Gjeneral Ramohito: Inspektimi në Varshavë dhe sherri me gruan për ‘Misset‘ polake

anazapta

Rrëfim i Gjeneralit 88 vjeçar për vitet e tij në Traktatin e Varshavës

 

“Pas debatit me rusët, gjenerali gjerman në Traktat tha: “Kisha dëgjuar për ju shqiptarët, por pashë sot se ju dini ta mbroni vendin tuaj!“

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Në vazhdim të rrëfimit të tij, gjenerali Halim Ramohito tregon për marrëdhëniet me kolegët e tij në Shtabin e Traktatit të Varshavës, inspektimet që bëri në Poloni e Gjermani për problemet e ushtrive të vendeve anëtare si dhe mbresat që ruan nga ajo kohë e largët…

Cilat ishin marrëdhëniet tuaja me ushtarakët madhorë rus?

Ushtarakët madhorë rusë, në të gjitha takimet tona, ishin të përkujdesur e na porositnin që me kolegët e tjerë të vendeve anëtare të ishim të matur. Porosia ruse ishte: ”Këtë(Bazën e Vlorës) e kemi një lidhje të veçantë me ju dhe analizat për punët atje do t’i bëjmë të veçanta dhe direkt vetëm me ju”. Por edhe për këtë rast, kur u shfaq problem i kontradiktave shqiptaro-ruse për këtë Bazë, për pronësinë dhe drejtimin e mjeteve të saj, nuk ngurruan të bëjnë presion e deri kërcënim të hapur konfliktual siç e sqaroj dhe më poshtë.

 

Përveç punës në Shtab, në Moskë, kryenit ju detyra në shtetet pjesëmarrëse në Traktat?

-Ne asistonim në stërvitje që zhvilloheshin në shtete të ndryshme të këtij Traktati, por përgjithësisht, grupet tona kryesore, drejtoheshin nga ushtarakët sovjetikë. Kështu që vërejtjet e tyre viheshin në bazën e vlerësimeve përfundimtare dhe të masave e detyrave që liheshin për të përmirësuar punën në të ardhmen. Shpesh, për probleme të ndryshme, unë pata dhe kontradikta me kolegët rus e të vendeve të tjera…

 

Diçka më konkretisht në këtë aspekt?

-Po. Në periudhën që unë isha përfaqësues i Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, në marrëdhëniet ushtarake nisën të duken disa përplasje e divergjenca të themi, veçanërisht me rumunët e polakët. Rumunët më kërkonin mua me insistim që të ishin për inspektim në Bazën ushtarake të Vlorës. Ata më thoshin: “Zbatoni kushtet e reciprocitetit, ju keni inspektuar njësitë tona luftarake, kështu që edhe ne duhet të inspektojmë tuajat, përkatësisht Bazën Detare Luftarake të Vlorës”.

 

Cili ishte reagimi juaj në këto raste?

-Këtë, sovjetikët nuk e lejonin duke e justifikuar me faktin, siç thonin ata se: “Problemet e Bazës ushtarake të Vlorës janë vetëm bilaterale, ne(rusët) me ju shqiptarët, se kemi marrëveshje të veçantë mes qeverive përkatëse, të dy vendeve tona!” Ata nuk lejonin e nuk pranonin që problemet e Bazës së Vlorës të diskutoheshin në analiza dhe në Shtabin e Paktit. Dhe kështu bëhej. Por këtë rregull ata e prishën vetëm atëherë kur ftohja e marrëdhënieve politike mes dy vendeve, u reflektua dhe në raportet tona ushtarake, veçanërisht për “Thembrën e Akilit” që ishte e mbeti për ta(rusët) synimi kryesor deri në shkëputjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

 

Pra ky rregull, më vonë u prish?

-Po. Ky rregull u prish pikërisht në klimën e acarimit, kur qeveritë vasale të Rusisë, përkatësisht dhe përfaqësuesit ushtarak të tyre në Traktat, nuk donin që t’u ikte nga duart kjo Bazë e rëndësishme, që ishte e mbetet një nyje strategjike e Mesdheut. Baza e Vlorës mori “lejen” e debateve në mbledhjet tona, kur presioni rus dhe i shteteve të tjera tashmë po rritej e forcohej çdo ditë, që ne, qeveria shqiptare, të pranonim kushtet e rusëve.

 

Ju keni marr pjesë në disa stërvitje që bënin ushtritë e Gjermanisë,

Polonisë e vendeve të tjera anëtare të Traktatit?

-Mora pjesë në këtë kohë(viti 1960) në një stërvitje në Poloni. Ishte koha kur Gomulka dhe grupi i tij kishin zëvendësuar ekipin e Bejrutit Si ministër i Mbrojtjes ishte caktuar një Gjeneral arkitekt, në vend të Marshallit Rokovski, të emëruar nga Stalini. Polakët, sikundër konstatoja, nuk bënin asnjë diferencim nga vërejtjet tona për stërvitjen, ndryshe nga të tjerët. Në një stërvitje në Poloni ku isha për inspektim edhe unë, pashë të shfaqeshin kontradikta thelbësore mes gjeneralëve dhe oficerëve polakë të ardhur nga Londra; dikur të ushtrisë së Andersit, me komisarët ushtarakë të caktuar nga Partia komuniste Polake. Në Poloni u miqësova me shefin e Shtabit të Ushtrisë, gjeneralin Barxilovski.

 

Çfarë kujtoni nga miqësia me gjeneralin Barxilovski?

-Ishte një njeri erudit, me kulturë të lartë ushtarake, e mirëkuptoheshim. Kam kujtime të shumta dhe mbresat nga takimet me të e vizitat e punës në Poloni.

 

Çfarë do të veçoni nga këto mbresa?

Ishte viti 1958. Shoh dhe lexoj në gazetat e vendit se në qytete të ndryshme polake zhvilloheshin konkurse bukurie për “Miss Polonia”. Për herë të parë që shikoja e dëgjoja për këtë aktivitet dhe shpreha çudi se si një aktivitet i tillë zhvillohej në një vend të Demokracive ku ishte dhe Polonia. Pastaj, konceptet e mia në atë kohë për aktivitete të tilla ishin krejt ndryshe. As më shumë dhe as më pak, në vendin tim, në Shqipëri, aktivitete të tilla që për formimin tim ishin imorale, ishin herezi e nuk mund të zhvilloheshin. I them gjeneralit polak në konfidencë, por dhe i çuditur, që e cila ishte konstatuar edhe nga bashkëbiseduesi: “Ç’janë këto gjëra që bëni ju këtu në Poloni. Pse nuk i harxhoni këto para që keni caktuar më miset, për aktivitete të evidentimit e propagandimit të punëtorëve dhe fshatarëve të dalluar!?”

 

Cili qe reagimi i gjeneralit polak Barxilovski?

-M’u përgjigj: “Shiko, shiko çfarë mendimesh ruani për aktivitete të tilla ju shqiptarët. Ne të bukurën e shikojmë dhe e pëlqejmë çdo ditë të gjithë e i bëjmë asaj dhe monumente. Kësaj, bukurisë, edhe ti si djalë i ri që je, qofsh dhe gjeneral siç je, nuk bën përjashtim”. Në ditët në vazhdim, gjenerali polak, miku im i mirë, siç bënte për vete që priste fotot më të mira të vajzave në revista e gazeta polake e i vendoste në portofolin e tij, përkujdesej dhe m’i fuste edhe mua nëpër xhepat e uniformës së gjeneralit. Por këto foto më futën në sherr me gruan…

 

Çfarë sherri patët me gruan për “Misset“ polake?

-Në fakt, unë i hiqja fotot që më fuste në xhep gjenerali polak, por njërën prej tyre e kisha harruar në xhep. Kur u ktheva në Moskë, më hapi jo pak telashe me gruan. M’u desh t’ia shpjegoj gjerë e gjatë, me hollësi, si u gjend kjo foto në xhepin e kostumit tim, por kuptohet… Hajde t’i mbushje mendjen asaj…

 

Çfarë konstatuat gjatë inspektimit në ushtrinë polake?

-Duke inspektuar stërvitjet në ushtrinë polake, unë si komisar i vjetër e me shkollim të plotë ushtarak, por dhe ideologjik, nuk mund të mos shprehja habinë time dhe pakënaqësinë se si një ushtarak madhor, gjeneral polak, i ardhur nga Londra, që komandonte forcat pjesëmarrëse në stërvitje, të shfaqte hapur pakënaqësitë e tij kundrejt bashkëpunëtorëve në këtë stërvitje. Kjo, sa pashë e analizova, shkonte deri atje sa gjenerali, pa agjitacion e propagandë për stërvitjen, të caktonte vendet e dislokimit sa më larg shtabeve operative dhe trupave në stërvitje. Por përshtypjen për studentët dhe akademistët ushtarakë të Polonisë e vendeve të tjera, unë i kisha parë dhe gjatë studimeve të përbashkëta në akademinë ruse…

 

Cili është vlerësimi juaj për to?

-Theksoj se në Akademinë “Frunze”, në grupin tonë, por dhe në të tjerët, studimet ndiqeshin bashkërisht nga studentët e të gjitha vendeve pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës. Për një kohë të shkurtër, në këtë Akademi të njohur, ndiqnin mësimet me të njëjtin program dhe akademistët grekë. Mes të gjithë studentëve gjatë kohës që unë studiova në këtë akademi, ushtarakët polakë ishin ndër më të zgjuarit e më realistët në problemet e historisë, veçanërisht atë të luftërave e Artit Ushtarak. Por kur pedagogët rusë në ngjarje të tilla, bie fjala si tek historia 400 vjeçare e Romanovëve caristë, polakët reagonin.

 

Në ç’mënyrë reagonin?

-Më kujtohet një nga pedagogët, që kur po na fliste për lavdinë ushtarake të Suvorovit, vetëm polakët e kundërshtuan hapur duke thënë: Po Katerina e II-të i ka bërë me të vërtetë njoftim Suvorovit në atë periudhë se ai me nxjerrjen e Varshavës vetveten e gradon Feldmarshall, por nuk duhet harruar nga ju fakti tjetër se si e bëri këtë kur ushtarët e tij u prenë me shpata gjinjtë mijëra grave polake”. Polakët ishin të mirë. Po kështu dhe gjermanët, me të cilët unë pata dhe miqësi familjare…

 

Diçka për miqësinë familjare me ushtarakët e lartë gjermanë?

-Gjatë punës time në Shtabin e Bashkuar të Traktatit të Varshavës, më shumë miqësi edhe familjare, pata me përfaqësuesin e Republikës Demokratike Gjermane. Më shumë se kushdo tjetër nga vendet e tjera në atë organizëm të lartë, përfaqësuesit gjermano-lindor, në situatat e rënda e kritike të përkeqësimit të marrëdhënieve tona me Bashkimin Sovjetik e Traktatin e Varshavës, në debate të ndryshme(ndër më të rëndësishmit ai për Bazën Luftarake Detare të Vlorës), dhanë shenja solidariteti me ne, megjithëse pa asnjë rëndësi vendimtare.

 

Një detaj nga kjo mbështetje e gjermanëve?

-Po. Shefi i Shtabit të Gjermanisë(Lindore), gjatë e pas ballafaqimit të ashpër që pata me Marshallin Sovjetik në Moskë, në prezencë të mbi njëqind e pesëdhjetë gjeneralëve dhe akademikëve të ushtrive të vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës, u shpreh hapur me ne e në favorin tonë. Ai i tha veçmas gjeneralit tonë Arif Hasko se: ”Kisha dëgjuar që ju shqiptarët e cilësoni veten si shqiponja, por nga qëndrimet tuaja edhe në këtë mbledhje, u binda për këtë dhe të drejtën tuaj. Dhe këtë e bëtë me guxim edhe para udhëheqësve ushtarakë të superfuqisë sovjetike, e cila u sulmon pa të drejtë. Dhe këtë e bëtë për të mbrojtur të drejtën tuaj”. Ruaj në kujtesë dhe në ditarin tim dhe shumë fakte të tjera ku gjeneralët dhe ushtarakët e Gjermanisë lindore në këtë Pakt, nuk ngurronin të shfaqnin pakënaqësitë e tyre e mosbesimin ndaj udhëheqjes ruse të kohës.

 

Ku e kishte bazën mbështetja gjermane ndaj çështjes shqiptare?

-Për sa i përket afrimit të ushtarakëve gjermanë me ne, veçanërisht në periudhën e pikut të konfliktit me rusët e në vazhdim, nuk përjashtoj të ketë ndikuar dhe faktori historik. Por ata, si ushtarakë ishin të aftë, korrektë, largpamës, dinin të zgjidhnin bashkëbiseduesit, të krijonin raporte korrekte me ta. E mbi të gjitha të kishin nuhatje e tej pamje jo vetëm për probleme të veçanta të stërvitjes e gatishmërisë, por dhe në fushën politike. Në momentet e acarimit me rusët, ashtu si dhe më parë Gjermania ka përkrahur të drejtën e Shqipërisë për lirinë e të drejtat e saj. Por kujtoj se gjatë punës me ta dhe në shumë raste të tjera, ata nuk mungonin të shprehnin dhe një afrimitet me shqiptarët, edhe për faktin se thoshin se ne dhe shqiptarët kemi një gjak, atë të Arianëve.

 

Ndonjë nga këto raste?

-Një ditë, në një bisedë të lirë me përfaqësuesin gjerman në Traktatin e Varshavës e pyeta atë: ”Si u bë e mundur që Gjermania juaj, megjithëse përgatiti dhe humbi dy luftëra botërore, e siç shikoj e konstatohet, sot, si pjesa perëndimore, ashtu edhe pjesa lindore, në krahasim me vendet e tjera socialiste, po forcohen dukshëm, po ecin shumë përpara?” Ai m’u drejtua: ”Përgjigjen do ta jap në Gjermani, kur të shkojmë atje e të inspektojmë stërvitjet!” E kështu ndodhi…

 

Çfarë patë kur vajtët të inspektonit ushtrinë në Gjermaninë Lindore?

-Rradha e inspektimit të stërvitjeve të ushtrisë së Gjermanisë Lindore erdhi shpejt e ne u gjendëm përsëri bashkë në vendin e tij. Ishte viti 1959. Lëvizëm në njësi të motorizuar dhe tankesh, brigjeve të lumenjve Oder e Neise dhe dolëm me inspektimin deri në brigjet e Detit Balltik. Të hipur në një makinë të tipit të “ushtrisë naziste”, pamë njëkohësisht pothuaj mes për mes gjithë territorin e Gjermanisë Lindore. U befasova…

 

Nga se u befasuat?

-Kudo, pashë lule e gjelbërim. Në sipërfaqe të pamatë, shoh fshatra të sistemuar, sipërfaqe toke të punuara kuadrate-kuadrate, pyje, liqene malorë, autostrada e ura moderne për vendkalime. U mahnita gjithashtu se në plazhin e pafund të detit Balltik, në vend të lëmyshqeve e mbeturinave që kishim ne në bregdet, pashë një mrekulli, pastërti kudo, plazhe të sistemuar, me guralecë të vegjël e jo me rërë të imët për pushues sikundër janë plazhet tona… (Vijon nesër)

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Rrëfimin e gjeneral Ramohitos: Sherri me rusët për Bazën e Vlorës, si na provokuan ushtarakët jugosllavë në zyrën tonë në Traktatin e Varshavës.

-Acarimi i situatës Shqipëri-Bashkimi Sovjetik, detyron gjeneral Halim Ramohiton të mbledhë e të udhëzojë 1500 ushtarakët shqiptarë që studionin në Moskë.

-Incidenti me agjentët e KGB-së në takimin me 500 studentët e Moskës dhe urdhri i rusëve për shpalljen ’Non Grata‘ të gjeneral Halim Ramohitos, përfaqësuesit shqiptar në Traktatin e Varshavës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *