Instituti i Statistikave raportoi dje se ekonomia është rritur me 2.42% në tremujorin e katërt të vitit 2014. Me këtë rezultat parashikohet që rritja vjetore për vitin që lamë pas është rreth 1.9 për qind, nga 2.1 për qind që ishte parashikuar nga qeveria shqiptare. Ky rezultat paraprak i rritjes vjetore vjen duke e krahasuar në katër tremujorët e vitit, ku rritjen më të madhe e shënoi tremujori i fundit.
Sektorët që shënuan rritje
Kreu i INSTAT-it, Gjergj Filipi listoi degët më kontributin më të madh në rritjen ekonomike. “Kontributi kryesor jepet nga degët e ekonomisë, si ndërtimi me 1.56 për qind, shërbimet e tjera me 0.95 për qind, tregti-hotel-restorante me 0.54 për qind”, tha Filipi. I vetëm, sektori i ndërtimit ka dhënë mbi 65 për qind të rritjes ekonomike në tremujorin e katërt dhe shkaku kryesor është përqendrimi i lartë i investimeve publike në fund të vitit. “Kjo ka të bëjë më shpërndarjen vjetore të proceseve të ndërtimit. Për sa kohë që ne krahasohemi me një situatë të lartë apo të ulët qoftë ajo, të tremujorit të njëjtë të vitit pararendës, ne këtu do reflektojmë ritmikën sipas secilit tremujor”, tha drejtuesi i INSTAT-it. Ndërkaq, bujqësia dhe postkomunikacioni dhanë kontribut negativ në ekonomi gjatë tremujorit, pasi u rrudhën krahasuar me një vit më parë. “Ky është momenti i parë, por ne kemi një ritmikë vjetore për vitin 2014, në kontekstin e vlerës së shtuar bruto. Dhe, ky tregues shënon për vitin 2014, vlerën prej 1.89 për qind”, tha Filipi.
Si ka qenë ecuria e degëve kryesore të ekonomisë
Aktiviteti bujqësor në tremujorin e katërt të vitit 2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë pati një rënie prej 2.66%. Grupi i industrive pati rritje me 1.6% në tremujorin e katërt të vitit 2014 krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013. Në këtë grup, industria përpunuese dha ndikimin pozitiv me një rritje prej 3.39%, ndërsa industria nxjerrëse ra me 0.47%. Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e katërt të vitit 2014 pati rritje prej 10.81% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013. Grupi i degëve tregti, hotele dhe restorante pati një rritje prej 3.26% në tremujorin e katërt të vitit 2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Në këtë grup, dega e tregtisë pati një rritje prej 3.56%, ndërsa dega hotele dhe restorante pati rritje me 1.13%. Aktiviteti i transportit ka shënuar një rritje prej 3.01% në tremujorin e katërt të vitit 2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Grupi i degëve posta dhe komunikacioni u shfaq me një rënie prej 9.48% në tremujorin e katërt të vitit 2014, përkundrejt tremujorit të katërt të vitit 2013. Grupi shërbime të tjera në tremujorin e katërt të vitit 2014 pati rritje me 3.21% kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2013. Në këtë grup ndikim pozitiv dhanë degët si aktivitetet financiare, aktivitete mbi pasuritë e patundshme, dhënies me qira dhe shërbime për ndërmarrjet. Sa i përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Vlerës së Shtuar Bruto vlerësohet me një rritje prej 1.12%. Qeveria dhe FMN patën parashikuar një rritje prej 2.1 për qind gjatë vitit 2014, nga 1.9 që rezulton ajo sipas tremujorëve. Megjithatë INSTAT thotë se shifra e raportuar prej tij i referohet vlerës së shtuar bruto, e cila nuk përfshin kontributin e taksave dhe subvencioneve në ekonomi dhe paralelisht është subjekt rishikimi gjatë muajve në vijim.

i kujt partie eshte ky Gjergj Filipi se mos na i bie edhe ky gjermanet emigrant si Jozefina.