Statistikat mujore të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se niveli i kredive me probleme (NPL) ishte 22.5% e totalit në shkurt 2015, duke shënuar rënie në krahasim me fundin e 2014-s, kur ishte 22.8% (po kaq qëndroi dhe në janar).
Në tremujorin e fundit të 2014-s, NPL-të zbritën me 2.1 pikë përqindjeje në 22.8%. Niveli më i lartë rekord i huave të pakthyera në afat, që prej fillimit të viteve 2000, para se sistemi të pastrohej nga kreditë problematike të bankave shtetërore, u arrit në tremujorin e tretë 2014, prej 24.9%.
Në tremujorin e fundit 2014, rënien më të madhe e shënuan huatë nënstandarde (kategoria e parë e klasifikimit si problematike, deri në 180 ditë vonesë), me 1.6 pikë përqindjeje.
Huatë e humbura (ato që banka nuk ka shpresë t’i rikuperojë më) përbënin 11.83% të totalit të huave, në rritje të lehtë nga fundi i 2013-s, por në rënie në raport me tremujorin e mëparshëm.
Në vlerë absolute, kredia e humbur ishte rreth 470 milionë euro.
