E drejta e pronësisë është një terminologji juridike, ku në dispozitat e Kodit Civil shprehet qartë e drejta e pronësisë dhe posedimit të sendeve. Megjithatë një tjetër dispozitë e pashkruar në letër por thellë në mendësinë e shumë meshkujve, pretendon të drejtën e pronësisë mbi gruan!
Sërish vjen një tjetër lajm për kronikat e para të lajmeve, mjafton të tërheqë vëmendjen e publikut, ndërsa për mesazhin pak rëndësi ka. Vrasjet barbare të bashkëshortëve vazhdojnë sepse ligji mbi të drejtën e pronësisë mbi gruan vazhdon. Është menduar shpesh për ndikimin e kanunit në nxitjen e këtij “ligji” të rrezikshëm. Vërtet, por ngjarje të tilla ndodhin në çdo cep të Shqipërisë! Dhe ajo që më befason është brezi i ri, ku gjatë diskutimeve për barazinë gjinore, meshkujt thonë se është e pamundur të ketë një barazi mes femrave dhe meshkujve, për të mos folur për dominimin e femrave mbi meshkujt gjë e cila është e paperceptueshme për ta! Dua të shtoj se në këto raste ka shumë ndikim modeli me të cilin janë mësuar.
Arketipi i femrës së nënshtruar ndër vite si duket jo vetëm është e vështire të ndryshohet, por kërkon dhe flijimin e shumë nënave, motrave, bashkëshorteve tona, ta paguajnë me gjakun e tyre deri sa të na përmbushet instinkti shtazarak i meshkujve për t’ia marrë jetën atyre që janë burim i jetës. E deri sa kjo të ndodhë dhe të meritojmë të quhemi njerëz, Zoti na faltë!
Letër e nënshkruar,
Besmir Guri

Nje reflektim shum i vecante dhe real per shoqerine tone te etur maskiliste! Krime jashte njerzores na rrethojne! Ju komplimentoj per reflektimin tuaj Zoti Guri.