“Intervistë” me kazanin pranë kopshtit

redaktor

E gjeta të dëmtuar e të boshatisur, të mërzitur dhe desha të bëj këtë intervistë, me aktorë unë dhe ai kazani. Në mbrëmje.
Unë: Si je dhe si ja kalon?
Ai: Shumë keq, si më shikon, të boshatisur dhe të braktisur, i shëmtuar që s’më do njeri.
Unë: Kush janë klientët e tu?
Ai: Të gjithë, dhe asnjëri. Po klientët e mi janë të varfrit e ata që kanë halle. Ata më kthejnë përmbys, më përplasin sa majtas djathtas, dhe pse jam i sakatuar e shëmtuar.
Unë: Ç’do këtu ti, ke qenë në vend tjetër?
Ai: Ashtu është! Në fillim isha te ai pallati i bukur atje. Erdhën ca të fortë dhe në mes të natës fshehurazi më çuan aty përballë. Pastaj erdhën ca të tjerë të fortë dhe më çuan te kopshti “Sotir Noka”. Këtu jam mirë, po shokët e mi i çuan te çerdhja te tregu. E ç’heqim ne or vëlla. Shkojmë vetëm pranë shkollave.
Unë: Nga kush vareni?
Ai: Nga punëtorët e pastrimit dhe shoferi i makinës. Ata janë të pa edukatë. Bërtasin me të madhe me fjalë të pa hijshme sa që zgjojnë gjithë pallatet nga gjumi. Ore punëtorët e kazanëve trembin fëmijët dhe pleqtë. Përgjegjësit nuk u kërkojnë llogari fare.
Unë: Ke shkuar për eksperiencë?
Ai: Unë jo, dhe as të tjerët, por përgjegjësit kam dëgjuar se ata gjermanët bëjnë pallë. Janë veç letrat, veç shishet e qelqit, veç plastikat. Pale janë dhe të bukur e me ngjyra si lum ata.
Unë: Nga kush ke frikë?
Ai: Nga bombat, granatat luftarake që fshehin kriminelët, na i futin në bark pa frikë. Pastaj nga zjarri. Hedhin zjarr e ndizemi flakë, ka raste që edhe shpërthejmë. Na rrethon policia e zjarrfikëset, bëhet gjithë lagja tym. Pastaj na hedhin ujë, lagemi komplet.
Unë: Po tjetër?
Ai: Më keq e kemi me hajdutët e rrotave të kazanit. Na presin këmbët me sharrë, na sakatojnë me saldim, na mbingarkojnë me llaç.
Unë: Po tjetër?
Ai: Na çmendin shitësit e rrobave. Ca i hedhin teshat në mëngjes, të tjerët i marrin në mbrëmje i shesin te gabi.

Fejton nga Vasil Puci

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *