Reforma në arsimin e lartë nuk duhet të kalojë në parlament, pasi favorizon strukturat private në kurriz të zhvlerësimit të universiteteve publike. Pakënaqësitë e lindura me përmbajtjen e draftit për riorganizimin e institucioneve universitare kanë nxjerr sërish në protestë qindra studentë e pedagogë, të cilët kërkojnë ndaljen e kësaj reforme.
Duke shprehur vendosmërinë e tyre për të mos ndalur protestën, studentët dhe stafi akademik theksuan se ndryshimet e propozuara nga grupi i reformës cenojnë rëndë autonominë e universiteteve, reduktojnë pjesëmarrjen e të rinjve në vendimet që merren nga institucionet e arsimit të lartë, diktojnë rritjen e pakontrolluar të tarifave studimore, si dhe favorizojnë ngritjen e një sërë strukturave h burokratike që synojnë të mbajnë nën kontroll universitetet publike.
Në marshimin e nisur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u ndalur më pas përpara godinës së Kryeministrisë, studentët kanë apeluar për të disatën herë, që projektligji i miratuar tashmë në Qeveri të mos marrë edhe aprovimin e Parlamentit. Dy ditë më parë edhe drejtuesit e Universitetit të Tiranës theksuan se drafti është hartuar në kundërshtim me ligjin. Rezervat kundër draftit u përqendruan në kapitullin 12, i cili lejon krijimin e universiteteve publike të pavarura, të cilat sipas senatit të UT-së do të ishin shkatërruese për universitetet publike shqiptare.
Studentët e mbështetur nga pedagogët kanë theksuar se projektligji përbën aktin më të pacipë të shpërdorimit të fondeve publike. Sipas tyre, me ndryshimet e bëra, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, shteti do të mbajë me para institucione private fitimprurëse, të kamufluara tanimë në të ashtuquajturat universitete publike të pavarura. Ndërkohë që nga ky proces kokëposhtë rishpërndarjeje, universitetet publike do të varfërohen edhe më shumë.
“Për t’u mbajtur në këmbë pas zvogëlimit të mbështetjes financiare shtetërore, universiteteve publike do t’u duhet të rrisin edhe më ndjeshëm tarifat studentore duke e kthyer shkollën në hapësirë, ku do të pranohen vetëm të privilegjuarit dhe të varfrit aventurierë që do të guxojnë të hyjnë në borxhe. Për t’u mbajtur në këmbë pas braktisjes shtetërore, universiteteve publike do t’u duhet të transformohen në dyqane të rëndomta diplomash dhe qendra marketingu”, deklaruan studentët gjatë protestës së djeshme. Më tej, ata kanë akuzuar dikasteret qeveritare se kanë detajuar një projektligj të njëanshëm, i cili është hartuar në fshehtësi dhe pa marrë mendimin e grupeve të interesit, e po në të njëjtën formë është miratuar në Qeveri.
