Dallaveret me pensionet e ushtarakëve

redaktor

Zotit Edi Rama! Në vitin 1991, me vendosjen e gradave në ushtri u miratua edhe statusi i ushtarakut. Në mars 1992 PD-ja kishte fituar zgjedhjet. Në gusht qeveria e saj bëri reformën e parë në ushtri e cila nxori në lirim mijëra ushtarakë. Presidenti Berisha nuk e zbatoi statusin e ushtarakut duke lënë ata në mëshirë të fatit. Unë kur dola në pension në Shkodër në vitin 1996, po atë ditë dilte në pension një pastruese e qytetit me fillore. Mua më doli pensioni sa i asaj!

Mbas shumë protestash, u bë i mundur miratimi i ligjit për pension suplementar nga qeveria Meta në 1999 duke lënë në fuqi pensionin minimal të pleqërisë të vendosur nga qeveria e PD-së. U deshën 10 vjet të tjera protesta, që të miratohet ligji për pensionet e ushtarakëve në vitin 2009. Për çudi qeveria e Berishës nuk e zbatoi këtë ligj duke na detyruar ta kalonim në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2010. Kështu Sali Berisha nxori një akt normativ të qeverisë që ulte masën e pensioneve të ushtarakëve. Akti normativ i qeverisë lejon që të bëhen gabime gjatë rrugës së rillogaritje, lejon që të justifikohen shkopinjtë nën rrota, që të bëhet korrupsion nga Ministria dhe Instituti i Sigurimeve etj. P.sh, si ka mundësi që një kapiten të marrë më shumë se një major apo kolonel? Si ka mundësi që një ushtarak me gradë dhe funksion të njëjtë, merr më pak se 6000-8000 lekë?!

Zoti Kryeministër! Nga kjo katrahurë e Berishës, le të jetë ky një apel i fuqishëm për t’i dhënë fund padrejtësive që janë bërë me këto pensione. Mendoj se qeveria juaj duhet të kontrollojë me një ekip të veçantë të gjitha dosjet e pensioneve të ushtarakëve, sepse janë bërë dallavere politike dhe korruptive!

Letër e nënshkruar,

Ndue Ndoci

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *