Policia e Durrësit arrestoi dje të kërkuarin Marlen Sallaku, i cili akuzohet se tentoi të kryente një vrasje tri vite më parë. Sipas burimeve policore, 38-vjeçari Sallaku dyshohet se është përfshirë në krim më 31 korrik të vitit 2012, ngjarje e ndodhur në Shkozet të Durrësit, pas një konflikti të çastit.
Në shënjestër të atentatit me armë zjarri ka qenë i riu Mirdash Fonda, i cili u ka shpëtuar plumbave. Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës e dënoi 38-vjeçarin Sallaku me 6 vite burg, ndërsa Gjykata e Apelit e ka kthyer dosjen e tij për rigjykim, për shkak të parregullsive në procesin gjyqësor.
Në ditët në vazhdim, pritet që Gjykata e Durrësit të japë edhe vendimin përfundimtar mbi masën e dënimit për të arrestuarin Sallaku, pasi gjyqi ndaj tij është bërë në mungesë. Akuzat ndaj tij kanë qenë “vrasje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”
