Kategoria Superiore rinis nga Java e 29 me 4 skuadrat pretendente në garë për trofeun final. 4 ndeshje të kalueshme në letër për rivalët të cilët më pas do të nisin një tur force me përballje direkte.
Mes tyre qëndron edhe Partizani që nga vendi i tretë do të kërkojë të sigurojë suksesin e katërt radhazi këtë të Shtunë në “Qemal Stafa” kundër Apolonisë.
“Apolonia edhe pse është shumë pranë rënies nga kategoria mbetet një kundërshtar që duhet vlerësuar maksimalisht. Ata janë një skuadër që luajnë pa shumë presion dhe kanë elementë të mirë në organikën e tyre”, tha Duro.
Pasi uroi kombëtaren shqiptare për suksesin e arritur ndaj Armenisë, trajneri 55-vjeçar u përqendrua te forma e ekipit të tij, duke e pranuar se pushimi i imponuar nga ndeshjet eliminatore ka ndikuar pjesërisht te skuadra e tij ku disa lojtarë nuk gëzojnë formën optimale.
Pas testit të lehtë në letër kundër Apolonisë, Partizani do të luajë dy sfida direkte për titullin kundër Skënderbeut dhe Kukësit dhe Duro e pranon që ky muaj do të jetë vendimtar për të ardhmen e sezonit.
Në vijim, trajneri i të kuqve shtoi se fakti që tre rivalët e tjerë do të luajnë edhe në Kupë nuk e favorizon ekipin e tij.
Ai ritheksoi gjithashtu besimin që ka te qendërsulmuesi Stevan Racic duke theksuar se lojtari serb i ka plotësuar të gjitha pritshmëritë, ndërsa kritikoi zërat që e konsiderojnë një trajner mbrojtës, duke u shprehur se objektivi i tij i vetëm është fitorja.
