Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është përgjigjur drejtpërdrejtë në televizion pyetjeve të qytetarëve në “linja direkte e përvitshme”, tashmë një traditë për të. Përballë një pyetjeje për sanksionet e perëndimit, Putin theksoi se kriza e Ukrainës ishte thjesht një justifikim, sepse në të vërtetë kërkojnë të frenojnë zhvillimin e vendit.
Prandaj nuk pret që të hiqen së shpejti. “U kam thënë biznesmenëve se tani për tani nuk mund të pritet heqja e sanksioneve, sepse është një çështje thjesht politike, është për të ndaluar zhvillimin tonë, por ne duhet ta përdorim këtë situatë për të mbërritur në një nivel të ri zhvillimi.
Ka shenja inkurajuese se bujqësia po shënon rritje dhe se prodhimet tona janë duke zëvendësuar ushqimet e importuara nga jashtë”, tha Putin. “Cari” rus u shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë kundër Uashingtonit: Shtetet e Bashkuara nuk duan aleatë, por vasalë.
Njëkohësisht ai kritikoi perëndimin që injoron dy “vrasjet e fundit politike” në Ukrainë: gazetarin Oles Buzina, të vrarë dje dhe ish aleatin e Yanukovich, Oleg Kalashnikov, të vrarë dy ditë më parë. Putin u informua për vdekjen e të parit direkt gjatë programit.
/DITA
