Pas plot katër javësh rikthehet Champions League dhe kompeticioni më i rëndësishëm në kontinent propozon pikërisht takimin përmbyllës të edicionit të kaluar. Për një tekë të shortit goglat përballën sërish 11 muaj më pas dy skuadrat finaliste të sezonit të vjetshëm dhe derbi madrilen Atletico – Real këtë radhë përkon me startin e fazës çerekfinale të edicionit të 60 të aktivitetit më të lavdishëm evropian për klube. Dëshira për të marrë hak në kampin bardhekuq kuptohet është tepër e madhe, megjithatë situata tashmë ka ndryshuar ndjeshëm dhe gjatë këtij muaji Reali i Ancelottit e ka marrë veten dukshëm dhe e ka lënë pas atë moment negativ të katër javëve më parë. Në orën 20:45 në Vicente Calderon një ndeshje e tillë pritet të ofrojë gjithçka përmban ky sport, talent, forcë fizike, protagonizëm dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të shënuar nga futbollistët e të dy ekipeve. Ky do të jetë dueli i shtatë për këtë sezon mes këtyre dy skuadrave dhe përsëri kjo sfidë në mënyrë të pashmangshme do të paraqesë po të njëjtin pasion, tension dhe intensitet.
Trajneri italian i kampionëve në fuqi ka deklaruar se nuk i druhet Atleticos, por obsesioni i tij është finalja e madhe e Berlinit, sidoqoftë detyra mbetet e vështirë pasi në Calderon “los colchoneros” nuk kanë pësuar ende gol dhe ashtu si edhe 12 muaj më parë nuk njohin humbje në Champions. Edhe sezonin e kaluar në finalen e Lisbonës “mbretërorët” e patën shumë të vështirë për të depërtuar në mbrojtjen e hekurt që përgatiti me aq kujdes Diego Simeone, dhe vetëm ai gol i mbrojtësit Sergio Ramos arriti të shpëtojë ekipin nga disfata, ndërsa më pas në shtesë dihet, gjithçka u mbyll me triumf dhe Reali koleksionoi “la decima”-n historike, që i mungonte prej plot 12 vjetësh. Atmosfera e dikurshme është rikthyer dhe prej tre vjetësh ky derbi madrilen përjetohet me shumë emocion, madje në dy sezonet e fundit këto dy skuadra kanë diskutuar ndërmjet tyre dy finale, duke ndarë sukseset në Kupën e Mbretit dhe Champions. 55-vjeçari emilian këtë herë do të ketë gjithë futbollistët kryesorë në dispozicion dhe ai poshtërim për humbjen 4-0 të pësuar dy muaj më parë është harruar prej kohësh.
Ancelotti pritet të luajë njësoj si në pjesën e parë të Camp Nou-t me Barcën, me 4 në mesin e fushës ku do të tërhiqen Bale dhe James Rodriguez, rikthimi i të cilit ka ulur përfundimisht në stol një lojtar si Isco, por mbi të gjitha me repartin mbrojtës dhe atë të mesit të fushës më pranë, ndërkaq dyshja Cristiano Ronaldo – Benzema pritet të udhëheqë sulmin. Reali ka fituar 8 nga 10 ndeshjet e fundit në Champions gjithsesi në krahun tjetër Atletico nuk humbet prej 8 takimesh, madje në Vicente Calderon ekipi i Simeones ka pësuar vetëm një gol në dy muaj e gjysmë në të gjithë aktivitetet, golin e Shkodran Mustafit në sfidën me Valencian. Trajneri argjentinas pritet t’i besojë portën sërish të riut slloven Jan Oblak që luan si titullar prej katër takimesh, më saktë që pas dëmtimit të portierit Moya në duelin me Bajerin e Leverkusenit, ndërsa përpara me shumë gjasa do ta nisë ndeshjen kroati Mandzukic që përveçse i riaftësuar në këtë edicion në Champions krenohet me plot pesë gola në vetëm 7 gjuajtje gjithsej. Idhulli i tifozerisë vendase vazhdon të mbetet Fernando Torres megjithatë Simeone e mendon Atletikon e tij me Mandzukic dhe 10 të tjerë, gjithsesi besim reflekton edhe francezi Griezmann falë katër golave të shënuar në tre ndeshjet e javës së kaluar dhe plot 21 rrjetave të këtij sezoni.
Në gjashtë përballjet e fundit Ancelotti nuk ka ditur të thyejë skemat e Simeones dhe argjentinasi kryeson 5-3 në 11 sfidat ndërmjet tyre sidoqoftë ka një statistikë që tregon se në historinë e Championsit asnjëherë nuk ka ndodhur në 3 raste që ekipi kampion të eliminohet në sezonin pasardhës nga skuadra nënkampione. Rrezikojnë skualifikimin në rast kartoni Torres, Mario Suarez, Gabi, Jesus Gamez dhe Ansaldi te Atletico ndërsa te Reali dyshja Marcelo – Kroos, sidoqoftë gjithcka është e qartë, bardhekuqtë në këtë përballje të dyfishtë mund të bëjnë historinë ndërsa Reali është i detyruar të vazhdojë të bëjë historinë. Shumë më i thjeshtë paraqitet në krahun tjetër misioni i Juventusit që ndonëse pa mesfushorin francez Pogba paraqitet dukshëm favorit ndaj Monacos së Leonardo Jardim, që deri këtu ka qenë befasia më e madhe e këtij edicioni. Klubi nga Principata prek cerekfinalet për herë të parë pas 11 vjetësh, që nga koha kur ish-futbollisti i bardhezinjve Didier Deschamps e udhëhoqi ekipin nga Monte Carlo drejt finales ndaj Portos së Jose Mourinhos. Përballja e vetme ndërmjet këtyre dy klubeve është regjistruar 17 vjet më parë, kur Juventusi i Marcelo Lipit eliminoi në gjysmëfinale në Champions Monaco-n e Jean Tigana, gjithsesi në Torino sikur të mos mjaftonin diferencat e mëdha mes këtyre dy ekipeve Juventusi merr zemër edhe nga historia që konfirmon se “zonja e vjetër” nuk është mundur kurrë në shtëpi në 11 përballjet me skuadrat franceze.
