Petraq Kolevica, një erudit i heshtur

redaktor

Të shkruash dhe të karakterizosh një njeri çfarëdo nuk është e thjeshtë, ndërsa të vizatosh figurën e një njeriu poliedrik, puna bëhet shumë e vështirë. Kjo më ndodh edhe mua teksa marr përsipër detyrën e vështirë të hedh paksa dritë mbi jetën dhe veprën e një njeriu, aq arkitekt sa edhe poet, aq prozator sa edhe përkthyes, aq poliglot sa edhe fjalëëmbël, siç është profesor Petraq Kolevica.

Në fillim të viteve ’50, djaloshi i thjeshtë, Petraq Kolevica, erdhi nga Korça në kryeqytet. Ai mbartte nga qyteti i lindjes gjithë dhuntitë që ajo trevë i ka me shumicë. Ishte i urtë, i dashur, fjalëpak, por jo mendjepak; me një bagazh kulturor që i kalonte dukshëm kufijtë e teksteve mësimore të gjimnazit, të cilin sapo e kishte mbaruar. Biblioteka e Korçës, të këtij kryeqyteti të kulturës shqiptare, ishte bërë për Petraqin e ri shtëpia e tij e dytë. Ai lexonte, kërkonte, zhbironte në të fshehtat e kulturës shqiptare dhe botërore, aq sa ia lejonin kushtet e kohës në të cilën jetonte, veçanërisht asaj, që asokohe ishte në modë, kulturës ruse. Ai e mësoi shpejt rusishten dhe filloi të bënte sprovat e para të përkthimeve dhe jo pak, por nga poetët më të mëdhenj të Rusisë.

Me gjithë dëshirën e tij për të ndjekur studimet e larta në ndonjë degë më të parapëlqyer dhe më në përputhje me aftësitë e tij, e drejta e studimit i doli në Fakultetin e Ndërtimit të UT. Pavarësisht nga problemet shëndetësore, pasi gjatë luftës, midis lodrave fëminore, rasti fatkeq e deshi që të ndodhej edhe një “lodër” e dëmshme, nga ato që lufta linte me shumicë pas vetes, iu dëmtua njëra dorë, ai, jo vetëm nuk mbeti prapa shokëve, por u dallua për zellin dhe seriozitetin në përvetësimin e profesionit të nderuar të inxhinierit të ndërtimit. Vizatimet, ashtu si e gjithë ecuria e tij gjatë përvetësimit të programit mësimor, vlerësoheshin lart nga pedagogët, ndërsa karakteri i shoqëruar, serioziteti dhe respekti që ai ndjente për shokët, bënte që edhe ata ta donin dhe ta respektonin Petraqin.

Përpjekjet e tij në fushën e shkencës, së cilës i ishte përkushtuar, bënë që ai me kalimin e viteve, të kryente më së miri edhe detyrën e arkitektit, duke dhënë një ndihmesë të shquar në projektimin e disa objekteve që edhe sot i kanë qëndruar kohës, siç ishte biblioteka e Korçës, ndërtesa në Tiranë, Vlorë e gjetkë, të cilat dalloheshin për hijeshi dhe modernizëm për kohën.

Mirëpo stili i tij modern dhe bashkëkohor i projektimit nuk mund t’i shkonte përshtat sistemit monist, që vetëm modernen nuk e duronte dot. Përjetimet dhe zhgënjimet e tij prej profesionisti të shkallës së lartë, ai i ka shprehur saktë, ashtu si di ai, në librin me titull: “Arkitektura dhe diktatura”. Zhgënjimi i tij kryesor ndodhi kur ia ndërprenë në mes vrullin e tij të projektuesit me synim të bukurën dhe, që “të mësonte nga kllasa punëtore”, e sorollatën gjatë nëpër kantiere të ndryshme ndërtimi, ku merrej me punë të rëndomta që ishin larg thirrjes së tij të brendshme prej specialisti të mirëfilltë.

Ndonëse puna e ndërtuesit, siç është e njohur, mbart vështirësi të veçanta, kjo nuk e pengoi Petraqin që, krahas saj, të zhvillonte më tej prirjet e veta të natyrshme, siç ishin sferat e ndryshme të letërsisë. Ai, që në bankat e universitetit, filloi të përkthente dhe të botonte tregime e poezi nga gjuha ruse, prej së cilës na ka lënë shumë perla, siç është poema “Demon” e Lermontovit dhe shumë të tjera që preku dora dhe talenti i tij. Unë dua të dëshmoj se, si njohës i gjuhës ruse që jam, sado paradoksale mund t’i duket kjo ndonjërit, por, kur e kam lexuar përkthimin e “Demonit” nga Petraqi, më është dukur sikur atë poemë madhore për nga arti i të shkruarit, poeti rus e paskësh shkruar në shqip. Kohë përpara është botuar një vëllim me poezi të poetit të madh rus Pushkin, ku të njëjtat poezi janë përkthyer nga përkthyes të ndryshëm; ndër to spikatin për nga ngrohtësia e vargut, për nga rima dhe ritmi i goditur, poezitë e përkthyera nga Petraq Kolevica. Po kështu edhe shumë vepra të tjera, tek të cilat nuk dua të zgjatem. Petraqi, ndërkohë mësoi italishten dhe filloi të përkthente edhe nga ajo gjuhë. Nuk kaloi shumë dhe, brenda një kohe të shkurtër, mësoi gjuhën frënge dhe gjermane, nga të cilat, sidomos nga kjo e fundit, midis shumë përkthimeve, i ka dhënë lexuesit shqiptar të parën antologji me poezi të zgjedhura gjermane dhe austriake ku ka dhe emra të ndritur të letërsisë gjermane e botërore si Gëte, Hajne, Shiler, Breht, Hes e shumë të tjerë. Në parathënien e shkruar prej tij të librit, ai shprehet: “Gjithë thesari i poezisë së këtyre dy popujve, qoftë edhe ai më i zgjedhuri, s’mund të përmblidhet në një vëllim si ky, megjithatë jemi përpjekur të japim një panoramë të përgjithshme, duke nisur nga qëndismat e brishta të këngëve popullore, te madhështia magjepsëse e balladave”.

Profesori, siç e thërrasin me respekt të thellë për të, me talentin e tij të përkthyesit të talentuar, i ka pasuruar bibliotekat tona edhe me të vetmen antologji të poezisë japoneze, vepër kjo që njihet si një kontribut i padyshimtë për njohjen e kulturës së atij populli të lashtë dhe të largët. Dhe kështu me tituj të tjerë veprash poetike të përkthyera mjeshtërisht prej tij mund të vazhdonim gjatë.

Por Petraqi ka edhe një sërë veprash origjinale, që mbartin vlera të larta, si artistike edhe njohëse, ndër të cilat spikatin romani “Varri i fshehtë”, poezi të shumta origjinale, të cilat kohët e fundit i ka botuar të përmbledhura në dy vëllime, me titullin e përgjithshëm: “Të korrat e vona”, romanin “Kuja e kohës” etj. Mendoj se nuk gaboj po të them se, kur lexon librin drithërues “Varri i fshehtë”, një roman që është ngjarje e vërtetë prej fillimit deri në fund, i cili lexohet me një frymë dhe, pavarësisht nga loja e fjalëve, për nga faktet rrëqethëse që sjell, të lë pa frymë, të duket sikur ke në duar një enciklopedi të ngjeshur fort ku, në tragjedinë e heroit kryesor, është përmbledhur jeta dhe fati i të gjithë intelektualëve të mirëfilltë, të cilët ranë në thonjtë e diktaturës. Kurse poezitë e tij kanë thellësi ndjenjash dhe mendimi; në to spikat edhe tragjizmi edhe ëmbëlsia e vërtetësia, karakteristika këto që e mahnitin lexuesin. E kam të vështirë të dalloj ndonjë prej tyre, pasi ato janë njëra më e bukur dhe më domethënëse se tjetra; gjithsesi, sa për ilustrim, do të veçoja poezinë-elegji, por edhe protestë, mbi zhvarrosjen makabre dhe flakjen në Bunë të eshtrave të Poetit tonë të pavdekshëm, Gjergj Fishta, të cilën e fillon kështu: “Mes territ të natës, nja katër spiunë, / Një frat të pafat po tërhiqnin me dhunë./…, ose një poezi e një natyre krejt tjetër që ia drejton të fejuarës së tij, tani bashkëshortes së nderuar, ku i shkruan, midis të tjerave: “Kur frynte flladi pranveror / Dhe sillte aromë dheu, / Ne ndjemë thellë në kraharor / Një gonxhe që shpërtheu/… Ose një poezi urim për poetin Lasgush Poradeci, ku i shkruan: “Dhe shqipes sot Ravvi (mësues), / Iu rrit thesari. / Çdo varg që vure Ti – / Lingotë ari./… (Meqenëse qëllimi i këtyre radhëve nuk është analiza e veprës madhore letrare të shkrimtarit, me keqardhje po e mbyll me kaq karakterizimin e saj).

Petraqi është njeri shumë i afruar dhe, me fjalët e tij të mençura, bën për vete këdo që ka fatin të ulet të bisedojë me të. Këto dhunti kanë bërë që ai të lidhë miqësi shumë të ngushtë me shumë njerëz të thjeshtë, por edhe me njerëz të shquar, siç është kolosi i poezisë shqiptare Lasgush Poradeci, pavarësisht nga karakteri i njohur prej të gjithëve, deri diku i mbyllur në vetvete i poetit.

Lasgushi i Madh pikasi tek i riu Kolevica një njeri serioz, të çiltër dhe, mbi të gjitha të talentuar, prandaj e afroi dhe e përfshiu në rrethin e ngushtë të miqve të tij. Petraqi përfitoi shumë nga dhuntitë e padiskutueshme të poetit bregliqenor dhe e njohu në thellësi personalitetin e tij. Mbresat, përjetimet e takimeve dhe të komunikimeve të gjata me të, inxhinieri-poet i ka shprehur në librat “Lasgushi më ka thënë” dhe “Miqësia ime me Lasgushin”, libra në të cilat ai tregon jo vetëm madhështinë prej poeti të Lasgushit, por edhe personalitetin e paepur dhe të pa korruptueshëm të tij. Petraqi ia lexonte Poetit të Madh jo vetëm poezitë origjinale që shkruante, por edhe përkthimet, sidomos ato nga gjermanishtja dhe rusishtja, gjuhë mjaft të njohura prej Lasgushit. Prandaj miratimi nga ana e tij e asaj çfarë shkruante dhe përkthente Petraqi ishin një lloj “pasaporte” e tyre për të hyrë fuqishëm në letërsinë shqipe, ashtu si edhe ka ndodhur vërtet. Petraqin e lidhte një miqësi e ngushtë, pavarësisht ndryshimit në moshë, edhe me kollosin tjetër të letrave shqipe, siç ishte Mitrush Kuteli. Përshtypjet nga takimet me këtë njeri të shumanshëm, Petraqi na i ka sjellë në librin e tij me titull “Me Mitrushin”, ku përshkruan, jo vetëm personalitetin e fuqishëm të shkrimtarit, por edhe kushtet e jetesës, gati të mjeruara të tij, pavarësisht kontributit të madh që kishte dhënë në letërsinë shqipe dhe jo vetëm.

Një sëmundje e rëndë ia ka mjegulluar sytë Profesor Petraqit, por në asnjë mënyrë trurin. Ai vazhdon të shkruajë. Po, po, të shkruajë, ndonëse pothuajse pa sy; sepse kur punon truri, sytë gjenden, dhe ai i ka gjetur me mënyrën e tij prej njeriu dhe mendimtari vullnet-hekur.

Nga zemra i urojmë Profesor Petraqit shërim të shpejtë dhe jetë të gjatë e të frytshme.

Share This Article
12 Comments
  • po, eshte shume e vertete, z Kolevica , mbetet nje njeri erudit dhe me shume vlera e model per kulturen shqiptare. Nuk me ka rene rasti ta njoh nga afer asnjehere por perkthimet e tij nga letersia ruse ia kam lexuar me shume deshire, i kam lexuar dhe ballafaquar me perkthime analoge sidomos Pushkinin, Lermontovin, Eseninin etj dhe jane shume te ndjera, duket se kane ate tharmin e Korces se mbuluar me bore ku ka edhe shume dashuri . Uroj te kete shendet te mire e te gjate ..

    • @@@@ Shkrim i ngrohtë dhe me ndjenjë i z. Guri Shyti sidomos pjesa e prezantimit esseistik si arkitekt,si përkthyes dhe shkrimtar e Petraq Kolevicës! I kam lexuar kujtimet dhe shkrimet e Kolevicës për Lasgushin dhe për Mitrushin ,madje të parin e kam njohur nga afër në studion e mikut tonë të përbashkët Thomaq Angjeli në Poradec! Thomaqi ishte mik i veçantë i Lasgushit Madje kam një strofë që ja kushton Thomaqit dhe një foto të përbashkët të të dyve në breg të gjolit! Por edhe me të dëgjuar di për miqësinë e Lasgushit me Petraqin. Jam rritur në Pogradec ( Poradec, banoj në Tiranë). Kam shumë për këtë temë por po e mbyll me një “bravo” për Z. Guri që shkruan esse të kësaj natyre dhe jashtë kornizave të profesionit të tij si ushtarak i lartë. Një vrejtje të vogël nëse e pranon,- kur shkruan për gjerat e bukura shmangi ato nga politika! Nderime autorit të shkrimit dhe personazhit të tij!

  • I uroj Petraq Kolevices,te kete shendet,e kam njohur nga afer dhe pa medyshje e them,se eshte nje intelektual kollos. Sula

  • Erudit ishte, por e menderosi kur u bw deputet i Berishws, sa nga ekzaltimi qw u bw deputet i PD-sw, u duk se dikur rrodhi.
    A ju kujtohet kur, nw njw seancw, i pwrmendi emrin pwr diskutim kryetari i Kuvendit?
    U ngrit i varfri Petraq nga fundi i sallws ku e kishte karrigen, dhe iu drejtua foltores.
    Pas njw rruge tw “gjatw” (mezi twrhiqte zvarrw kwmbwt) u kthye nga salla, zu pozicion para mikrofonit, dhe me vwshtrimin nga kotheredhwnwsi Bwrishw, futi dorwn nw xhepin e brendshwm tw xhaketws pwr tw nxjerrw qw andej diksutimin e pwrgatitur me… erudicion. Por pwr njw cast ngriu… E nxori dorwn bosh nga xhepi dhe nisi tw kwrkonte nw dy xhepat e jashtwm tw xhaketws. Pwrswri Bosh. Pwrseri nuk gjeti gjw.
    Atwherw, eruditi u pwrmend.
    E la foltoren dhe u nis andej nga erdhi, pwrshkoi edhe njw herw sallwn e “baballarwve tw kombit”, arriti te radhwt e fundit, shkoi tw vendi i vet, u pwrkul, mori ca fletw qw i kishte lwnw mbi tavolinw dhe pwrswri, plot erudicion, u nis pwr te foltorja e parlamentit dhe, kur mw nw fund, ia doli tw vihej pwrswri para mikrofonit dhe pasi u mbush me frymw thellw nisi tw ligjwrojw plot erudicion diskutimin, ku i thurte hosannara Saliut.
    Ishte vwrtet erudit, por pwr njw copw karrige deputeti, e mbylli …i rrjedhur.

    • Xhatel! Nuk ke kellqe ti te japesh vleresime per njerez si Kolevica. Nga kultura jote, gje qe duket edhe nga menyra se si shkruan, je aq poshte tij saqe te duhen dylbi qe ta shikosh. Por ti nuk ke as sy e jo me dylbi.

  • Nuk e kam njohur,por kam degjuar mjaft per Kolevicen nga babai.Eshte nje nga vlerat e rralla qe mbijetoi ne ate diktature absurde.Ka mes tjerash edhe meriten qe ju qendroi prane dy kolloseve te Pogradecit,-Lazgushit dhe Mitrushit.Ne ate kohe ata nuk kane qene aspak te adhuruar si jane sot,i konsideronin mbeturina te borgjezise.

  • A mund te na thote njeri se cfare ka fituar populli shqiptar nga ky “erudit” demokrat??
    A e ka akuzuar ndonjehere Berishen per te gjitha KRIMET Ee tij 25 vjecare apo ka ngritur kartonin sa here eshte urdheruar???
    Erudit si ai SERVIL ka plot tek USHTARI I PANJOHUR!!!

  • Kolevica eshte artist dhe jo politikan.
    Ne politike e rrembeu koha dhe ngjarjet.
    Dhe mire beri.
    Mbeshteti demokracine dhe jo nostalgjiket e Enverit!
    … Por,disa komente ketu,jane krejt idiote!
    Ato tregojne nivelin banal te komentuesve,te cilet per fat te keq,perbejne shumicen.

  • Kam patur rastin të bëj një copëz rrugë me të Respektuarin Petraq Kolevica. Atë ecje sëbashku, në muzg, në fillimet e Demokracisë po bisedonim për tema të ndryshme që preokuponin kohën. Ai ndoshta skishte dijeni për personin tim ndërsa unë kisha një kërshëri për këtë Arkitekt që u kish ndënjur afër dy kollosëve të pas-Rilindjes; Poetit Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kutelit. U kish ndënjur afër këtyre dy Korifenjëve kur shumëkujt s’ja mbante as t’i përshëndeste. E… mua… nga ajo bisedë më ka mbetur ndjesia e modestisë mbi normalen e të madhit Petraq Kolevica. I uroj shërim të shpejtë.

  • 0 lul, me ke e pe? me atw me xham apo me atw pa xham? Une thashw qw wshtw erudit, por, sa u zgjodh deputet i Salws, filloi tw harrojw diskutimet nw tavolinw, pastaj kopsat e pantallonave, pastaj…, e c’te te them xhaxhai? Dhe ti, drejt asaj po shkoke. rrugen e mbarw!

  • Shkrim i ngrohtë dhe me ndjenjë i z. Guri Shyti sidomos pjesa e prezantimit esseistik si arkitekt,si përkthyes dhe shkrimtar e Petraq Kolevicës! I kam lexuar kujtimet dhe shkrimet e Kolevicës për Lasgushin dhe për Mitrushin ,madje të parin e kam njohur nga afër në studion e mikut tonë të përbashkët Thomaq Angjeli në Poradec! Thomaqi ishte mik i veçantë i Lasgushit Madje kam një strofë që ja kushton Thomaqit dhe një foto të përbashkët të të dyve në breg të gjolit! Por edhe me të dëgjuar di për miqësinë e Lasgushit me Petraqin. Jam rritur në Pogradec ( Poradec, banoj në Tiranë). Kam shumë për këtë temë por po e mbyll me një “bravo” për Z. Guri që shkruan esse të kësaj natyre dhe jashtë kornizave të profesionit të tij si ushtarak i lartë. Një vrejtje të vogël nëse e pranon,- kur shkruan për gjerat e bukura shmangi ato nga politika! Nderime autorit të shkrimit dhe personazhit të tij!

  • I respektoj mendimet e Xhatelit dhe Loko-Lokos. Dua te ve ne dukje se Kolevica hiqte kembet zvarre per shkak te nje semundjeje te rende te pasherueshme. Qe harroi fjalimin, eshte dicka qe mund ti ndodhe gjithkujt. Per mua do kish rendesi fjalimi dhe jo keto detaje anesore.
    Kolevica mbeshteti levizjen demokratike dhe kurre nuk u mbreh perpara qerres se ndonje lideri.
    Burri qe nuk u drodh perpara Enver Hoxhes dhe e kundershtoi hapur, zor se kish frike te thosh mendimin e tij ne kohen e demokracise. Nga politika eshte larguar me kohe per aresye shendetesore.
    Ai kontribuoi ne arkitekturen shqiptare, po sidomos ne letersine shqiptare: me perkthimet e tij te arrira nga rusishtja, gjermanishtja dhe gjuhe te tjera po dhe me shume poezi te tij dhe me siguri do zere vendin e merituar ne cdo antologji shqiptare.

    Ne faqen http://www.petraq-kolevica.com mund te lexoni nje pjese te mire te poezive te tij origjinale dhe perkthime.

    Ja disa prej tyre.

    MURET PREJ BETONI

    Qytete dhe Shtete dhe dete
    Rrethoni me mure betoni
    Dhe shpesh enderroni nga froni
    Nje fat Faraoni per vete.

    Qytete dhe Shtete dhe dete
    Rrethoni me mure betoni
    Dhe njerez flijoni sa doni
    Dhe cmoni dhe mbroni skelete.

    Qytetet dhe Shtetet dhe detet
    Rrethoni me mure betoni,
    Sundoni me gjak, si Neroni.
    Liria po stepet, po s ‘jepet.

    Qytetet dhe Shtetet dhe detet
    Rrethoni me mure betoni;
    S ‘ka vrime prej nga te shpetoni,
    Kur brenda te bien termetet.

    Qytetet dhe Shtetet dhe detet
    Rrethoni me mure betoni …
    Tirane, qe vini dhe shkoni,
    Per turp do t’ju mbeten portretet!

    Shtator-tetor 1980

    VULA E DASHURISE

    U puth, u perqafua,
    Me nenen, me babane.
    U ndane …
    Tek dilte,
    Porten puthi menjane.
    Me burrin perkrahu
    Iken larg Shqiperise.
    Iken, iken ata.
    Mirupafshim mama!
    Dy buze te kuqe la
    Te porta e shtepise
    Vulen e dashurise

    DUAM SHQIPERINE SI GJITH’ EVROPA!

    Therrisnin te rinj e pleq me shkopa,
    Therrisnin gra te dobeta me gjokset si gropa,
    Therrisnin nuse te zbehta me foshnjat hopa,
    Therrisnin burra, gra, me jeten copa-copa,
    Therrisnin ata, po s’ i degjonte Evropa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *