuk janë të pakta rastet që organet tatimore i rrëmbejnë këtij biznesi më tepër nëpërmjet gjobave se sa detyrimeve shtetërore që ata kanë. Tani, që se kush dreqin u kujtua për të ndërruar edhe sistemin e raportimit, është bërë akoma më tepër çorap. Pa pritur e pa kujtuar këto ditë, këto organe kanë dërguar njoftime në të gjithë ato biznese që nuk kanë ambiente me qera, se për efekt të mos raportimit të kësaj të dhëne (tatim në burim e quajnë), e cila praktikisht është zero, gjobiten me nga 100 mijë lekë të vjetra gjobë për muaj. Me një fjalë kush nuk e ka raportuar këtë të dhënë është gjobitur me 300 mijë lekë dhe këtë e kanë marrë vesh në datën 27 të këtij muaji. Këto organe kanë edhe një karakteristikë shumë të “vyer”. Për çdo të dhënë, detyrimi i të cilave është zero e nuk raportohet (për arsye edhe pakujdesie) e ha 100 mijë lekëshin. Do të bëja një propozim gazetës së nderuar. Po jeni në gjendje të merrni njoftim se sa biznese e kanë mbyllur aktivitetin e tyre, do të shihni “qyfyre” të mëdha, apo më mirë katrahurë.
Letër e nënshkruar,
Bardhyl Ermini

Prit or ti se ske pare gje akoma