Çfarë fsheh Pallati i Brigadave

redaktor

Nuk është hera e parë që bëhet thirrje për hapjen e Pallatit të Brigadave në Tiranë. Këtë herë ka qenë vetë Ministrja e Kulturës që ka premtuar se do të hapë dyert e kësaj hapësirë joshëse edhe për vizitorët.

Dy ditë më parë, në një konferencë mbi historikun dhe gjendjen aktuale të Pallatit të Brigadave, Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Ambasadën italiane prezantuan projektin për restaurimin e tij. Vetëm faza e parë kap shifrën e 500 mijë eurove.

Kjo ndërtesë e reflekton më së miri kontributin e veçantë dhe aftësinë e arkitektëve italianë që punuan në Shqipëri në vitet 1930-1940 për projektimin dhe realizimin e saj. Godina mbresëlënëse, e projektuar nga Giulio Bertè si “Vila Mbretërore” e monarkut të Shqipërisë Ahmet Zogu më 1936-n, më pas, e kompletuar në mënyrë përfundimtare më 1939 – ‘41 nga Gherardo Bosio dhe që në ditët tona njihet si “Pallati i Brigadave”, kërkon me domosdoshmëri një rivlerësim të menjëhershëm dhe një rivitalizim të potencialit të madh që fsheh përbrenda e përreth saj pas kaq vitesh konservimi.

Projekti i parë i kompleksit mbretëror i propozuar nga Di Fausto, i vendosur mbi një pozicion të shkëlqyer mbi kodrën e Mulletit, me peizazh panoramik të Tiranës dhe malit të Dajtit, nisi të bëhej realitet me përpunimin e projektit Vila Mbretërore, skicuar nga arkitekti Giulio Berte.

I afirmuar falë realizimit të shumë vilave të borgjezisë së re në Tiranë, Berte u thirr më 1936-n nga mbreti Zog për ta ndërtuar atë… Në konferencën me temë “E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e një trashëgimie” u diskutua mbi historikun e kësaj trashëgimie kulturore, por edhe për gjendjen e saj aktuale dhe projektet për rijetësimin e godinës që sot njihet si Pallati i Brigadave.

“Do ta hapim në mënyrë që të mos jetë thjesht një shfaqje, por një qendër funksionale arti, kulture, turizmi, aktiviteti, social dhe ekonomik. E gjithë kjo duhet të bëhet në bazën e një studimi. Kemi një vit që punojmë për të arritur fazën e parë, tani do të hyjmë në të dytën për përgatitjen e konkursit ndërkombëtar për projekte zhvillimorë për Rijetësimin e Pallatit të Brigadave. Natyrisht që kjo do kohën e vet, sepse bëhet fjalë për një pallat gjigant”,- deklaroi ministrja Kumbaro. Ministrja e Kulturës tha se do të punohet me kujdes për restaurimin e kësaj godine, por edhe të të gjitha hapësirave që lidhen me të, për t’u shfrytëzuar për evente të caktuara por edhe të vizitohet nga qytetarët.

Parku Mbretëror

Çfarë fsheh Pallati i Brigadave në tërësinë e tij? Kjo është një pyetje që vjen natyrshëm. Pak kohë më parë, studiuesi Valter Gjoni është ndalur në Pallatin e Brigadave në botimin “Gjurmime historike në Parkun e madh të Tiranës”. Sipas Gjonit, parku i pallatit mbretëror vlerësohet edhe sot si një nga mjediset më të bukura që ndodhen në vendin tonë. Që në vitin 1936, oborri mbretëror shqiptar kishte ofruar për mjediset e gjelbra rreth rezidencave të saj projektuesin dhe realizuesin e njohur italian Pietro Porcinai. Parku që rrethon rezidencën shtrihet për rreth 36 hektarë. Në vitin 1937, janë dy projekte të përgatitura, shumë të ndryshëm ndërmjet tyre: i Pietro Porcinai (1910-1986) me fidanistin Martino Bianchi (në arkivin e Firences është ruajtur edhe një maket) dhe ai i studios së Vëllezërve Sgaravatti të Padovës (14.2.1937). Zgjidhja që u përdor, ishte një hibrid i dy projekteve, për të cilin u kujdes Gherardo, i cili në vitin ‘39, pasi njohu kushtet, përcaktoi formën që përkon me atë të tanishme. Sipërfaqja shtrihet në shumë zona: përballë pallatit dhe përbëhet nga shatërvanë me zinxhirin e ujit, galeri skulpturash në disa parqe; disa radhë kopshtesh me pemë me lule dhe labirinte në formë spiraleje, kopshti i luleve, shtegu i pyllit, kopshti me pishinë, pista e stërvitjes së kuajve ndodhen në jug të parkut, afër ndërtesave. Parku mbretëror është një galeri e vërtetë me skulptura mitologjike mes gjelbërimit artistik i ndërtuar sipas modelit “Tempulli i Muzave” i kultit mitologjik të Apollonit. Skulptorët që realizuan “Tempullin e Muzave”, “Tempullin e Apollonit”, “Tempullin e Dafinës”, Kolonadën Monumentale Historike dhe disa punime të tjera të Pallatit dhe të Parkut Mbretëror janë italiani Antonio Maraini, skulptori shqiptar Odhise Paskali. “Megjithëse i ruajtur përgjithësisht mirë, degradimi i kopshtit, i statujave, i shatërvanëve, pra i gjithë ‘exterieur’-it është i dukshëm dhe kërkon një ndërhyrje urgjente, por të kujdesshme si dhe mirëmbajtje e restaurim të godinës. Pallati i projektuar për mbretin Zog I, që nuk jetoi asnjë ditë, pasi punimet ende nuk kishin mbaruar kur ai u largua nga Shqipëria, përfundoi gjatë periudhës së pushtimit italian të Shqipërisë, punimet vazhduan në kujdesin e mëkëmbësit të mbretit Fancesco Jakomoni”, shprehet Gjoni.

Tempulli i muzave

Sipas Valter Gjonit, parku ka mbi 15-16 skulptura. E gjithë pjesa e jashtme e pallatit është konceptuar si një tempull i madh i muzave dhe kjo është tipike për pallatet mbretërore, siç është edhe Versaja. Në tempullin e muzave të parkut të Pallatit të Brigadave gjendet Poezia lirike, epike, Orfeu si instrumentist i Olimpit, Harmonia, Dafina, por edhe Danaida. Gjoni tregon se kopje shumë të ngjashme të tyre të realizuara nga Maraini gjenden edhe në kopshte të tjera, por veçanërisht në Firence.

“Dafina” që Zogu i kushtoi të dashurës

Pema e Dafinës është simbol i Apolonit. Sipas mitologjisë greke, ishte e adhuruara e Apolonit, por ajo nuk e donte. I kërkoi ndihmë të atit ta shpëtonte, perëndia e lumenjve Peneus, i cili e shndërron vajzën në pemën e dafinës. Qysh atëherë Apoloni e shenjtëroi pemën e dafinës. Në parkun e pallatit mbretëror, kjo pjesë intime mbështetur në mitin e Apolonit dhe Dafinës duket se është një kujtesë për lidhjen e Zogut me balerinën e skenave të Parisit, Tanja Visirova. Tek “Unë e dashura e mbretit Zog”, ajo shkruan: “Miklohej kur mendonte se kishte një robinë si unë, gjë e ngjashme me miklimet e tjera që i vinin kur mendonte se kishte të vetën “La Visirovën”, për të cilën shkruanin gazetat e Parisit. Vallëzoja shpesh, por me të, shoqëruar nga muzika e disqeve. (Në Shqipëri kishte vetëm një orkestër, kjo ishte orkestër ushtrie). Ne, unë dhe Zogu mund të jetonim edhe vetëm me maratonën e vallëzimit. Për gjithçka që ishte tango, foks-trot, vals, ishim të pamposhtshëm. Vallëzonim vetëm, ose rrallë nëpër festa edhe përpara të ftuarve të paktë: ministra dhe personalitete të tjerë të pallatit”.

Panteoni historik

Në hyrje të parkut mbretëror, autori Odhise Paskali, në vijim të traditës botërore të Pantheonit Kolonad, ka vendosur pesë figura nga më të spikaturat të historisë, kulturës dhe besimeve fetare: Abdyl Frashërin, Bajram Currin, Vaso Pashën, Jeronim de Radën dhe Kostandin Kristoforidhin.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *