Profili i një vajze që i bën të gjitha. Kush është Flogerta Krypi, 22–vjeçarja nga Tirana, e shkolluar në Gjermani, e cila po organizon Panairin e shkrimtarëve të rinj. Ajo është “ambasadore e tifozëve gjermanë në botë” dhe autore e pesë romaneve…
Në kuadër të Ditës Botërore të Librit, më 23-24 prill, klubi letrar “Pena e Re” organizon Panairin e Parë Kombëtar të Shkrimtarëve të Rinj Shqiptarë.
Do t’u jepet mundësia për herë të parë të gjithë shkrimtarëve të rinj të promovohen duke prezantuar librat e tyre mes lexuesve. Janë të ftuar të gjithë të aplikojnë për t’u bërë pjesë e këtij projekti për të jetuar dy ditë ndryshe, të cilat do të fillojnë në orët e para të mëngjesit dhe do të mbyllen me kurorëzimin e një fituesi.
Sapo mësuam këtë informacion, u lidhëm me organizatoren e këtij Panairi, Flogerta Krypin. Nga biseda, kuptuam se 22-vjeçarja e lindur në Tiranë, nuk ishte një e re e zakonshme.
Gjatë rrëfimit të saj, kuptuam se para së gjithash ajo ishte vetë shkrimtare, nga ana tjetër ishte ekonomiste, po ashtu ishte edhe Ambasadore e Tifozëve gjermanë në botë, mbante postin e drejtoreshës ekzekutive në një organizatë, vazhdonte paralelisht shkollën për financë, kishte bërë një stazh 6-mujor pranë Bundestagut gjerman dhe kishte plot plane për të ardhmen, që i lidh doemos me Gjermaninë.
Flogerta kishte një vetësiguri që të bënte të mendoheshe, nëse ishte vërtet kaq e zonja, apo oratoria të gënjente…!? Më poshtë, rrëfimi i Flogertës…
Flogerta, na trego pak për veten, ku ke lindur…?
Unë kam lindur në Tiranë më 14 korrik 1993. Shkollën fillore dhe të mesme e kam kryer në Tiranë dhe më pas ndodhi që pasi aplikova në një universitet në Gjermani, Berlin, fitova bursë të plotë dhe vazhdova atje studimet për financë në Berlin “School of economy and law”. Gjatë vitit të parë të shkollës profesorët e mi më sugjeruan të ndryshoja degën dhe të vazhdoja studimet për marketing. Pasi u ktheva në Shqipëri, vendosa të mos lë pas pasionin tim për numrat dhe për këtë arsye po ndjek studimet për financë.
Ndërsa ndodhesh në Tiranë, je duke u marrë me disa gjëra njëkohësisht apo jo?
Që prej një viti unë jam drejtoresha ekzekutive e organizatës “Unë zgjedh të ndryshoj botën”, një organizatë që është e fokusuar tek të rinjtë dhe ka zhvilluar projekte nga më të suksesshmet në rang kombëtar. Kemi disa grupe pune brenda në organizatë e cila e ka bazën në Berlin. Ndër projektet më të suksesshme mund të përmend “Ambasadorët e rinj të paqes” ku ka qenë i pranishëm dhe ambasadori gjerman zoti Helmut Hoffmann, “Cancer is just a battle, not the war” një fushatë sensibilizimi për kancerin me rreth 1500 fotografi, “klubi letrar Pena e Re”, që organizohet çdo muaj, “Klubi i parë shkencor në Shqipëri”, “Panairi i shkrimtarëve të rinj” që do të zhvillohet këtë muaj. Veç organizatës, merrem dhe me shkollën në të cilën jam në përfundim si dhe jam në prag të botimit të librit tim të pestë, roman. Titullohet “Premtime të gdhendura në qiell” dhe është vazhdimi i romanit tim të parë “Gjurmët e hijes pa emër”. Kam dhe një sërë projektesh për të aplikuar së shpejti.
Aktualisht je duke organizuar një aktivitet në Tiranë. Çfarë është “Panairi i shkrimtarëve të rinj” dhe pse ke zgjedhur t’ju vish në ndihmë atyre?
Sepse unë jam një shkrimtare e re që nuk është promovuar ashtu siç duhet në treg, në krahasim me promovimin që merr një shkrimtar i ri jashtë Shqipërisë, ndaj vendosa të zhvilloj këtë promovim për shkrimtarët e rinj, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botë. Është një projekt tërësisht origjinal dhe i ideuar nga unë.
Si do të organizohet, kush mund të marrë pjesë aty dhe çfarë fitohet në fund?
“Panairi i shkrimtarëve të rinj” do organizohet në formën e promovimeve ku çdo autor do të ketë mundësinë të promovojë librat e tij, të ballafaqohet me lexuesin dhe në bazë të disa kritereve do të kemi një fitues i cili do t’i jepet mundësia t’i botohet një libër që ai e ka në punim e sipër.
Pse ke zgjedhur të studiosh ekonomi?
Gjithmonë i kam dashuruar numrat dhe dashuria ime e parë në shkollë ka qenë matematika. Kur isha e vogël, mendoja që financa ishte dega që do të më lidhte më shumë me numrat. U rrita duke e dashuruar gjithmonë e më shumë numrin dhe duke përforcuar lidhjen me matematikën. Kur e hasa si lëndë për herë të parë e pëlqeva shumë dhe mendova të vazhdoj këtë shkollë. Veten e kam menduar gjithmonë një ditë si drejtoreshë e bankës së BE-së në Frankfurt.
Një ekonomiste që shkruan! Çfarë të lidh me letërsinë?
Mendoj që ekonominë dhe letërsinë në jetën time e lidh vetëm unë dhe gërmat. Me letërsinë më lidh dashuria e madhe për librin. Unë nuk luaja kur isha fëmijë, lexoja. Fëmijërinë e kam kaluar duke lexuar libra shumë të vështirë për t’u kuptuar nga një fëmijë, duke e nisur me romane dhe duke përfunduar me librat e spiunazhit. Megjithatë diçka e them me bindje, pa letërsinë mund të jetoj, por pa numra jo. Ata janë një botë më vete dhe janë bota ime.
Cila është eksperienca jote në parlamentin gjerman?
Çdo vit në parlamenti gjerman organizon stazhe për studentët që kanë mbaruar në bachelor dhe flasin rrjedhshëm gjermanisht. Aplikova dhe u pranova. Ky ‘internship’ konsiston në të punuarit në parlament për rreth 6 muaj me një bursë dhe ndihmon një deputet që e përcakton stafi i punës që merret me stazhet. Ka qenë ndër muajt më të bukur të jetës time dhe të them që e dashuroj Gjermaninë është pak.
Ju jeni edhe tifoze e “çmendur” e Gjermanisë në futboll apo jo?
Po që prej vitit 2012 ku unë ndodhesha me studime në Gjermani. Një miku im gazetar i dërgoi DFB (federata e futbollit gjerman) disa foto të dhomës time që janë të tejmbushura me flamuj gjermanë duke nisur që nga perdet e duke përfunduar me posterat nëpër mure. Emaili i parë që unë mora ishte një email falenderimi që u pasua me postera origjinalë të kombëtares, suvenire, uniforma dhe në fund ishte supriza një letër nga drejtori i DFB, Florian Streib dhe disa autografe origjinale të kombëtares gjermane.
Po, si arrite të bëhesh ambasadore e tifozëve gjermanë në botë?
Dashuria për diçka unë besoj që është pikënisja e madhe, thjesht mënyra ime e të dashuruarit është një “fenomen” në vete. E kam shprehur kudo dedikimin tim ndaj kombëtares dhe miqtë e mi gjermanë ishin gjithmonë e më shumë të habitur kur më shikonin apo më dëgjonin sesi bëja unë tifozëllik apo e transmetoja dashurinë për ta. Nisur nga këto “çmenduri” federata vendosi të më nderonte me këtë titull.
Cili është roli yt me tifozët?
Nuk është një detyrë e mirëfilltë. Thjeshtë gjatë kampionateve europiane dhe botërore ne merremi me organizimin e grupit të tifozëve dhe pse kjo është një përgjegjësi më e madhe e Fun Club Germany.
Të pëlqen ky fakt?
Sigurisht që po. Kjo është ndër gjërat më të bukura që më ka ndodhur në jetë. Kur kam marrë letrën nga zoti Streib kam qenë shumë e prekur, madje më ra të fikët kur pashë autografet. Brenda një zarfi ishte ëndrra e një jete.
Cila është lidhja jote aktuale me Gjermanin dhe ku e mendon veten në të ardhmen?
Ku e sheh veten pas 20 vitesh? Mund të them që do të kem arritur synimet e mia. Do të jem një shkrimtare kudo e njohur në botë, jo vetëm si bestseller, mbi të gjitha si një njeri që e nëpërmjet shkrimeve të saj e bën botën një vend më të mirë. Më në fund do të kem arritur të kem patentën e dy formulave të matematikës që kam zbuluar që në klasën e shtatë. Një politikane e zonja në Gjermani me një familje shumë të lumtur me tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë që do të quhen Ilir, Herta dhe Berlin. Do të jem një tjetër femër e hekurt që e ndryshon botën për mirë. Të paktën kjo është mënyra ime ideale e të perceptuarit botën. Lidhja ime me Gjermaninë nuk do të shkëputet kurrë sepse unë do të jetoj atje. Të shkëputesh Gjermaninë nga unë është si të shkëpusësh zemrën nga unë. Gjermania është shtëpia ime.
Kur thua që Gjermania është shtëpia jote, po Shqipëria çfarë është?
Shtëpia ime e parë, vendi ku unë u rrita. Toka që më mësoi të jem kjo që jam. Vendi që hodhi elementët e brumit tim, por ishte Gjermania ajo që i gdhendi dhe më shndërroi në këtë që jam sot.
Cila është familja jote dhe çfarë ke trashëguar nga ata?
Familja ime është familja më perfekte që unë mund të kisha patur ndonjëherë. Me një baba që lodhet prej vitesh në radhën e policisë së shtetit shqiptarë për të patur një vend me sa më pak krime, me një nënë të mrekullueshme që më ka mësuar të jem mbi të gjitha një njeri i mirë. Prej saj dhe babit kam trashëguar dashurinë për futbollin dhe librin si dhe gjuhët e huaja. Kam dy motra dhe vëllezër që janë më të vegjël se unë dhe përpiqem gjithmonë të jem shembulli më i mirë për ta dhe pse jo gjithmonë ia dal. Familja ime është një familje popull, me të gjithë problemet e një familje të zakontë shqiptare dhe që ka vuajtur shumë në jetë për të më siguruar gjërat bazike të jetës. Familja ime mban dhe heroin tim, një njeri që nuk jeton prej 6 vitesh tashmë. Një njeri emrin e të cilit një ditë do e shkruaj në qiell.
Ke një vetësiguri të “frikshme” nuk të tremb kjo gjë?
Jo. Nuk do t’ia kisha dalë mbanë asnjëherë nëse nuk do e kisha. Problemi është që unë nuk kam frikë të dështoj, madje i kam dashuruar dështimet e mia sepse çdo i tillë më ka bërë më të fortë.
Je ti një vajzë që të pëlqen luksi, paraja…?
Paratë i pëlqejnë çdo njeriu. Mua më pëlqen vetëm ato që mund të bëj me paratë. Në jetë dua të kem mjaftueshëm sa për të patur një jetë normale dhe mundësinë për të patur një bibliotekë të madhe në shtëpinë time.
Cili është moment më i vështirë që ke kaluar deri më tani në jetën tende?
Kanë qenë shumë të tilla, nëse dikush do të dinte me detaje jetën time, nuk do e besonte se si një njeri që mund të kalojë kaq shumë vështirësi, ia ka dalë mbanë. Dita më e vështirë e jetës time ishte 19 korriku i 2009 kur humba heroin tim. Ai vdiq duke më lënë pas mua dhe shumë ëndrra të thyera përgjysmë.
Ke frikë?
Dikur kisha frikë mos humbisja vetëm dhe mos prindërit e mi nuk ishin krenarë për mua. Në një moment të caktuar të jetës time mora një vendim që solli humbjen e çdokujt që unë doja. Pas asaj dite nuk kisha më frikë nga askush dhe vazhdoj të mos të kem frikë asgjë. Ndonjëherë më frikësojnë objektivat e mia, por shtrëngoj flamurin dhe e di që do t’ia dal.
Ku e gjen gjithë këtë energji?
Unë mendoj që nuk kam asgjë të jashtëzakonshme brenda vetes. Thjesht unë i dashuroj shumë njerëzit, pasionet e mia, dhe kam patur gjithmonë një super vullnet për gjërat që kam dashur të arrij dhe objektivat e mia. Mbi të gjitha në jetë dikujt i kam dhënë fjalën që do të jem një njeri shumë i madh dhe bota do e dëgjoj emrin tim. Ai njeri, familja ime dhe flamuri gjerman janë frymëzimi im.
Çfarë nuk shkon me të rinjtë në Shqipëri, sipas teje?
Janë dembelë dhe i duan gjërat gati. Janë mësuar që prindërit tu japin gati gjithçka dhe kjo gjë bën që dhe kur ata duan të zgjedhin një shkollë pyesin familjen dhe presin që punën tua gjejnë ato. Të rinjtë shqiptarë nuk dua të vuajnë për të arritur suksesin. Duan të bëhen milionerë brenda ditës. Të gjithë ankohen që nuk kanë punë dhe të ardhura, por deri më sot nuk kam parë ndonjë lokal në Tiranë bosh e sidomos në bllok që i kanë dhe çmimet më të kripura. Askush nuk vjen të thotë që unë do të ndihmoj pa asnjë kusht. Ai që e bën këtë gjë ka gjithmonë një faturë të lartë në fund.
Aktualisht jeton në Tiranë, me familjen? Ke miq këtu, mikesha..?
Po me familjen sigurisht. Kam miq të rinj e të vjetër të cilët kanë mësuar të më njohin dhe pranojnë për atë që unë jam dhe e anasjelltas. Është shumë e rëndësishme për mua që mos të kërkojnë ndryshime tek unë. Për mua të do me të vërtetë dikush që nuk të kërkon ndryshime thelbësore dhe në jetën tënde dhe vetëm të jep sugjerime por jo urdhra.
Ke kontakte me ambasadorin Gjerman në vendin tonë?
Po kemi patur, kontakte te vazhdueshme. Ai ka qenë i pranishëm në disa projekte të ideuar nga unë si në shkollën time ashtu dhe në aktivitet të organizatës. Ai është një burim frymëzimi për mua dhe e marr shembull në shumë aspekte të jetës time.

Flogerta Krypi nje vajze qe duhet ta kene idhull shume te rinj qe kerkojne tju vije cdo gje nga qielli .Bravo vajze vetem me pune e perkushtim arrihen endrat dhe objektivat qe i ke vene vetes .Familja le te krenohet je nje shembull per te gjithe te rinjte qe kerkojne te arrijne te behen dikush ne jete.Urime dhe Suksese ne jete !
Faleminderit per motivimjn, per mua ka shume rendesi. Me shume respekt Gerta.
Duhet te krenohemi me te tille njerez, jane me te vertet krenaria e kombit.Me behet qejfi qe kjo vajze po ecen shume mire me kembet e veta si dhe ndihmon e promovon te rinjte.Ka shume te rinj shqiptare neper bote qe jane bravo, por keta indivite duhet te njifen me shume ne publik ne menyrevqe te behen shembull per femijet e te rinjte e tjere, duhen promovuar , stimuluar e ndihmuar qe te bejne me shume per te rinjte, sidomos per qe ate qe eshte ne shqiperi.
Per mendimin tim Flogerta eshte nga ata njerez,qe pa te drejte nje pjese e shoqerise shqiptare i promovon si modele te shendetshme dhe per pjesen tjeter te te rinjve.Thote qe lexon,dakort ,por nuk percon asgje vec statistikes te veprimit qe kryen (pra te lexuarit).Asgje me teper nuk eshte se nje cilimi me shume komplekse,qe i ka ecur mire ne shkolle ,te cilat keto komplekse i shpreh ne menyre te paturpte me ulje ndaj kombit te vet dhe servilizem ndaj nje vendi tjeter,Nje mutant nga pikepamja intelektuale dhe shpirterore,qe e servir veten si te pa kuptuar dhe te paktueshme nga shoqeria.Ajo qe di une ne fakt eshte ,se jo cdo kompliment prinderor duhet marre seriozisht,as shoqeror e as i eprorve siper teje,sepse natyra parfumeske e komplimenteve kerkon ti nuhasesh dhe jo ti gelltisesh ato.Gerda e pangopur nuk i ka rezistuar tundimit ti shijoje grimcat e hidhura me arome te mire dhe fajin per pjesen e hidhur e faturon diku nga vendi i saj duke u marre me pergjithesime per bashkemoshataret e saj.Te lumte ti thuash,e i rrofte atyre ,qe me hipokrizine me te madhe e veshin si individ inteligjent nje person,qe eshte produkt i nje bote pa horizont dhe me nevoja te thella njohjeje te vetes,para se te nise te ndryshoje boten.