Partia Socialiste ka publikuar emrat e 25 kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Por kanë mbetur edhe shumë emra për t’u vendosur si garues te PS-së, sidomos kur flitet për bashkitë kryesore. Ende nuk ka një vendim për Bashkinë Tiranë, që është më kryesorja në vend, edhe pse jo zyrtarisht përflitet emri i Ministrit të Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj, i cili deri para pak ditësh ishte në garë me Sekretarin Organizativ Blendi Klosi.
Daljet e shpeshta publike, me rast festash fetare, apo ndjekja e një ndeshjeje futbolli të ekipit të Tiranës, forcojnë akoma më shumë idenë se rruga për Erion Veliajn, është gjithnjë e më e hapur dhe mbetet thjesht zyrtarizimi. Vendim për Tiranën, pritet të merret gjatë kësaj jave. Ndërkohë, pa emër ka mbetur edhe kandidati për Bashkinë tjetër të rëndësishme, atë të Vlorës, e cila konsiderohet si bastion i socialistëve, raporton Vizion +.
Të premten e kaluar, kryetari socialist Edi Rama, pas konsultimeve me deputetët e tij sipas qarqeve, zyrtarizoi 25 emrat që do jenë në garë. Ai foli për një ekip fitues, dhe rëndësinë e procesit të përzgjedhjeve të kandidaturave, sidomos në raport me detyrimet që atyre u lindin, si pasojë e hartës së re administrativo-territoriale.
Partia Socialiste duhet të shpallë publikisht emrat e 18 kandidatëve të tjerë për kryebashkiak, nëse llogarisim se 15 bashki i janë lënë LSI dhe 3 parashikohen t’i jepen PDIU-së. Pa përfshirë këtu, nëse socialistët do të arrijnë një marrëveshje me PBDNJ-në e Vangjel Dules.
