Mali i Zi, shumë shpejt anëtari i 29 i BE-së

redaktor

Mali i Zi ka zgjeruar më tej negociatat e anëtarësimit. Dy kapituj të tjerë janë hapur, duke çuar në 18 numrin e tyre, nga 35 ekzistues. Në rast se, vazhdohet me këtë ritëm, shumë shpejt Mali i Zi, mund të jetë anëtari i 29 i BE-së. Ndoshta menjëherë pas mbarimit të legjislaturës aktuale evropiane. Por, teksa suksesi malazez drejt rrugës integruese është tashmë i konfirmuar, ç’lidhje ka zgjerimi, Pitagora dhe idealizimi?

Negociatorët e Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian, kanë vendosur në fillim të kësaj jave, hapjen e dy kapitujve të tjerë të negociatave të anëtarësimit. Pra, pasi Unioni vendos për hapjen e procesit të negociatave të anëtarësimit, fillon gradualisht implementimi i të gjithë kuadrit legjislativ të BE-së, që është i ndarë për lehtësi në 35 kapituj, që korrespondojnë me politika të ndryshme të Unionit, si Lëvizja e lirë e mallrave, Politika e Konkurrencës, Energjia, Tatimet, etj. Hapi i parë i negociatave, quhet “ekzaminim”, qëllimi i të cilit është të identifikojë sferat, që kanë nevojë për harmonizimin të legjislacionit dhe përshtatje të nevojshme.

Mali i Zi, ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen për rrugën integruese ndaj BE-së, pasi ndonëse i konsideruar si model për vendet e tjera të rajonit, ai nuk është më pak problematik, se sa fqinjët e tij në fusha të ndjeshme, si korrupsioni i lartë, krimi i organizuar, abuzim me fondet publike për synime partiake, akuza mbi parregullsi dhe manipulime të pjesshme të zgjedhjeve lokale, dhunë dhe kërcënime qeveritare ndaj gazetarëve, etj. Një model, i cili tërheq vëmendjen për polemikat mbartëse në prezantim, politikave të zgjerimit, përmbushjes së kritereve dhe vlerësimit ndaj tyre.

Zgjerimi, vërtet bazohet në përmbushjen e një platforme kriteresh si kriteri politik, ekonomik apo juridik-administrativ, që përfshin adoptimin e korpusit ligjor të Unionit.

Por, vlerësimi i procesit apo i përmbushjes së kritereve, është një fushë e gjerë, interpretuese dhe i rrëshqet logjikës së pastër matematikore. Pra, nëse është e padiskutueshme nën frymën përllogaritëse Pitagoriane se, dy katete në katror të japin hipotenuzën, logjika e zgjerimit e thyen logjikën ekzakte, pasi historiku i zgjerimit ka treguar, se, mjafton edhe një katet në katror për të dhënë hipotenuzën, apo se, duhen 4 katete në katror dhe sërish “hipotenuza e zgjerimit” shfaqet e paplotësuar.

Fusha e kritereve është e tillë që mundëson penetrimin e dëshirave apo synimeve kombëtare të një vendi anëtar, nën pretekstin e kritereve të ndryshme për të shkaktuar, pengesë, zvarritje, por edhe bllokim të procesit. Pra, nëse shikojmë vetëm një kriter, atë politik ku kërkohen  “institucione stabile që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave”, në parim duket i qartë. Por, nëse i rikthehemi kritereve për vlerësim në thelb, nuk ka një qartësi matematikore, ku, deri në ç’masë, shtrihet respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut ? Si vlerësohen parametrat, se tashmë është garantuar respektimi i të drejtave të njeriut dhe mbrojtja e pakicave kombëtare?  A gjykohet dhe vlerësohet ajo edhe në raport me respektimin e tyre në vendet anëtare? Pra, nëse kërkohet respektim i minoritetit grek në Shqipëri, a duhet logjikisht që ai shqiptar në Greqi, tashmë të jetë i respektuar dhe konform normave të së drejtës në lidhje me minoritetet ? Apo nëse, në shumë prej vendeve anëtare, kemi dhunim të të drejtave të njeriut, a nuk mund të vlerësohet imponimi i këtyre kritereve, ndaj vendeve në proces zgjerimi, si kritere me “baza të larta idealizimi”?!

Zgjerimi është një proces ku nuk fiton vetëm njëra palë, por është i vlefshëm për të dy palët, ndryshe nuk do të ekzistonte aspak hapësira për zgjerim. Mali i Zi është shndërruar në pararojën e gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe duket se shumë shpejt, ndoshta përgjatë legjislaturës së ardhshme, do të bëhet pjesë e Unionit. Bllokimi i zgjerimit, që u shkaktua nga politikat e qendrës së djathtë, është i përkohshëm. Përgjatë spektrit politik evropian, partitë e tjera kanë konfirmuar, se janë pro zgjerimit. Social-Demokratët, kërkojnë mbështetje për politikat e zgjerimit, Liberal-Demokratët synojnë një progres gradual, dhe të Gjelbrit kërkojnë mbajtjen e portës hapur për zgjerime të mundshme. Nuk duhet harruar se, ndonëse u deklarua një bllokim pesëvjeçar i zgjerimit, ndryshimet dhe presionet gjeo-politike, në kufirin lindor të Unionit, arritën të shkaktojë një reflektim ndoshta të munguar, apo të nënvlerësuar në këtë drejtim. Vëmendja ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme të jetë e lartë, pasi eksperienca historike ka treguar se, lenia në harresë gjeneron kosto, që nuk izolohen thjesht në një nivel lokal.

Sfidat

Dy kapituj e fundit që janë hapur, kanë të bëjnë me Tatimet (kapitulli 16) dhe Marrëdhëniet e Jashtme (kapitulli 30). Në një vlerësim teknik, që këto kapituj të mbyllen përkohësisht, BE kërkon arritjen e disa standardeve. Konkretisht, kjo përfshin nga njëra anë amendimet legjislative nga autoritetet malazeze dhe nga ana tjetër kapacitet administrativ për të implementuar dhe përforcuar legjislacionin e Unionit, në lidhje me kapitujt përkatës.

Për kapitullin 16 mbi tatimet, sfidat ndaj Malit të Zi, shtrohen në adoptimin e legjislacionit, që kërkon përshtatje të mëtejshme. Në veçanti, kërkohet progres domethënës, kundrejt përshtatjes në fushën e TVSH-së, akcizës dhe taksimit të drejtpërdrejtë. Deri në këto momente, Mali i Zi, vlerësohet se ka një kapacitet administrativ adekuat, si edhe infrastrukturën e kërkuar, në zyrat qendrore fiskale dhe lokale të tatimeve, për përforcim të legjislacionin të taksave, mbledhjen e tyre, si edhe për kontrollimin e taksapagueseve. Përveç kësaj, ndaj autoriteteve malazeze kërkohet, që të sigurohet, se Zyra Ndërlidhëse Qendrore dhe Zyra Ndërlidhëse Qendrore e Akcizave janë plotësisht të pajisur me personel dhe operacionalë deri në momentin e pranimit. Mali i Zi, duhet të demonstrojë gjithashtu progres të mjaftueshëm në zhvillimin e sistemit informatikë të administratës së tatimeve. Kjo përfshin në veçanti, ato për TVSH-në, detyrimet mbi akcizën dhe sistemin IT të nevojshme për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit në fushën e taksimit të drejtpërdrejtë.

Ndërsa sfidat në lidhje me kapitullin 30, Marrëdhëniet e Jashtme, shtrihen në hartimin e një plan-veprimi, që i duhet prezantuar Komisionit dhe që lidhet me përgatitjet e duhura në terma të harmonizimit legjislativ. Ky plan, kërkohet që të sjellë marrëveshjet ndërkombëtare në përputhje me legjislacionin e BE-së. Ai duhet të vlerësojë gjithashtu kapacitetin administrativ dhe kontrollues për të siguruar aplikim të plotë dhe përforcim të legjislacionit në këtë kapitull. Në total, më shumë se gjysma e kapitujve tashmë janë hapur, ngelen vetëm 17. Nëse vazhdohet me këtë ritëm procedim-vlerësimi, Mali i Zi, mund të jetë shumë shpejt anëtari i 29 i Unionit, ndoshta legjislaturën e ardhshme./im.ta/

 

Share This Article