Rrëfim i Gjeneralit 88 vjeçar për jetën e tij, ushtrinë e burgun
“Isha vetëm 24 vjeç, më i riu ndër gjithë gjeneralët. Dashuria e vetme e rusëve për Shqipërinë, ishte Baza Ushtarake e Vlorës”
Gjeneral Halim Ramohito, një nga ushtarakët më të lartë të vendit, përfaqësues i Shqipërisë për shumë vite në Traktatin Ushtarak të Varshavës, sapo i ka kaluar 88 vitet. Me një bagazh jetësor, intelektual dhe arkivor, ai mbart e ruan dëshmi të historikut të ushtrisë shqiptare në shumë dekada ekzistencë… Shpesh, teksa rrëfen për ‘Dita’, ai i referohet një ditari që thotë se e ka ndër gjërat më të çmuara të jetës së tij…
Gjeneral Ramohito! Ju për shumë vite keni qenë përfaqësues i Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, e njëkohësisht, dëshmitar i kurbës së marrëdhënieve të Shqipërisë me ish-Bashkimin Sovjetik. Diçka më konkretisht për lexuesit e ‘Dita’?
-Në shtator të vitit 1957 emërohem si përfaqësues ushtarak i Republikës së Shqipërisë në Komandën e bashkuar të Forcave Ushtarake të traktatit të Varshavës, njëkohësisht dhe atashe ushtarak në Moskë.
Pra, dy funksione njëherazi?
-Po. Ky unifikim i funksioneve për mua, ndryshe nga praktika e vendeve të tjera, mesa kuptova atëherë dhe e konfirmoj logjikisht edhe sot, ishte për të kursyer fondet. Në bazë të vendimit të qeverisë shqiptare, këtë funksion të lartë unë e fillova në tetor të vitit 1957 dhe pas një pune intensive e ngarkese të tillë, e kam përfunduar zyrtarisht më 24 maj të vitit 1961. Kjo, po e theksoj që në fillim të rrëfimit tim, shënon fundin e misionit dhe rikthimin në atdhe, pas shumë peripecive e vështirësive të paparashikuara. Këtu, dua të theksoj se fati i ekzistencës fizike të personit tim, ishte krejt i papërfillshëm para detyrës që mua më ishte ngarkuar në shërbim të Shtetit shqiptar e kombit.
Si e pritët emërimin në këtë detyrë të rëndësishme?
-Nuk e prisja, por them se isha krenar dhe i vendosur për të bërë gjithçka. Dua që të theksoj që në fillim se unë e njihja Moskën dhe gjuhën ruse edhe për faktin se në vitet 1949-1952 kisha mbaruar me rezultate të shkëlqyera Akademinë Ushtarake “Frunxe”. Gjithashtu, puna ime si diplomat ushtarak në vitet më të vështira të miqësi-armiqësisë e deri në ikjen (ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike), ishte një ndihmesë jo e vogël për të përmbushur detyrën dhe për të zbuluar e reaguar ndaj një skenari ruso-sllav që ishte përgatitur e po synohej të zbatohej në kurriz të vendit tim. Por, theksoj se njohja e Moskës dhe gjuhës ruse, u bënë një faktor tepër i rëndësishëm për të filluar punën time të vështirë në organin më të lartë politiko-ushtarak (Traktati i Varshavës) dhe Republikën e BRSS.
Bëhet fjalë për afro 6 dekada më parë. Diçka për brezin e ri, çfarë ishte Traktati i Varshavës?
-Në këtë pakt(Traktati i Varshavës), si anëtarë me të drejtë vote ishin 8 shtete të Evropës Lindore, kurse katër të tjerat të Kontinentit Aziatik, në këtë pakt, ishin me të drejtën e vëzhguesit. Ky Traktat, siç përjetova dhe siç është konfirmuar në arkivat zyrtare u shpall më 14 maj të vitit 1955 në kryeqytetin e Polonisë, në Varshavë. Për këtë arsye, siç ishte menduar dhe siç u gjykua e arsyeshme nga themeluesit, mori emrin e vendit themelues, pra “Traktati i Varshavës”.
Cili ishte misioni i këtij Traktati?
-Qëllimi kryesor politik dhe ushtarak i këtij Traktati, referuar dokumenteve të themelimit të tij, ishte kundërvënia ndaj Paktit të Atlantikut Verior, të formuar në vitin 1949, pra 6 vjet më parë. Të dy këto Pakte, në misionin e krijimit dhe qëllimin e ngritjes e funksionimit, pavarësisht pohimeve deklarative për ‘Mbrojtje’, në thelb ishin llogari kundërvënie mes njëri-tjetrit për zona influence, deri në përballje ushtarake me forca e mjete.
Për moshën tuaj të re, kjo ishte një detyrë e rëndësishme dhe e vështirë?
-Sigurisht, për mua, si gjenerali më i ri i Traktatit të Varshavës (vetëm 24 vjeç), ndonëse me një shkollim të plotësuar për kohën, ashtu si dhe kolegët e vendeve të tjera, nuk mund të ndodhte apo të ishte ndryshe. Situata nuk qe e lehtë, për faktin se edhe gjatë luftës së dytë botërore, por edhe më pas në periudhën e Luftës së Ftohtë, kontinenti që ishte dhe më tej u evidentua në dy kampe kundërshtare deri në ekzistencë. Por si ushtarak madhor, si njeri që kisha mbi “shpinë” mbrojtjen e interesave të vendit tim, por dhe dinjitetin e ushtarakut që është betuar për Flamurin e për Kombin, përballë makinacioneve, provokimeve e kërcënimeve të hapura nuk e ka pasur të lehtë.
Si e vlerësoni pas kaq dekadash atë situatë të kohës dhe kontributin tuaj në Traktatin e Varshavës?
-Unë bëra gjithçka që mund të bënte një oficer madhor i vendit tim, çdo qytetar i denjë i vendit, por sa dhe si e kam bërë, edhe pse vura në funksion të misionit të gjitha energjitë e mia mendore e fizike, deri dhe jetën time(i ndërgjegjshëm se i shërbeja Kombit), këtë e ka thënë e do ta thotë më mirë koha. Por e theksoj, që misioni nuk qe i lehtë, përkundër…
Më konkretisht në këtë drejtim?
-Pra, unë si përfaqësuesi më i lartë ushtarak i Shqipërisë në Traktatin e Varshavës dhe pranë Bashkimit Sovjetik, isha i bindur dhe pashë me sytë e mi se në një kontekst kohor ku problemet mes dy shteteve apo grupimeve mund të zgjidheshin vetëm në dy mënyra: me tavolinë bisedimesh apo me mjete dhune(luftë) dhe misioni im nuk ishte i lehtë.
Dekada të tëra si ushtarak madhor e në funksione të rëndësishme në kohët më të vështira, i dënuar më pas dhe familjarisht, por keni heshtur gjatë?
-Kam heshtur për mbi 50 vjet, përballë të thënave e të pathënave për politikën shtetërore shqiptare dhe ushtrinë e kombit tim, edhe pse jo një herë mbi mua personalisht (që kam vuajtur ndëshkimin e Enverit e regjimit të kohës me vite burg e internim familjar), për vetë faktin se si ushtarak i Kombit, si të gjithë ushtarakët e botës, kam bërë betimin dhe i përmbahem atij. Por kur shikoj se ngjarje e fenomene të asaj kohe, ndër më të vështirat e Kombit e rajonit nuk pasqyrohen drejt apo deformohen nga persona që kanë qenë periferikë në ato ngjarje apo nuk kanë dijeni fare, unë nuk mund të hesht…
Keni një ditar të jetës e aktivitetit tuaj në këto dekada?
-Po. Në ditarin tim, i jam referuar asaj që kam përjetuar e “prekur” direkt, por dhe dokumenteve zyrtare që unë i kam ruajtur që në atë kohë apo i kam siguruar edhe vite më vonë.
Kush ishte struktura e Traktatit të Varshavës në vitin 1961?
-Mbi të gjitha qëndronte Këshilli Konsultativ Politik i nivelit më të lartë që mblidhej një herë në vit. Në të, sipas vendimit Themelues, merrnin pjesë udhëheqësit kryesorë të Partive dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse në këtë Traktat. Organ i këtij Këshilli ishte dhe Komiteti i Ministrave të Mbrojtjes. Mbledhjet e Këshillit Konsultativ Politik përgatiteshin nga Sekretari i Përgjithshëm i vendosur në ministrinë e Jashtme Ruse dhe nga Shtabi i Forcave të Armatosura të Bashkuara të tij, i vendosur në ministrinë e Mbrojtjes së Bashkimit Sovjetik. Komandant i Përgjithshëm i Forcave Ushtarake të Bashkuara, në bazë të vendimit themelues që nuk ndryshoi dhe pas daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, caktohej sovjetik.
Kush ishte në krye të Traktatit të Varshavës kur shkuat ju?
-Në këtë detyrë, unë gjeta Marshallin Koniev, por më pas, siç pashë nga afër dhe siç konfirmohej zyrtarisht, emëroheshin persona me influencë të drejtuesve të BRSS, të Stalinit në fillim, të Hrushovit pas tij, e të tjerëve më pas. Unë, pra, kur mora detyrën si përfaqësuesi ushtarak i Shqipërisë në këtë organizëm më të lartë të Traktatit të Varshavës, siç theksova më lart, gjeta Marshallin Koniev, e pas tij erdhi Marshalli Greçko.
Në bazë të aktit të themelimit të firmosur nga drejtuesit më të lartë të vendeve pjesëmarrëse(Nga Shqipëria firmosi Enver Hoxha), ministrat e Mbrojtjes së gjithë vendeve pjesëmarrëse në Traktat, ishin njëkohësisht dhe zëvendës të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave Ushtarake…
Ku ishte i akomoduar ky organizëm?
-Shtabi ushtarak i Traktatit të Varshavës me emrin e koduar “Drejtoria e Dhjetë”, ishte e vendosur e gjitha në një kat; në atë të gjashtin të godinës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Sovjetike, që ndodhej në qendër të Moskës, afër Sheshit të Kuq. Në përbërje të tij ishin Drejtori të ndryshme si ajo e përgatitjes Operativo-Luftarake të trupave, ajo e përgatitjes së kuadrit të vendeve të Traktatit, që përgatiteshin në Bashkimin Sovjetik. Në përbërje të tij ishte dhe Drejtoria e Furnizimit me Armatime, që njihej me emrin e koduar si “Drejtoria e inxhinierisë” që ishte vendosur në ministrinë Sovjetike të Punëve të Jashtme…
Cila ishte përbërja e Shtabit të Traktatit të Varshavës?
-Në përbërjen e Shtabit të Traktatit, domethënë të Drejtorisë së Dhjetë, ishin gjithsej afro 150 vetë, kuadro të ushtrisë Sovjetike. Nga këta, ne ishim 7 gjeneralë e kolonelë me cilësinë e përfaqësuesve të përhershëm të ushtrive të vendeve socialiste, anëtare të Traktatit të Varshavës. Funksionet tona, në bazë të një instruksioni të përpiluar për këtë qëllim, kryesisht ishte të ndiqnim përgatitjen luftarake operative të trupave, të kuadrit, si dhe furnizimin me armatime të Forcave Ushtarake të Traktatit… Të katër shtetet Aziatike, Republika Popullore e Kinës, e Koresë, e Vietnamit dhe e Mongolisë, nuk kishin përfaqësues të përhershëm në Shtabin Ushtarak të Traktatit. Por edhe në mbledhjet e Këshillit Politik Konsultativ, megjithëse ajo ishte e nivelit të lartë, RP e Kinës përfaqësohej vetëm nga ambasadori i saj në Moskë dhe Atasheu Ushtarak të cilët, siç konstatova, përgjithësisht nuk e merrnin fjalën në ato mbledhje. Pra, Sovjetikët, në njëfarë mënyre, vetë shkruanin dhe vetë vulosnin në këtë Traktat. Sovjetikët, edhe në ministritë e Mbrojtjes së këtyre vendeve kishin me dhjetëra ushtarakë të veshur me petkun e përfaqësuesve të Traktatit të Varshavës.
Çfarë përfaqësuesish kishte Traktati i Varshavës në Shqipëri?
-Në Tiranë, në ministrinë tonë të Mbrojtjes, ata kishin 10-15 gjeneralë dhe oficerë përfaqësues(numri lëvizte kohë pas kohe), të cilët të gjithë ishin sovjetikë dhe vepronin me tagrin e Përfaqësuesve të Traktatit. Veç këtyre, edhe në njësitë kryesore të ushtrisë tonë dhe të ushtrive të tjera, sovjetikët kishin këshilltarë. Në vitet ‘50, sipas statistikave zyrtare që kishim në Shtabin e Traktatit, përfaqësuesit rusë të këtij Pakti u vendosën pothuaj në të gjitha Brigadat e regjimentet, në një numër që arrinte rreth 100 vetë. Çdo shtet pjesëmarrës në këtë Traktat kishte caktuar deri në dy të tretat e Forcave të armatosura në dispozicion të Shtabit të Forcave të Bashkuara të Traktatit. Kurse Shqipëria, Bullgaria, Hungaria dhe Republika Demokratike Gjermane kishin vënë në vartësi të Komandës së Traktatit të Varshavës të gjitha Forcat e Armatosura.
(Vijon nesër)
Kush është Gjeneral Halim Ramohito
Ka lindur më 15 shkurt 1925 në Tragjas të Vlorës. Ka mbaruar Shkollën Tregtare të Vlorës dhe Akademinë Ushtarake “Frunxe” në Bashkimin Sovjetik. Ka marrë pjesë në luftën nacionalçlirimtare brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë, deri në Bosnjë. Në luftë ka kryer këto detyra: Zëvendës komisar Batalioni dhe përgjegjës i rinisë së Brigadës së V-të partizane. Pastaj përgjegjës i Rinisë në Divizionin e V-të partizan. Në Kongresin e Parë të BRASH në gusht 1944 është zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të BRASH. Në dhjetëvjeçarët e pasçlirimit ka punuar në ushtri me detyra të ndryshme. Më 1948 emërohet Komisar Divizioni, më 1966 ka kryer detyrën e Komisarit të Korpusit, më 1970 në krye të MKA(Mbrojtja Kundër Ajrore) e shtetit dhe më 1972 është zëvendësshef i Drejtorisë Politike të Ushtrisë. Në Kongresin e 4 të PPSH më 1961, është zgjedhur Kandidat i Komitetit Qendror të PPSH. Nga viti 1974 deri në vitin 1990 ka vuajtur familjarisht kalvarin e punës së detyruar, të internimeve dhe të burgut, përfshi atë të sigurisë së lartë të Burrelit. Është dekoruar 14 herë me Medalje e Urdhra të ndryshme. Është ushtarak në pension me gradën e Gjeneralit, ku këtë gradë e ka marrë në vitin 1959 me rastin e 15 vjetorit të çlirimit të vendit.
NESËR DO TË LEXONI:
-Gjeneral Ramohito: Sherri me përfaqësuesit e Rumanisë në Traktatin e Varshavës që me urdhrin e rusëve, këmbëngulnin të kryenin inspektim në Bazën Ushtarake Detare të Vlorës.
-Miqësia e Ramohitos me Barxilovskin, Shefin e Shtabit të Ushtrisë së Polonisë, fotot e miseve polake dhe sherri i gjeneralit shqiptar me gruan.
-Bisedat e Ramohitos me kolegët gjermanë në Traktatin e Varshavës dhe gjykimi i tyre për ushtrinë dhe udhëheqjen e Shqipërisë.

Behuni pak me serioz,24 vjec ka qene ne 1949-en jo ne 1957-en sic e keni llogaritur ju.