U desh më shumë se një shekull e gjysmë, të gjendet një kumt nderi nga kombi për një prijës Kryengritjesh, Rrapo Hekalin. Kush e ka mendjen të bëjë ndere të vërteta? Gjithçka që mbjell politika e sotme është egjër që e mbyt grurin, që do të mbijë nesër. Megjithatë s’është keq që krahas zgjedhjeve vendore dhe këtyre pëlcitjeve: Dosh/Frrok si ato erupsionet në Marinzë, t’i bëjmë një zë edhe Rrapos që thuhet se kur thërriste tundeshin malet…
1.
Historiografia turke e quan ende sot, se Antitanzimati ishte një Revolucion. Kaq do të duhej që një figurë të tillë të mos i vonohej blatimi i epërm, se ajo vlerë vjen edhe për ne të gjithë, për të riparuar veveten. Për mbresë e kërkim të udhëve të heroizmit kombëtar, do të përzgjedhim një syth nga miti i Rrapo Hekalit, biri i Hasanit të varfër, por që Hekali dhe Shqipëria, kur ai s’kërkoi gjësend… ia dhanë këtë ndajshtim. Ia dha Hekali, Mallakastra apo vetvetja…? Përgjigjen e jep kënga: / As për mua, as për vete/ Po për gjithë Vilajete…/ As për mua e as për ti/ Po për gjithë Shqipëri!
Ndërsa ne i afrojmë blatimin pas kaq kohësh, nuk dëshirojmë që ta shtojmë atë që quhet mit, dhe që çel, se ashtu e do populli. Mirëpo populli është i ndjeshëm në peshim, nuk i do pekulet e shumta, se i dhembin sytë, ai ndjek mitin, që t’i afrohet njeriut, e jo të dalë jashtë tij. Kemi hera herës shpërthim për kombëtarizmin (edhe nga politika e prapë), po edhe nga erupsioni i bashkësisë që s’di ç’bën kur s’e gjen dot mbrothësinë, miti që ngre populli vijon të mbetet ende paradigmë orientuese. Populli e bën shumë më të lehtë shqyrtimin.
2.
Në momente të tilla të cilat rrallë vijnë sidomos në një kohë kur ishte shumë e vështirë të bëhej një organizim ushtarak dhe një përballje. Shpirti i revoltës gjeti edhe shpirtin e udhëheqësit. Pati një besueshmëri të ndërsjelltë, që bëhej vetiu. Dokumente për atë që quhet revolucion nuk ka, as gjurmë kronikash të besueshme jo, mirëpo ajo që ka ndodhur është bartur në kujtesë shumë më reale se kronika në fushë të luftës. Ajo të mahnit me saktësinë dhe përfytyrimin e sotëm. Hulumtuesi i ndjerë, mësuesi i shquar Neshat Hamitaj që s’mori dot ndonjë titull, vuajti shumë gjer mblodhi çepka ngjarjesh, intervista, qëmtoi këngë dhe gojëdhëna për Tanzimatin e Rrapon. Me mijëra faqe. Po t’i lexosh ato, befasohesh me përfundimin, sipas të cilit nuk del në pah Rrapo Hasani por e gjithë kryengritja, dhe prijësit e saj nga Çamëria deri në Plavë e Guci. Aty ndërsa ke dëshirë të zhbirosh se si e ka qëndisur Mitin e Rrapos populli, merr vesh se ky mit është për Kryengritjen dhe këtë s’e ka bërë asnjë propogandë politike dhe as mediumet e shumta por vetëm transmetimi i kronikës së vërtetë.
Këtu më poshtë po e ndërtojmë një pjesë të kronikës së mitit të kryengritjes jo nga historiografia por nga gojëdhëna e mbledhur.
…Kish ardhur lajmi se Valiu do të sillte ushtrinë për një fushatë ndëshkuese. Jo kudo shkoi Rrapo Hekali e jo kudo ai ishte i pranishëm. Vetëm se dërgonte korrierë për të mbajtur ndjeshmërinë e duhur. Mallakastrës po i bëhej rrethim, çka ishte e jashtëzakonshme dhe s’kishte ngjarë më parë. Sidomos kur vjen një ushtri e rregullt drejt një krahine. Lëvizja ishte ndezur që në Labëri, thellë në Çamëri e më këndej deri në Berat… Po betejat bëhen atje ku është qendra dhe ku vjen goditja kryesore. Ishte qendra e Mallakastrës: Greshica…
Tri pritat e para ngjajnë se nuk janë me hamendje, por të studiuara nga një përvojë: tek Ura e Thellë në Gjanicë, prita e dytë në Mullirin e Metohut dhe prita e tretë në Qafën e Veshazit. Njohësit e relievit të Mallakastrës duke marrë parasysh frontin që vinte nga Berati, e kanë të qartë se këto prita popullore rrëfejnë se Kryengritja nuk ishte spontane, por e mirëmenduar. Rrapo Hekali nuk u ndodh në tri pritat e para. Ai ish në Labëri për t’u ritakuar me Zenel Gjolekën dhe ato ditë prej andej ishin nisur kolonat me lebër. Ndërkaq lufta në Mallakastër kishte nisur pa udhëheqësin. Sythet e rrëfimit thonë se Prita tek Ura e thellë dështoi, nga tradhëtia e beut të Panahorit, ndërkohë që përgatitej Prita e midis Cfirit dhe Metohut, përballë ushtrisë së Valiut. Duket e pabesueshme por kreu i ushtrisë mbeti në grykë pranë një mulliri që kujtesa e ruan në hartën e qendresës, se ajo u kthye dhe gati u shpërnda në Cfir e më tej u rikthye në Mbjeshovë… Ushtria e Valiut, nga Qafa e Sinjës, në rrëzë të malit Tërpos në kapërcim të përroit të Dogës e lumit të Lumarës. Sulmi kish synim Aranitasin. As në pritën e Tretë Rrapo nuk u ndodh. Prita e Tretë s’u përball dot, se raporti i forcave ishte shumë i thellë. Ushtria vinte në qafën e Veshazit poshtë atij Shëndëlliut (shën Dielli i lashtë) Ishin në pozicione natyrore të ujdisur nga prijësit popullorë, fshatarë nga Aranitasi, Kalenja, Metohu, Gjerbësi, Mushonja e Greshica… të tjerë ishin në ardhje. Dita e dytë ishte përballja tjetër që s’e thotë historia, në një luftim të rreptë dhe të pabarabartë. Armiku ishte gozhduar rrotull Shëndëlliut dhe Goricës. Artileria e Valiut filloi të japë goditje në qendër të Greshicës, këtij amfiteatri natyror, që po priste një lloj flijimi të saj në emër të jo vetëm të një krahine, por të gjithë kryengritjes Antitanzimat. Rrethimi po çahej dhe përballja do të ishte e drejtpërdrejtë në qendrën e banuar të mëhallave të Greshicës. Në ditën e dytë mbërrijnë çeta e Çorrushit, pastaj passhpine, dhe në jug penetrojnë rrëzë odave gjerbacakë, aranitas, kremenaras, fratarakë etj. Synimi ishte futja në darë e forcave të Hysen Pashë Vrionit.
Në fund të ditë së dytë mbërriti Rrapo Hekali dhe lebërit. Ajo që ndodhi në Greshicë përkon me një pjesë të epikës së luftës popullore që mund të përfytyrohet… “Moj Greshica maja maja / Të rreh topi e kumbaraja /Moj Greshica gropa-gropa/ Hëngre treqind e ca koka”.
Gjer këtu as një fjalë për Rrapon ndërkaq ai është nisur e vjen me prijës të tjerë nga Jugu me çetat e lumit të Vlorës të drejtuar nga kapedanet Dervish Aliu, Tartar Memushi, Dule Zoto, Hajder Kanina etj. Lufta e Greshicës në historiografinë tonë kalohet si një vesë e lehtë. Ndërkaq kronika e popullit është madhështore, ajo sjell tablonë kryengritëse si në një lloj Iliade. “Del o lumi i Vlorës–o/Del, se do dalim–o /Të mëdhenj, të vegjël-o/Të pjekur në Povël-o…”
Përkaluam këtë pjesë beteje për të thënë se ajo që ka hipur në mit për Rrapo Hekalin prej kësaj kujtese që rron, vjen e zbutet dhe mitizimin që ne shqiptarët e kemi shumë për shtat, për t’ia atribuar vetëm udhëheqësve lavdinë, këtu gjen një lloj ekuilibri të rrallë, ku nuk ka gravitet tek figura kryesore, por një shpërndarje që të habit pas më shumë se një shekulli e gjysmë.
Legjenda vijon, ajo është në erë, në rrokullimë, se kështu është jeta, ajo bëhet edhe më madhështore, kur në këtë kacafytje të marrë, populli pyet për prijësin “Rrapo Hekali ku je?/ Keq për ty e keq për ne…” Sa shtruar, pa lotë e ulërima, rrëfen se si gatuhet tradhëtia nga brenda, e ndjek shtegun tragjik të heroit dhe për të thënë “mjerë ne!” Më mirë ashtu i vdekur, por që thërret e tundet mali se sa i gjallë dhe tradhëtar!
– Rrapo Hekali ku je?
