Në Shqipëri është hequr dënimi me vdekje, me qëllim që t’i afrohemi Europës, por janë të shumtë ata që mendojnë se pa e hequr, ne do të ishim shumë më afër asaj. Të hapësh sot temën e gabimit fatal të heqjes të dënimit me vdekje, nervozon më shumë ligjvënësit se sa gjaksorët kriminelë, që e kanë hak atë…
Dënimi me vdekje jepet akoma në ShBA, Japoni, Kinë, sa për të përmendur shtete me peshë. Kina dhe ShBA janë anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB, organizatë e cila është propaganduesja më e zellshme e heqjes së dënimit me vdekje.
Parlamenti shqiptar me ligj, e ka hequr dënimin me vdekje nga kodi ynë penal në vitin 2000, duke u bashkuar për krijimin e një zone europiane të pastër, pa dënime kapitale.
Shteti i Papës, e hoqi dënimin me vdekje, pas nesh, në vitin 2001. Ne, më parë se shteti i Shënjtërisë së Tij! Është nga ato raste të rralla, kur merr jetë thënia “ne, më katolikë se Papa”!
Dy ditë më parë në Tiranë u vra një komisar policie. Kjo vrasje pason vrasje të tjera të komisarëve në Durrës dhe Shijak.
Tek ne dënimi me vdekje është hequr, por vrasësit e oficerëve të policisë nuk e dijnë
Kohë më parë, një njeri i armatosur me një automatik, vrau dy të rinj mu në mes të Vlorës. E nisi me automatik dhe e përfundoi me një pistoletë, sapo arma e parë e la në baltë. Parvjet në një atentat me shpërthim iu bë, po në Vlorë, një gjykatësi, i cili vdiq menjëherë.
Tek ne është hequr dënimi me vdekje, por vrasësit e vlonjatëve nuk e zbatuan ligjin e miratuar nga parlamenti.
Para ca vitesh, mediat përshkruan një ngjarje tragjike ndodhur në Burrel, ku u vra një vajzë. Një burrë i pat dalë zot dhe e pat shfrytëzuar vajzën matjane, në tregun e prostitucionit në Kosovë. Kish ardhur ta merrte përsëri, për të vazhduar ende shfrytëzimin e saj. Vajza kundërshtoi, u mbajt me thonj pas gardhit të shtëpisë së saj, ngaqë nuk pranonte të kthehej më tek përvoja e ligë. Burri e vrau vajzën, me revolver në sytë e dy vëllezërve më të vegjël dhe të gjyshes së saj.
Në vendin tonë dënimi me vdekje është i jashtëligjshëm, por burri i huaj, ia mori jetën vajzës matjane, pa e përfillur vullnetin e parlamentit.
Parlamenti shqiptar i është bashkuar familjes së qytetëruar europian por në Shqipëri, njerëz vriten e vriten! Vdekja është e gjithpranishme në jetët e shqiptarëve.
Ekzekutorët nuk duan t’ia dinë për vendimet e ligjvënësve dhe dënimet me vdekje, ata nuk kanë ndërmend t’i rreshtin kurrë…
Kundër të tillë gjaksorëve, në Poloni, i pari i vendit pat kërkuar ta rikthejë dënimin me vdekje. Tek ne nuk është parë kurrë një ndërmendje e tillë. Unë vetëm mund ta përfytyroj gjëndjen në Poloni, por jam i bindur se faktorë të fuqishëm e bëjnë gjëndjen në vendin tonë më tragjike se tek polakët. Sado që të dy vendet vijnë drejt Europës nga i njëjti sistem ekonomiko-shoqëror, frymëzuar nga Marksi, djallosur nga Lenini dhe gjakosur nga Stalini, më duket se fyej përfytyrimin e lexuesit po të ndalem në krahasimet mes Shqipërisë dhe Polonisë. Ama, duhet të them se Polonia nuk njeh faktorë të tillë shtesë, që na takojnë ne, si zonë kritike e trafiqeve lindje-perëndim, mes së cilës ndodhemi; nuk njeh armatosjen publikisht të justifikuar të ëngjëjve dhe djajve në vitin 1997 dhe vënien në dispozicion të tyre, të gjithë arsenalit ushtarak! Nuk duhet të harrojmë të shtojmë edhe diçka: gjakmarrjen kanunore, një veçori thuajse krejt shqiptare, një stuhi e fjetur në shumë dhjetëvjeçarë.
Ligjëvënësve tanë për heqjen e dënimit, i shfajësojnë se, gjoja, ata “e hoqën ngaqë vuajnë nga servilizmi dhe nënështrimi ndaj Europës” . E këtu përmendim Europën dhe jo Amerikën, ngaqë kjo e fundit e zbaton vetë dënimin me vdekje dhe nuk guxon askush t’ia quajë për barabarizëm dhe shkelje të drejtash njerëzore! Apo së paku ta akuzojë për mungesë demokracie!..
Por, shteti i ri pasdiktatorial shqiptar, që në ditët e para nuk desh ta ushtronte kurrsesi dënimin me vdekje. Dhe këtë nuk e pat vendosur i udhëhequr nga mëshira kristiane, por për të shpëtuar mëkatarë të diktaturës komuniste shqiptare, gjë që ka qenë një nga objektivat madhore të pluralizmit të menaxhuar nga Ramiz Alia. Kanë shpëtuar pa u dënuar njerëz që gjatë diktaturës janë përgjegjës për kapërcim kompetencash, për role kryesore në legjislacionin kriminal diktatorial. Këto akuza nuk mund të zbrazen në ajër, me justifikimin e stërshplarë se “ishin mëkate të sistemit”. Janë të njerëzve! Janë të njerëzve që sot gëzojnë pleqërinë me pensione të majme! Ende në Shqipëri dhe jashtë saj, gjallojnë individë, gjykatës, hetues, prokurorë, hierarkë partie, që potencialisht, e meritojnë ndëshkimin me vdekje.
Por, më shumë se sa këta kriminelë të “sistemit”, më pas ishin kriminelët ordinerë, që nxorën përfitim nga strategjia djallëzore me këto pasoja të llahtarshme që e ka bërë Shqipërinë, vendin e tërë të zezave.
Nuk është e vërtetë edhe ajo tjetra tezë, që mbrohet, se gjoja “rikthimi i dënimit me vdekje, nuk do ta ulte shkallën e kriminalitetit”. E ul dhe e ul mirë, bile! Mjafton të sjellim në mend periudhat e shtetit me dorë të fortë: qoftë të mbretërisë shqiptare, qoftë të diktaturës enveriane. E përbashkëta e dy periudhave pavarësisht nga ndryshimet rrënjësore mes tyre, ishte qëndrueshmëria e shtetit, dora e fortë e zbatimit të ligjit dhe një mungesë thuajse e plotë e vetëgjyqësisë.
Sado gjak të ketë derdhur një kriminel, sado varre të ketë hapur ai, po të mos dënohet me vdekje dhe të ekzekutohet, mundësia e daljes së tij në liri është tepër e madhe. Dhe kjo po vërtetohet çdo ditë: o blihen drejtorat e burgut, o blihen prokurorët, o policët, o shoferat e autoburgjeve, ose po qenë aq të pafat dhe të mos kenë para, gjakësorët kriminelë kanë durim, pasi tek ne ia beh një kaos me leverdi, si ai i vitit 1997 dhe dyert e burgjeve hidhen në erë, ndërsa amnistitë presidenciale, para portave të burgjeve, shtrojnë qilimat e kuq.
Një nga gjasat është se një pjesë e madhe e kriminelëve, kanë ende pushtet mbi elementë kyç të administratës dhe të politikës. Duhet të ketë kriminelë të paguar, që janë përdorur për raste madhore dhe ata kanë marrë garancira të padiskutueshme, që nuk do të preken. Vendi është peng. Pra, janë kriminelët e mbyllur nëpër burgjet tona, ata që na e kanë hequr dënimin me vdekje.
Parlamentarët që patën votuar në favor të kërkesës europiane, duhet të bëhen të ndërgjegjshëm, se nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë hequr dënimin me vdekje për kriminelët, por e kanë vendosur për qindrat e mijrat e shqiptarëve të pafajshëm.
Dhe me atë kod penal të cunguar rëndë, shteti shqiptar po ekzekuton çdo ditë deputetët e tij, oficerë e tij të rendit, pa lere pastaj burra e gra, djem e vajza, nuse të reja dhe fëmijë, që shohin me sy të zbardhur grykat e zeza të armëve.
********************************
Kjo esse është e dyta në një seri, që autori e ka titulluar “Aty ku sundon paraja”– Është një tufë essesh për të djelat dhe të mërkurat që vijnë në DITA

Debati i fundit qe na duhet ne kete moment eshte ky qe sugjeron Z. Pellumb Kulla. Kjo pasi heqja e denimit me vdekje eshte nje tendence globale dhe nje realitet per boten e qyteteruar (rasti i SHBA eshte specifik dhe per me teper ky shtet nuk eshte anetar as i Keshillit te Evroipes dhe as i Bashkimit Evropian). Se dyti, niveli i larte i kriminalitetit ne Shqiperi ka te beje me mosfunksionimin sic duhet te shtetit ne pergjithesi (vecanerisht te gjyqesorit), nivelin e papunesise, varferise, problematikave sociale etj. dhe jo me mungesen e denimit me vdekje. Ne rast se denimi me vdekje do te sherbente si parandalues i krimeve te renda atehere do te duhet te kishte me pak krime te renda ne ato shtete te SHBA qe e kane akoma denimin me vdekje krahasuar me vende si Suedia, Finlanda, etj qe e kane hequr me kohe.
Ndersa lidhur me deklaraten e te ndjerit Lech Kaczynski ne vitin 2006 per rishikimin e ceshtjes se denimit me vdekje duhet shenuar se ajo eshte bere ne nje kontekst tejet te ndryshem nga ai shqiptar dhe, per me teper, kjo deklarate nuk pati asnje rezultat.
Vec sa siper, artikulli permban disa pasaktesi. Ndermjet tyre do te vecoja te ashtuquajturen mungese te presionit diplomatik per heqjen e denimit me vdekje ne fund te viteve 90-te. Anetaresimi i Shqiperise ne Keshillin e Evropes ne vitin 1995 solli angazhime per Shqiperine dhe detyrimisht presion diplomatik. Ne ditet tona presioni do te ishte edhe me i madh duke patur parasysh se synojme te anetaresohemi ne Bashkimin Evropian.
Pasaktesi? Shqiperia kish presion?! Autori i artikullit thote qe ne 10 vjet (1991-2000) deri sa aderoi dhe hoqi ligjin, nuk kish kryer denime dhe ekzekutime me vdekje.. Duhet t’ia kishe shenuar edhe kete si pasaktesi, Genti… Ose po t’ia pranosh si te sakte, perse gjithe ai presion qe thua?
Pa dyshim qe kishte presion per ta hequr denimin me vdekje ne vitet 1995-1999, pas anetaresimit ne Keshillin e Evropes thjesht ekzistonte moratoriumi por denimi me vdekje nuk ishte hequr ne legjislacion, rrjedhimisht edhe presioni behej per ta hequr. Nuk eshte e vertete qe per 10 vjet (1991-2000) nuk ka patur ekzekutime ne Shqiperi: ne qershor 1992 jane varur ne litar mes te Fierit vellezerit Cuko.
Cfare te shqeteson ty Genti? Mua me duket se nuk eshte kuptuar thelbi shqetesimit te autorit Kulla. Ju me të, në nje drejtim e shpini gishtin e akuzes: shteti! “Parlamentarët… nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë hequr dënimin me vdekje për kriminelët, por e kanë vendosur për qindrat e mijrat e shqiptarëve të pafajshëm”. – thote ai dhe ky eshte shqetesimi i tij, se nuk ma ha mendja se ai e ka per zbavitje denimin ksapital. Perse po zgjateni me moratoriume e stermoratoriume?! Dhe jepni nje shembull mjeran ne 10 vjet, me vellezerit Cuko qe vrane me sopata nje familje te tere, bashke me foshnjat ne djep! Po ata qe kane bere deme me shume – Aranitët, Leskajt dhe Dhimiter Shkodranet e Shkelzen Bajraktaret, cfare pesuan?!
@ Xhelo i Tragjasit: I. Mua nuk me shqeteson gje, thjesht nuk jam dakord me sa shkruan Kulla. Ketu jemi per te bere komente apo jo ? Ne rast se ju e keni kuptuar ne ate menyre Kullen kjo nuk do te thote qe une duhet domosdoshmerisht te bie dakord me ju ose me Kullen. II. Pervec vellezerve Cuka ka patur edhe ekzekutime te tjera ne vitet 1991-1995. III. Aranit Cela dhe Dhimiter Shkodrani nuk di te jene denuar me vdekje dhe me pas te mos jete ekzekutuar denimi, prandaj permendja e emrave te tille te urryer nuk ka lidhje me artikullin e Kulles.
Genti eshte plotesisht i sakte. Informacioni i tij eshte i mbeshtetur ne legjislacion.
Ajo qe vlene te saktesohet ka te beje faktin se ne SHBA jo te gjitha, por vetem nje pjese e shtetve perbers te atij supershteti e zbatojne denimin me vdekje.
Shkrimi eshte i bukur e terheqes, eshte edhe mbushamendes ne menyren se si e pse shkruhet, eshte tjeter gje t’i rikthehesh apo jo deinimit me vdekje. Denimi me vdekje mund te mos ishte hequr, sepse ashtu sic ka presion ka edhe rezistence; kujtoni si na futen (jo u futem) ne NATO: deshen, u duheshim, edhe pse per nga standartet ishim cope-cope e ashtu sikurse diketatoreve tane te demokracise u tolerohen gjithato menxyra do t’u tolerohej edhe ajo rezistence qe do t’i sherbente qendrueshmerise se rendit.
Populizem. rrezikshmeri. po gabimet juridike te konstatuara teper vone mbasi nje i pafajshem eshte egzeketuar? Pak here ndodhin keto ne shba? Po, denimi me vdekje eshte barbari. Demokracite nuk jane te detyruara vrasesit. dhe ne shba ka nje vale kundershtimi pas egzekutimeve me drona te terroristeve islamiste. epersia e demokracise eshte para se gjithash morale. kurre me pamje si ato te dy krimineleve ne lushnje qe berisha i vari ne mes te qytetit me 1995 (detaj qe e harron PK). E pengoi ai egzekutim i bujshem kafsherine kolektive te 97es? Dy tabu duhet te fusim ne shqiptaret ne koke : kurre vendimin me vdekje , kurre po ashtu energjine atomike sic e enderronte SB. me respekt G.Burimi
Kur 10-20 vjet burg apo hakmarrja nuk e trembin një vrasës, pse do ta trembka dënimi me vdekje.
Po të ishte e vërtetë se dënimi me vdekje ul kriminalitetin, burgjet e Amerikës do të ishin bosh dhe ato të Europës plot.
Edhe një hap i vogël duhet dhe P.K. do të na thotë se duhet të legalizojmë armët që njerëzit të mund të vetëmbrohen. O, po harrova, të armatosur jemi qysh nga ’97.