Në një kampionat ku është e vështirë të bësh parashikime dhe ku titulli duket se do të vendoset në 90 minutat e fundit, i vetmi i fituar deri tani është Pero Pejic, që ashtu si një vit më parë bëhet gati të mbathë “Këpucën e Artë” të goleadorit. Sulmuesi i Kukësit, me dy golat e shënuar ndaj Elbasanit, dhe 24 në total në 29 javë kampionat pothuajse ka zyrtarizuar trofeun e tij personal, pasi ndjekësi më i afërt Stevan Racic i Partizanit shfaqet shumë i shkëputur në garën për golashënuesin.
Pejic dhe goli në fakt në këtë sezon duket sikur ka qenë binjaku i golit, sidomos ndaj Elbasanit, që e ka viktimën e tij të preferuar, teksa i ka realizuar plot tetë herë në katër ndeshje, me një mesatare prej 2 golash për sfidë. Në fakt, nëse do t’i hidhnim një dhe statistikave, vetëm Pejic te Kukësi ka shënuar më shumë se tërë pjesa tjetër e skuadrës, duke realizuar 24 nga 47 golat e verilindorëve. Gjithashtu nga 61 pikë që ka Kukësi në renditje, 40 i ka vetëm falë golave të Pejicit, që përjashto golat ndaj Flamurtarit dhe Elbasanit në fazën e parë ka qenë gjithmonë vendimtar me realizimet e tij. Në javët e fundit sidomos Pejic ka qenë futbollistë që ka nxjerrë nga telashet verilindorët dhe pavarësisht se “Këpuca e Artë” është e garantuar, në sprintin final për titullin te Kukësi ato që do të vendosin do të jenë pikërisht golat e Pejicit.
